Këto njëzet pyetje ndihmojnë secilin prej jush të bëhet punonjës bibliotekash
Interesimi i atyre që duan të punojnë në bibliotekë, pavarësisht llojit, gjithnjë e më shumë vazhdon të ketë rritje. Për të dalë i pari nga kjo garë, Mentor Hajrizi, njohës i veprimtarive hulumtuese, hulumtoi dhe përgatiti njëzet pyetje e përgjigje për ju.
Interesimi i atyre që duan të punojnë në bibliotekë, pavarësisht llojit, gjithnjë e më shumë vazhdon të ketë rritje. Dëshira për të qenë më pranë librit dhe në kohë me librin është pikërisht ajo që shtynë ata t’ia nisin garës. Për të dalë i pari nga kjo garë, sigurisht se Mentor Hajrizi, njohës i veprimtarive hulumtuese, hulumtoi dhe përgatiti njëzet pyetje e përgjigje për ju. Po i lexuat me vëmendje, ju do të bëheni rivali kryesor dhe për një të dytë as që do të bëhet fjalë.
1. Ç’përfshin veprimtaria e bibliotekave (sipas ligjit për bibliotekat)?
– Veprimtaria e bibliotekave përfshin: 1. Mbledhjen, pasurimin, përpunimin, ofrimin në përdorim, sistemimin, ruajtjen, arkivimin, mbrojtjen dhe krijimin e informacionit për koleksionet bibliotekare të formateve dhe llojeve të ndryshme; 2. Digjitalizimin e koleksioneve bibliotekare; 3. Shërbimet bibliotekare që iu ofrohen përdoruesve; 4. Organizimin e aktiviteteve kulturore, shkencore dhe aktiviteteve të tjera.
2. Cilat janë llojet e bibliotekave sipas themeluesit?
– Llojet e bibliotekave sipas themeluesit janë: bibliotekat publike dhe bibliotekat private.
3. Si klasifikohen apo cilat janë llojet e bibliotekave publike sipas funksionit, veprimtarisë dhe varësisë së tyre?
– Bibliotekat publike klasifikohen në këto lloje: 1. Biblioteka Kombëtare e Kosovës; 2. Biblioteka komunale; 3. Biblioteka universitare; 4. Biblioteka shkollore; 5. Bibliotekat e veçanta.
4. Si klasifikohen apo cilat janë llojet e bibliotekave private sipas funksionit dhe veprimtarisë së tyre?
– Bibliotekat private klasifikohen në këto lloje: 1. Biblioteka universitare; 2. Biblioteka shkollore; 3. Biblioteka të veçanta; 4. Biblioteka private për shfrytëzim publik.
5. Cili institucion bibliotekar themelon arkivin digjital të bibliotekës për publikime në rrjet?
– Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
6. Me vendim të kujt themelohet Biblioteka komunale?
– Me vendim të Kuvendit të Komunës (KK).
7. Në kuadër të cilit Universitet funksionon Biblioteka Qendrore e Universitetit të Prishtinës?
– Në kuadër të Universitetit të Prishtinës.
8. Si formohen koleksionet e bibliotekës shkollore?
– Koleksionet e bibliotekës shkollore formohen në përputhje me planet dhe me programet mësimore të shkollave dhe të nevojave të mësimdhënësve.
9. Çfarë bëjnë Bibliotekat e veçanta?
– Bibliotekat e veçanta mbledhin, përpunojnë dhe japin në përdorim materiale bibliotekare dhe informacione sipas kërkesave e nevojave të përdoruesve.
10. Ç’është biblioteka?
– Biblioteka është institucion kulturor, arsimor dhe informues. Ky institucion mbledh, ruan, përpunon dhe vë në dispozicion të përdoruesve koleksionet e veta, ofron qasje të lira në informacione në cilat do forma që janë depozituar.
11. Si quhet punonjësi a punonjësja i/e një biblioteke?
– Quhet bibliotekar ose bibliotekare.
12. Cilat janë detyrat dhe përgjegjësitë e bibliotekarit në bibliotekë?
– Detyrat dhe përgjegjësitë e bibliotekarit janë:
- Është person përgjegjës për pasurimin e bibliotekës me tituj të mjaftueshëm dhe planifikon shfrytëzimin e fondit të librave nga nxënësit;
- Të punojë me arsimtarët në motivimin e nxënësve për të lexuar në mënyrë të përhershme;
- Të hartojë strategjitë dhe programet për të motivuar nxënësit e dobët ose ngurrues që të lexojnë;
- Të përgatitë planin mujor dhe vjetor të punës;
- Të kryejë edhe detyra të tjera, të caktuara nga drejtori i shkollës.
13. Nga kush përbëhet struktura e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Universitare?
– Struktura e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Qendrore Universitare përbëhet prej:
- Këshillit Drejtues dhe
- Drejtorit.
14. Ç’është koleksioni bibliotekar?
– Koleksioni bibliotekar është tërësia e materialeve të regjistruara, të përpunuara dhe të depozituara.
15. Ç’përfshin materiali bibliotekar?
– Materiali bibliotekar përfshin botimet e veprave dhe të materialeve të shtypura e grafike, siç janë: inkunabulat, librat e rinj, të vjetër, raritetet, dorëshkrimet, broshurat, revistat, gazetat, publikimet zyrtare, riprodhimet e veprave të artit vizual, riprodhimet e veprave hartografike, riprodhimet e planeve urbanistike, veprat muzikore, materialet e reprografuara, pllakatet, afishet, fotodokumentet, fonodokumentet, regjistrimet pamore e filmike, veprat të tjera të reprodukuara me anë të shtypit ose në një mënyrë tjetër, si dhe materialet e reja që nënkuptojnë doktoraturat dhe magjistraturat, fotokopjet dhe materialet e memorizuara në formë të shtypur, elektronike dhe të tjera.
16. Ç’përfshin materiali bibliotekar burimor?
– Materiali bibliotekar burimor përfshin dorëshkrimin, materialin e shtypur ose të krijuar në ndonjë formë tjetër, që ka vlerë dokumentare për kulturën, artin dhe shkencën siç janë raritetet, materiali i vjetër, kopja e arkivuar e botimit.
17. Si quhet personi të cilit biblioteka i ofron informacionin dhe i jep në përdorim materialin bibliotekar?
– Quhet përdorues.
18. Ç’përfshin shërbimi bibliotekar?
– Shërbimi bibliotekar përfshin dhënien e librave dhe materialeve tjera për shërbim në bibliotekë, shërbimet informuese përmes katalogëve manualë dhe elektronikë, shërbimet orientuese dhe referuese për gjetjen e informacionit, shërbimet për të ndihmuar përdoruesin në përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
19. Sa ekzemplarë të çdo botimi i dërgohen Bibliotekës Kombëtare të Kosovës?
– Çdo person ose subjekt që nxjerr botime në Kosovë, të cilat i dedikohen përdorimit publik, obligohet që pesë (5) ekzemplarë të çdo botimi t’ia dërgojë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e botimit.
20. Ç’është ISBN-ja, ISMN-ja, ISSN-ja, CIP-i?
ISBN - numri standard ndërkombëtar i librit;
SMN - numri standard ndërkombëtar i muzikës;
ISSN - numri standard ndërkombëtar i botimeve serike;
CIP - katalogimi i librit në botim.
Nga: MA. Mentor HAJRIZI, Republika e Kosovës
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sot, ditëlindja e Bajram Karabollit, mjeshtrit që risolli “Don Kishotin” në shqip
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
“Litar të kambanës” nga Myrto Hysaj