
"Ku janë kufijtë e moralit dhe ndjenjave njerëzore?" – Recension i romanit “Elias Portolu” nga nxënësja Amela Kaza
Eseja "Ku janë kufijtë e moralit dhe ndjenjave njerëzore?" është një recension nga nxënësja Amela Kaza, klasa IX-D, shkolla “Kushtrimi i Lirisë”, Durrës, për romanin "Elias Portolu" të Grazia Deledda, botuar nga ALBAS. Amela reflekton mbi dilemat morale dhe pasionet që përshkruhen me mjeshtëri në këtë vepër.
Ese nga nxënësja Amela Kaza, klasa: IX-D, shkolla “Kushtrimi i lirisë”, Durrës

“Elias Portolu” është një nga romanet që më ka lënë me të vërtetë të mahnitur në plot kuptimin e fjalës. E jo më kot është një nga romanet më të suksesshme të autores italiane Grazia Deledda, fituese e Çmimit Nobel për Letërsi. Përmes këtij romani, Deledda sjell me pesimizëm portretin e ashpër të konfliktit të brendshëm shpirtëror që shoqëron njerëzit në udhëtimin e tyre të gjatë dhe të traditave shoqërore të Sardenjës së saj të dashur, duke krijuar një histori prekëse që mbetet aktuale edhe sot.
Romani ndjek historinë e Elias Portolut, një i ri sard i cili kthehet në vendlindje pas një periudhe të gjatë burgimi. Për të, nuk ishte e thënë të bënte më pas një jetë të ndershme dhe pa mëkate, sepse ai përballet me një vorbull ndjenjash që trazojnë shpirtin dhe mendjen e tij: ndjenjat e një dashurie dhe pasioni të gabuar epshndjellës. Pikërisht këtu fillon konflikti i tij brendshëm. Tundimi dhe dashuria ndaj Madalenës, vajzës që do, bie ndesh me detyrat e tij morale e fetare, si një i krishterë i devotshëm që ishte.
Për mua, pjesa më emocionuese dhe njëkohësisht më e dhimbshme e librit ishte martesa e Madalenës me të vëllanë e Eliasit, Pietron. Eliasi, në këto pështjellime ndjenjash e pasionesh, zbulon se edhe Madalena është e dashuruar me të.
Si e përballon Eliasi këtë trazim të brendshëm? Çfarë vendimesh merr ai për të ardhmen?
Këto vendime janë të gdhendura me një pesimizëm të fortë në brendi, por të pikturuara mjaft mirë nga jashtë, megjithëse ngjyra e tyre zbehet dhe bie me kalimin e kohës. Eliasi, për të shpëtuar shpirtin e tij dhe për t’u futur në rrugën e drejtë, finalizon vendimin. Përsëri, në këtë rrugë, atij i ndodhin disa të papritura, të cilat do ta lëkundin vendosmërinë e tij.
Unë mendoj se ky roman është një udhëtim emocional që secili prej nesh duhet ta ndiejë thellë, sepse trajton dilemat morale dhe ndjenjat njerëzore që janë të përjetshme. Lexuesit që kërkojnë një histori të fuqishme dhe reflektuese, do ta gjejnë “Elias Portolu” si një vepër që lë gjurmë.
Në këtë roman pa dyshim e gjejnë veten të gjithë njerëzit, sepse në fund të fundit, ky është qëllimi i autores: të na bëjë të reflektojmë mbi kufijtë e moralit dhe ndjenjave njerëzore. Këtë ajo e arrin në mënyrë të shkëlqyer nëpërmjet stilit të saj të veçantë të të rrëfyerit dhe të të përshkruarit, si dhe me anë të thellësisë psikologjike të personazheve të saj.
A do ta gjejë Eliasi paqen e tij të brendshme midis dashurisë dhe detyrimit?
Lexoni librin për të marrë përgjigjen.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër falenderimi për mësuesen time
“Mësuesit e mi”, poezi nga nxënësi Antonio Shyti
“Shkolla ime”, ese nga nxënësja Besarta Bracaj