KRIJIM

Ju prezantoj me kafshën time të preferuar

Sabina Cekaj, nxënëse e shkollës “Adem Haxhija”, Postribë, rrëfen përmes këtij shkrimi marrëdhënien e veçantë që ajo ka me qenin e saj. Sa i rëndësishëm është për fëmijët kujdesi ndaj një kafshe shtëpiake? A i bën ata më të përgjegjshëm?

Qeni im quhet Heidi. Ka ngjyrë të bardhë dhe kafe, me sy të mëdhenj, ngjyrë të zezë. Është natyrë e shkathët, shumë i dashur dhe besnik. Edhe pak ditë mbush tre muajsh. Unë e dua shumë qenin dhe kujdesem shumë për të. 


Që momentin e parë që e takova e ndjeva brenda meje se ai do të bëhej i imi. E gjeta në rrugë të pambrojtur, të uritur dhe mjaft të pikëlluar. Vendosa ta marr, pa marrë parasysh vendimin e prindërve të mi. Kjo ishte sakrifica më e bukur që bëra. Shkova në shtëpi dhe u përpoqa që t’i mbushja mendjen prindërve të mi. Në fillim asnjëri prej tyre nuk ishte dakord, por pas shumë përpjekjesh arrita t’i bindja.


Heidin filluan pak nga pak ta pëlqenin të gjithë. Ai më në fund ishte i lumtur, i ushqyer dhe i pastër. Të gjithë filluan të kujdeseshin për të, madje edhe vetë prindërit që në fillim nuk ishin dakord. Momenti i preferuari i Heidit është shëtitja e pasditeve, për të cilën ai është shumë entuziast dhe mezi e pret.


Ai gjithashtu mezi pret që ne të luajmë me të dhe ta përkëdhelim. Tashmë të gjithë pjestarët e familjes janë lidhur me Heidin dhe të gjithë kalojmë kohë me të. Heidi ka një të veçantë: Ai na lumturon në momentet kur ne nuk jemi në humor. Qeni është kafsha më besnike edhe Heidi e ka vërtetuar plotësisht këtë gjë.


Me pak fjalë ne jemi të lumtur që Heidi tashmë është pjesë e përditshmërisë dhe rutinës sonë. Unë do të rekomandoja mbajtjen e një kafshe shtëpikae, sepse përmes Heidit unë kam kuptuar se çdo të thotë të kujdesesh për një kafshë dhe si të dhurosh dashuri pa kushte. 



Shkroi nxënësja Sabina Cekaj


Publikim Parajsa Shtini

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,794 Lexime
3 vjet më parë