“Mësuese më mbaj afër se bashkë do të kemi rrugëtim të gjatë drejt dijes. Ti je mbështetja ime më e madhe”
Përshkrimi më poshtë, për ditën e parë të shkollës, është tepër mbresëlënës. Nxënësja nga Shkodra, Rebeka Çekerku, edhe pse është në klasën e dytë ka një stil tepër të veçantë të të shkruarit dhe jep mesazhe të rëndësishme.
Vjeshta e bukur çdo vit na kujton me ardhjen e saj edhe fillimin e një viti të ri shkollor. Dita e parë e shkollës është një ditë me shumë emocione.
Zgjohem herët në mëngjes dhe me shume dashuri shoh buqetën me lule, që e kam bërë gati një ditë më përpara për mësuesen time. Përfytyroj sytë e saj teksa me qeshin kur t’ia dhuroj lulet dhe ëmbëlsinë e zërit të saj kur të më falënderojë. Këtë vit nuk e kam ankthin se cila do të jetë mësuesja ime, cilët do të jenë shokët e shoqet e mia. Jam në klasë të dytë dhe shkollën e klasën e njoh mjaft mirë.
Por, sidoqoftë kam shumë emocione, sepse është një vit i ri, me detyra të reja dhe mbase më i vështirë. Me shumë dëshirë vesh rrobat e reja, marr çantën në krahë dhe nisem për në shkollë. Rruga është plot me nxënës. Sa e gëzuar ndihem që jam një prej tyre. Më duket sikur gjithë qyteti gëzon bashkë me mua. Oborri i shkollës është mbushur me nxënës, mësues e prindër. Zgjatem paksa të shoh në drejtim të klasës sime. Ja shokët dhe shoqet e mia.
Vështroj pak më tutje...ja mësuesja ime e dashur. Vrapoj drejt saj e i hidhem në qafë. E shtrëngoj fort dhe me zemër i them… “Më mbaj afër. Bashkë do të kemi rrugëtim të gjatë drejt dijes. Ti je mbështetja ime më e madhe”.
Rebeka Çekerku
Klasa II, shkolla” Skenderbeg”, Shkodër
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ese “Jeta njerëzore është një dhuratë shumë e çmuar”
Shtëpia jonë (mjedisi)
Letra e nxënëses shqiptare për presidentin e Sirisë