Maturantja: Kjo nismë lehtëson procesin e të mësuarit
“Reduktimi i numrit të lëndëve në ditë mësimore do të thotë që t’i kushtohet secilës koha e nevojshme përgatitore për të dhënë maksimumin në asimilimin e studimin e informacionit, në procesin e hulumtimit si dhe në realizimin e detyrave të ngarkuara.”
Çdokush i lidhur me arsimin në vendin tonë është përfshirë në diskutime, gjykime a mendime që lidhen me nismën e re të MASR “Tri lëndë në gjashtë orë” e cila do të implementohet në të gjithë vendin në arsimin parauniversitar muajin e ardhshëm. Mes larmisë së opinioneve mbi këtë iniciativë, ca pozitive a ca më shumë kritike, disa shumë optimiste e ca të tjera demoralizuese, ku mes atyre tepër profesionale e ndonjëherë ca më tepër gjykime personale zëri i nxënësve të cilët janë grupi kryesor i targetuar nga kjo iniciativë, duket të mbesë mes bisedave të thjeshta me njëri-tjetrin.
Duke qenë në pozitën e një maturanteje, më tepër se gjykime e vlerësime në mungesë profesionalizmi apo kapacitetesh mbi fushën e politikave arsimore do të doja të sillja ndjesi e qasjen në rolin e nxënësit, i cili është subjekti që preket më së shumti nga kjo nismë.
Përgjithësisht ndryshimi është i frikshëm e megjithatë mendoj se duhet pritur me optimizëm. Për të gjithë nxënësit, e veçanërisht për maturantët shkakton disi turbulence një nismë nga hiçi, të cilës ti duhet t’i përshtatesh në mesin e vitit shkollor.
Në aspektin fizik, ndryshimi i parë është lehtësimi i peshës së çantave të shkollës, një problem që ka kohë që ngrihet fuqimisht dhe nga zgjidhja e të cilit do të përfitojnë mjaft, veçanërisht nxënësit e ciklit fillor. Por përtej zgjidhjes së këtij problemi, unë mendoj se kjo iniciativë, na ndihmon në një seri aspektesh në procesin e të nxënit, të formimit, dhe të asimilimit të materialit shkencor në shkollë.
Për një kohë të gjatë vetë ne si nxënës, së bashku me mësuesit kemi treguar fuqimisht se 45 minutat e një ore mësimore janë të pamjaftueshme për të përthithur të gjithë informacion, për të marrë maksimumin nga shpjegimi dhe diskutimi (ky i fundit shpesh ka munguar pikërisht për efekt kohor), si dhe për të ezauruar çdo element që lidhet me temën dhe me procesin e vlerësimit. Kështu ajo çka kemi ndjerë kanë qenë një sërë pyetjesh e boshllëqesh të akumuluara gjatë vijimit të procesit të studimit në shtëpi, të cilat presin orën tjetër për t’u zbardhur, apo që çojnë në rendjen pas kurseve private; e që ndonjëherë koha i kushtëzon sërish të mbeten të vagullta. Njëkohësisht orët e projektit apo punës në grup kërkojnë një afat kohor disi më të zgjatur se 45 minuta, dhe ky strukturim i ri orëve jep pikërisht hapësirën e duhur për të realizuar detyra cilësore, punë në grup mirëfilli dhe forcuar bashkëpunimin si dhe aspektin praktik, duke kaluar nga realizimi për inerci i këtyre orëve në zbatimin maksimal të tyre.
Për ne si nxënës, kryefjala është padyshim lehtësimi. Ndonëse volumi është i njëjtë sepse përgatitja konsiston tashmë në dy tema dhe jo një, lehtësimi që sjell përgatitja për tre lëndë shkon në mënyrë analoge me cilësinë. Reduktimi i numrit të lëndëve në ditë mësimore do të thotë që t’i kushtohet secilës koha e nevojshme përgatitore për të dhënë maksimumin në asimilimin e studimin e informacionit, në procesin e hulumtimit si dhe në realizimin e detyrave të ngarkuara. Duke qenë se secila lëndë ka një bosht a subjekt kryesor, është padyshim më e lehtë studimi i dy temave për secilën nga tre lëndët me tepër se një teme për gjashtë lëndë të ndryshme. Kjo e fundit jo vetëm na lehtëson si nxënës dhe rrit cilësinë por zvogëlon dhe hendekun mes atyre lëndëve që ndodh t’i anashkalojmë, apo ti vetë-konsiderojmë dytësore, duke i dhënë tashmë secilës vëmendjen dhe rëndësinë e duhur.
Sigurisht ka një sërë dyshimesh apo pyetjesh që mund të na vijnë në mendje lidhur me këtë nismë e që na sjellin pranë skepticizmin. Sa kaotik do të jetë ristrukturimi i orarit? A nuk do të jenë dy orë të njëpasnjëshme të një lënde tepër të gjata, të lodhshme a monotonë? Si do të jetë reagimi ndaj këtij ndryshimi në mesin e viti shkollor?
Për pyetje të tilla si këto, të cilat realisht e me të drejtë janë të shumta, përgjigja mbetet akoma për t’u zbuluar, e megjithatë që një reformë apo iniciativë e re të jete e suksesshme duhet domosdoshmërish të pritet me dëshirë e optimizëm nga të gjitha aktorët, sepse është pikërisht pozitiviteti në përqasjen e zgjedhur veçanërisht të shkollës si bërthamë e arsimit, mësuesve, nxënësve e prindërve së bashku që orienton drejt arritjeve e suksesit. Kështu drejtuesit e stafi duhet të jenë më shumë se bashkëpunues në ristrukturimin e orarit, mësuesit dhe më interaktivë e interesantë gjatë shpjegimit, dhe ne si nxënës sigurisht dhe më të interesuar, më mbështetës, për të ecur së bashku drejt suksesit e për të mos qenë aktorët e përfshirë ata që nën skepticizëm e mungesë dëshire e përpjekjesh minimizojnë pa qëllim, arritjet dhe sukseset duke ia veshur fajin pikërisht iniciativës. “Tri lëndë në gjashtë orë”-të përpiqemi NE ta bëjmë të suksesshme!
(Dorina Zhuka, Portali Shkollor)
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Poezi nga mësuesja Vera Ujka