Kohë për heshtje me dashuri
Naun Shundi ka ditëlindjen sot, por urimi më i bukur, dedikimi i mbushur plot me dashuri i vjen nga vajza e tij, Rea. Marrëdhënia babë-bijë është më e fortë se gjithçka!
Babi im sot mbush 59 vjeç.
Megjithatë, unë kam vetëm 19 vjet që e njoh. 19 vjet me radhë unë e kam patur shembullin tim parësor, me dhe pa vetëdijen time. Jam përpjekur ta njoh, të kuptoja se si ishte pa mbërritur unë. Por dhe pa qenë nevoja të shkoja aq thellë, fare mirë shikoja veten.
Një nga kënaqësitë e mia më të mëdha ka qënë kur uleshim të dy bashkë, jo domosdo të kuvendonim, por thjesht, të ishim.
Ndodhi e aktivitete të ndryshme vinin e na merrnin kohë e energji, natyrshëm, dhe duke mos dashur të ngarkonim dhe njëri-tjetrin, i mbyllnin në vetvete për të vazhduar përpara. Mirëpo vinte një moment që heshtja, padashur e tepruar, fillonte të kthehej në armik. E unë po në heshtje, ngrija e rrëzoja pyetje e përfundime, se çfarë jetonte e mëvetësuar dhe e ndarë nga unë, në mendjen e tij.
Më pëlqente të shkonim në shfaqje bashkë. Sigurisht, më pëlqente teatri dhe ajo që do të shihnim, por kënaqësinë më të madhe e merrja disa orë para saj. Rreth 5 e gjysmës fillonim të bëheshim gati, dhe mbas një ore dilnim për të kapur autobuzin. Të gjitha veprimet e kryera në mëvetësi e heshtje, por kur uleshim bashkë në autobuz, gjërat dalëngadalë fillonin e merrnin kuptim. Shihja njerëzit e tjerë të bënin të tyren, i dëgjoja duke folur për çështjet e rrethit të tyre, dhe pastaj ktheja kokën e shihja babin tim: ishim të dy, në fund të fundit, njësoj. Mbase atij nuk i shkonte e njëjta gjë në mendje, por as nuk mund ta dija me siguri, edhe po ta pyesja. Kur qëndronim ashtu, në qetësi, ndjehesha gjithmonë se kuptoheshim, më në fund, për të gjitha. Dhe se paçka roleve tona të ndara, në mbeteshim të njëri – tjetrit. Kështu që heshtjes ia hiqja emërtimin e keq, pasi ajo filloi të bëhej, shpesh e më shumë, aleat.
Por 59 vjetë janë një kohë kaq e gjatë. Kaq e gjatë, saqë sado që e pyes të më tregojë, duket se rrënjët e atyre që ai di nuk mbarojnë kurrë. Ato kthehen mbrapsht e lëshojnë filiza të rinj. Gjërat që ai m’i thoshte për t’i mësuar më parë, tani më duket se i kam përpirë të tëra. Dhe më duket, se askush nuk do të mundet, (nuk do të ketë as të drejtën, as privilegjin) ta kuptojë atë, ashtu siç mundem vetëm unë. Kjo jo thjesht për faktin e maturisë e inteligjencës, por për llojin e punës e durimit që kërkohet, dhe për një mendësi të atillë, që me sa shoh është e rrallë.
Sigurisht që krenohem për atë që babi im ka arritur deri tani, por e drejta e vërtetë i takon vetëm atij. Unë mundem vetëm të jem e lumtur, për të mos thënë e privilegjuar, të jem vajza e tij.
Do të doja që babi im të jetonte aq gjatë, saqë unë të arrija t’ia shpërbleja, atij dhe fatit, bekimin me të. Por aq kohë sa do të duhej, s’do të mund të jetonte askush fizikisht.
Megjithatë, më shumë do të shpresoja që të jetonte mirë.
Dhe shpresën nuk e mbaj më as te bota, as te njerëzit e tjerë. Shpresën e mbaj te unë, të paktën, që me aq sa kam në dorë, të arrij t’i jap pasqyrimin më të denjë. Sepse unë nuk flas vetëm për përgjegjësinë time ndaj gjithë punës e durimit të tij, ndaj meje dhe familjes.
Unë flas për dashurinë.
Të dua shumë, babi.
(Rea Shundi, Portali Shkollor)
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Poezi nga mësuesja Vera Ujka