KRIJIMTARIA LETRARE PËR FËMIJË

“Më quajnë Eqrem Çabej” nga shtëpia botuese “Albas” rrëmben çmimin e librit didaktik më të mirë për fëmijë

Çmimi për kategorinë “libri didaktik” shkoi për autorin Luan Rama, me librin “Më quajnë Eqrem Çabej, pjesë e kolonës së shtëpisë botuese “Albas”, “Më quajnë...”, me motivacionin “Një tekst letrar që mbart vlera të spikatura didaktike

Para disa ditësh Ministria e Kulturës shpalli 5 fituesit e fondit “Krijimtaria letrare për fëmijë”. Mes 27 aplikuesve, juria përzgjodhi pesë veprat më të mira në kategoritë poezi, roman, rrëfenja, përrallë, libër didaktik, ku libri “Më quajnë Eqrem Çabej”, nga seria e librave “Më quajnë...” e shtëpisë botuese “Albas”. Në këtë libër tregohet jeta dhe vepra e një prej personaliteteve më të spikatura të filologjisë shqiptare, gjuhëtarit dhe albanologut Eqrem Çabej, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e etimologjisë dhe të historisë së gjuhës shqipe.    


Juria e përbërë nga shkrimtarë, përkthyes dhe studiues shqyrtoi veprat kandidate dhe mes shumë krijimesh nga autorë shqiptarë përzgjodhi 5 veprat më të mira për fëmijë në kategori të ndryshme. 


Kështu çmimi për kategorinë “Poezi”  shkoi për autorin e mirënjohur për fëmijë Gaqo Bushaka, me motivacionin  “Për mjeshtërinë e vargëzimit të thjeshtë shumë afër botës fëmijërore, me tingëllim melodik, pastërti gjuhësore dhe larmi tematike”.


Çmimi për kategorinë “Rrëfenja” shkoi për Hysen Kobellarin, me motivacionin: “Për merita të spikatura në qëmtimin, përpunimin dhe sjelljen në një kontekst të ri letrar të një trashëgimie folklorike që kemi nevojë ta kultivojmë te fëmijët tanë si pasuri identitare”.


Kategoria “Përrallë” shkoi për autoren Rudina Çupi dhe librin “Kakarina” me motivacionin: “Për kurajën e një narrative me peshë të lartë përmbajtjesore për fëmijët, që e sfidon dhe edukon lexuesin me inteligjencën e humorit dhe frymën e lojës, duke kthyer në vëmendje fjalën”.


Çmimi në kategorinë “Roman” shkoi për shkrimtarin Viktor Canosinaj, me motivacionin: “Arrin të mbajë zgjuar interesin e lexuesit të ri, duke ruajtur brenda një strukture të pastër konceptuale dhe gjuhësore, ligjërimin artistik grishës dhe formues njëkohësisht”. 


Çmimi për kategorinë “libri didaktik” shkoi për autorin Luan Rama, me librin “Më quajnë Eqrem Çabej, pjesë e kolonës së shtëpisë botuese “Albas”, “Më quajnë...”, me motivacionin  “Një tekst letrar që mbart vlera të spikatura didaktike, përmes kultivimit artistik të dijes dhe vlerave kombëtare për fëmijët, me një ligjërim të zhdërvjellët e të ilustruar bukur”.


Kjo seri sot është zgjeruar me rreth 30 tituj, kur çdo libër i kësaj serie flet për një figurë të shquar të shkencës, historisë, artit, kulturës, letërsisë a mendimit, që në vetë të parë tregon në mënyrë shumë të këndshme jetën dhe veprën e tij, si dhe mjedisin dhe kohën në të cilën jetoi.   

Libri “Më quajnë Eqrem Çabej” shumë shpejt do të jetë në duart e lexuesve! 

(Përgatiti: Sevi Agolli; Portali Shkollor)

3,655 Lexime
5 vjet më parë