“Komedi në errësirë”, premierë më 26 maj
“Komedi në errësirë”, është një prej komedive më të suksesshme të Brodway-t. Teknikisht e vështirë sepse aktorët janë gjithë kohës në skenë. Një komedi karakteresh dhe situatash ku çdo gjë ndodh në errësirë...
“Komedi në errësirë”, vepra që mban emrin e autorit Peter Shaffer vjen premierë për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" me datën 26 maj ora 20:00. Regjisorja Najada Elmazi ka zgjedhur këtë herë një komedi për skenën e teatrit. Rolet në shfaqje, regjisorja ia ka besuar emrave të njohur të teatrit si: Gentian Zenelaj, Laura Nezha, Marjana Kondi, Mehmet Xhelili, Laert Vasili, Eglantina Cenomeri, Gerald Sejdini dhe Karafil Shena.
Janë tetë aktorë në vepër, ndërsa ngjarjet zhvendosen në vitin 1960 në Londër. Është një prej komedive më të suksesshme të Brodway-t. Teknikisht e vështirë sepse aktorët janë gjithë kohës në skenë. Një komedi karakteresh dhe situatash ku çdo gjë ndodh në errësirë.
Kostumografe në vepër është Realda Malo, skenograf Beqo Nanaj dhe as. regjisore Elvana Elmazi.
Shfaqja fillon në errësirë të plotë. Brindslei Miler, një skulptor i ri, dhe e fejuara e tij debutuese, Carol Melkett, kanë vjedhur disa antikuarë shumë të shtrenjtë tek fqinji Harold Gorinxh, i cili është larguar për fundjavë, për të zbukuruar banesën e tij të varfër, në mënyrë që t’i bëjë përshtypje të atit të Karolës dhe një blerësi të mundshëm, pasaniku i quajtur Xhorxh Bamberger. Para se të ftuarit mbërrijnë, një fitil në bodrum bën qark të shkurtër duke shkaktuar errësirë. Skena ndriçohet në çast. Të gjithë personazhet ndodhen në errësirë të plotë. Situatat e keqkuptimeve ndërlikohen gjatë spostimit të mobiljeve kur ato duhet t’i kthehen përsëri fqinjit Harrold Gorinxh i Cili kthehet papritur. Dehja e zonjushës Furnival e cila jepet pas alkoolit e intensifikon komedinë. Hyrja e ish të dashurës Kleas, elektricistit dhe multimilionerit Bamberger e çojnë në një dimension tjetër komedinë...
Por se çfarë do të ndodhë më tej në këtë shfaqje, publiku do të mund ta shikojë në skenën e TKES me interpretimin e tetë aktorëve të njohur.
“Black Comedy” u nominua për pesë Tony Aëards: shfaqja më e mirë; aktori më i mirë (Donald Madden); aktori më i mirë ndihmës (Camila Ashland); regjisori më i mirë (John Dexter) dhe realizmi skenik më i mirë (Alan Tagg). Jordan Christopher, zëvendësuesi i Michael Crawford, fitoi Theatre World Award (çmimi Botëror i Teatrit) për portretizimin e Brindsleit. Në 1970, vëllai binjak i Shaferit, Antoni Shafer, e përshtati Black Comedy për ekran, por filmi nuk u realizua.
* Shënim: Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” njofton se data e shfaqjes ka ndryshuar nga 25 maj në datë 26 maj ora 20:00. Premiera shtyhet për arsye teknike. Për të gjitha rezervimet e bëra për datën 25 maj lutemi të kontaktoni në numrin 069 57 17 746.
(Portali Shkollor)
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Për herë të parë një Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe, Manastirliu: Bashkë për të mbrojtur dhe forcuar trashëgiminë tonë gjuhësore
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani