KRIJIM

“Lasgush Poradeci, poeti i fjalëve me erë lule-karafili”, ese nga maturantja Ejona Boçi

Një e re e talentuar, maturantja nga Elbasani, Ejona Boçi, dëshiron të ndaj me ne një krijim të saj, esenë me titull “Lasgush Poradeci, poeti i fjalëve me erë lule-karafili”. Ju ftojmë ta lexoni.

Poezia nuk kërkon lexues, ajo kërkon të dashuruar. Poezia është e përsosur. Vetëm gjenitë e letrave kanë forcën shpirtërore që atë çka ndiejnë ta puthin përjetësisht me letrat dhe botën e yjeve varfanjakë. Letërsia është krijim i cili rebelohet në art dhe arti është një linjë rreth mendimeve tona. Ai është një botë diejsh me gji të zjarrtë. Poeti, Lasgushi, aq i dashur për vargjet, një diell që vdes mbi perëndime dhe hidhet mbi hone pa kufi.  


Ndodh rrallë që letërsinë botërore dhe atë shqiptare ta godasin meteorë të purpurt ndriçues dhe pasionantë. “Nuk ka passion në qiej që të mos e ketë shfaqur lëngun e tij magjepsës në Tokë.  “Lasgushi, një perëndi e fjetur, dashuron qiejtë dhe kthehet në Zog të tyre. Ashtu siç shkroi në poezinë me të njejtin titull:


“Që nga botë njerëzore ku këndoj me shpirtin plot, prit e prit!

Se po afrohet Zog i qiejve o Zot!

Fali këngëtor finoshit gaz të Thjeshtë mu në gji, 

Posi lot në rreze dielli ndrite në përjetësi”. 


Ai ka forcën e një drithërime të re moderne që shenjtëron brigjet dhe djellëson ëndrrat. Poeti i Këngës Pleqërishte, i lidhur hyjnisht me gjuhën e tij i shkruan: “E prapë porsi vala që bje sërish në det, ti bje në fellësirën e zemërës së vet!”. Një imazh ngjyrash të ndezura. Ngjyrat janë gjuhë e Zotit. E kuqja e zemrës së tij, e nositit të bardhë si zambak, me një zemër që i kullon gjak.  Ai jetonte në dashurinë e kohës me imazhe zeusiane. Për një kohë të tij, unë do të jetoja edhe një mijë herë të tjera.  Vetë poeti bie pre e kurthit të tij të nostalgjisë. Diku ai shkruan:


“Do të m’i lagë faqet do t’i fshij me duart, 

Do kujtoj me dhimbje kohën e kaluar, 

Mjer! Or un i mjeri ç’pata dashuruar!”


Dashuria është një mall i ri, dashuria është një këngë durimi, ajo është liri e robëri dhe një valim i shkrepëtimit. Në dashuri ne jemi më të mirë se ç’jemi në të vërtetë dhe kjo na bën të vuajmë.  Edhe ai vuan, por vuajtja e tij është një dashuri më shumë se një dashuri. Një llahtarë e një greminë. Ndaj ai heq rëndë-rëndë gjer në greminë llaftarën që e zë për dashurinë. Që lind e ndritur krejt bukriplotë! Me dritën drej-për drejt nga drita jote!(poezia “Gremina”).  Ai e pat vendosur poezinë mes shpirtit dhe errësirës, të cilin e quan lajmës qielluar me mburim përjetësie. Pogradecit i gdhendi mijëra harqe triumfi, ashtu siç Dante gdhendi në alegori Firencën e tij. I zemëruar përjetësisht me redaktorët trukokallë e fyenjës të poezisë ai u bë zot i botës së tij.  Përjetësitë e Lasgushit janë më të gjata se të tjerat. Nositet me sakrificat biblike, zogjtë me varr në shpirtin e tyre. Ai është poet i ringjalljeve që gëzohet nga dashuria në të qarën e një grime.  


Në galerinë e poezisë shqiptare, e cila është krejt autentike, nuk ka portret të vogël. Aty gjendet Lasgushi, pirausti, ylli i tij ndriçues. Poeti që fluturoi zall më zall, posi Zog me yll në ballë për lexuesin modern e me shije, i cili pasi ta prekë do t’i përsërisë vargjet e tij njëlloj siç përsërisnin gondolierët venecianë vargjet e “Jeruzalemit të Cliruar”.



Nga Ejona Boçi, gjimnazi "Dhaskal Todri", Elbasan

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,788 Lexime
4 vjet më parë