“I dashur autor”

Luli i vocërr, Kiara i shkruan një letër Migjenit

Kjo është një letër imagjinare drejtuar Migjenit. Lexuesja sugjeron një fund ndryshe për “Lulin e vocërr” teksa e ilustron edhe me piktura.

I dashur Migjen,


Jam një vajzë nga Fieri. Përmes kësaj letre dua t’ju falënderoj për poezitë e skicat e mrekullueshme që na keni dhuruar. Përmes tyre unë njoha varfërinë e tejskajshme të malësorit, ëndrrat e parealizuara të fëmijëve, mjerimin e popullit…


Askush më bukur se ju nuk do t’i përshkruante personazhet e skicave tuaja, sepse ata janë të vërtetë, sepse ju i keni parë dhe prekur, jeni përlotur bashkë me ta, keni shtrënguar grushtet si ata, keni... 


E mes këtyre të mjerëve edhe unë njoha Lulin e vocërr. Ju nuk mund ta imagjinonit të ardhmen e tij, sepse u ndatë nga jeta në kulmin e rinisë, ju nuk mund ta dini pse unë veçova atë. Do të çuditeni, por, ama, është e vërtetë: ai ka qenë mësuesi i gjyshit të babit tim. 


Doni të dini ç’ka bërë Luli më pas? Po ju ndihmoj unë. Lexojeni ç’ka  shkruar stërgjyshi im për të e kjo le të shërbejë si një vazhdim i skicës suaj…


Unë isha analfabet, por gjatë Luftës mësova shkronjat dhe dija të lexoja pak. Pas Çlirimit u ktheva në fshat. Isha rreth 16 vjeç dhe kisha dëshirë të vazhdoja shkollën. Edhe pse më i madh se të tjerët, u regjistrova në klasë të parë.


Ishim ulur përtokë (në klasën tonë nuk kishte banka) dhe prisnim mësuesin. U ndie zhurma e derës që u hap. Para nesh u shfaq një djalë i ri, pak më i madh se unë. Ishte i gjatë, por shumë i dobët. Nga sytë i buronte mirësi, ndërsa në buzë i lodronte një buzëqeshje e ngrohtë. Ishim shumë të emocionuar. Edhe ai ashtu dukej.


Na pyeti për emrat, por nuk na e tregoi emrin e tij. Atë ditë nuk na shpjegoi asgjë, po na lexoi një skicë që fliste për një djalë të vogël që quhej Luli. Herë-herë e ndërpriste leximin, hidhte vështrimin jashtë dritares dhe sytë i mbusheshin me lot. Ne e shihnim të habitur. Pse ishte kaq i tronditur mësuesi ynë? Mos ishte vëllai i tij ai Luli?


Pasi e mbaroi leximin, e mbylli librin, e futi në çantë dhe, duke na parë në sy, deshi të thoshte diçka, por u pendua. Një djalë e pyeti: “Mësues, kush ishte Luli i vocërr? E njihje ti?”


“Po, e njihja Lulin më mirë se kushdo tjetër”, - tha dhe përsëri heshti e humbi në kujtimet e tij. Ne ndiqnim me sy lëvizjet e tij, fytyrën e trishtuar dhe pyesnim në heshtje  të habitur: “E kishe vëlla?”, “Ishte shoku yt?”, “Banonit në një lagje?”, “Ishte…?”


Ai lexoi sytë tanë, por nuk u përgjigj menjëherë. Iu afrua dritares dhe e treti vështrimin maleve. Një pikëz loti iu rrokullis faqeve. Pa e fshirë lotin, u drejtua nga ne e tha: “Ky lot është për atë që shkroi për mua, është për Migjenin…” Dhe heshti. 


Nuk kuptuam asgjë. Në atë kohë  nuk e dinim kush ishte Migjeni, por, duke parë trishtimin  e mësuesit, kuptuam që ai do të ishte një njeri shumë i dashur për të. Ra një heshtje e thellë e të gjithë vrisnim mendjen të gjenim lidhjen e mësuesit tonë me Migjenin. Heshtjen e theu zëri i ngazëllyer i një nxënësi që gati thirri: “Mos Luli i Migjenit është mësuesi ynë?!”


Ne prisnim miratimin e tij, por ai nuk foli. I përhumbur vështronte fushat e gjelbra dhe heshtte… Një vajzë e vogël vrapoi drejt tij dhe i zgjati një tufë vjollcash. Në atë çast nga sytë i shpërthyen rrëke lotësh. Zgjati dorën për t’i marrë vjollcat dhe buzëqeshi. Kishte ardhur pranvera…


Zoti Migjen, ndoshta penës sime i mungon frymëzimi juaj, por kjo që shkrova, është po aq e vërtetë sa skica juaj.


Do t’ju jem gjithmonë mirënjohëse


Kiara

*Ky punim është vlerësuar ndër më të mirët në konkursin “Lexuesit e së ardhmes”.


(Kiara Musabelliu, shkolla "Flatrat e dijes", Fier; Portali Shkollor)



9,306 Lexime
7 vjet më parë