
“Jeta ime, dashuria dhe gjithçka tjetër” – Nxënësja Steisi Lilo reflekton mbi librin e botuar nga Albas
Steisi Lilo, nxënëse e klasës IX D, reflekton mbi librin “Jeta ime, dashuria dhe gjithçka tjetër”, botuar nga Albas. Përmes historisë së Konit, një vajze 15-vjeçare që kërkon pjekurinë, ajo kupton se adoleshenca është një rrugëtim plot sfida, emocione dhe mësime që ndihmojnë në formimin e vetvetes...
Nga Steisi Lilo, klasa IX D, shkolla “Kushtrimi i lirisë”
Të gjitha ne vajzat duam që të dukemi dhe të ndihemi më të mëdha, si në moshë ashtu edhe në pamjen e jashtme. Gjithmonë duam të rritemi më shumë dhe të bëjmë gjëra të cilat nuk i kemi bërë më parë. Të argëtohemi, të dalim me shoqërinë, të shkojmë në festa të ndryshme, por të bëjmë edhe ato gabimet e moshës. Na pëlqen pavarësia që kanë të rriturit, gjërat që ata bëjnë, liria që ata kanë, diçka të cilën ne nuk e kemi dhe e kërkojmë gjithmonë me ngulm.
Libri “Jeta ime, dashuria dhe gjithçka tjetër” është një libër, i cili jo vetëm që të mbërthen pas tij, por edhe një libër mbi faktin se të gjithë adoleshentët si vajzat ashtu edhe djemtë, kërkojnë të duken më të rritur, por pa ditur se jeta e një të rrituri është një jetë krejtësisht ndryshe.
Koni është një vajzë, si shumë vajza të tjera që mezi presin t’i shtojnë një numër moshës së tyre dhe të ndiejnë ndryshimin që ato pësojnë kur rriten edhe një vit. Koni sapo mbushi pesëmbëdhjetë vjeçe, dhe mundohet të gjejë ndryshimin.
Ajo ndiente se të jesh një vajzë pesëmbëdhjetë vjeçe ishte diçka e bukur dhe kjo ishte më e rëndësishmja për të. Dihet se me rritjen në moshë, fillojnë edhe pëlqimet kundrejt gjinisë së kundërt, një gjë kjo, e cila e kishte prekur Konin bashkë me të dashurin e saj Filipin. Të dy kishin një marrëdhënie shumë të bukur dashurore prej adoleshenti, një marrëdhënie të cilën çdo adoleshent do të donte të kishte.
Duke qenë se ne rritemi çdo ditë, mendimet, ndjenjat e perceptimet tona ndryshojnë teksa ne rritemi.
Por jo. Tek Koni dhe Filipi kjo gjë nuk ka ndikuar aspak.
Kur e do shumë dikë, dëshiron që ai person të jetë përgjithmonë me ty, të jetë pranë teje, në çdo ditë të lumtur të jetës sate, por edhe nga ato ditët e këqija, me vështirësi dhe probleme. Ai person mund të të bëjë të ndihesh më mirë. Kështu ishte dhe Filipi për Konin.
Kur lëndohesh nga personi që do më shumë, dhimbja, mërzia, urrejtja të dhembin më shumë se çdo gjë tjetër sepse nëse e do dikë shumë, nuk mund ta urresh atë. E njëjta gjë ndodhi dhe me Konin, ajo u mërzit shumë, ishte e nevrikosur dhe gati-gati... a do ta urrente djalin që ajo donte më shumë? Do të vazhdonte jetën edhe pa të?
Kjo do të thotë se edhe në momentet më të vështira që ne gjendemi, gjithmonë ka një fije shprese. Gjithmonë është një dritë në fund të tunelit. Të bëhemi të fortë. Është pikërisht kjo fjalë, e cila mua më pëlqen më shumë. Dhe ky libër e përcjell më së miri këtë mesazh.
Momenti më i bukur i librit për mua, momenti që unë mezi e prisja ishte kur Koni të kuptonte ndryshimin e një vajze të rritur. Por a e gjeti ajo këtë ndryshim?
Përgjigja është PO. Ajo e gjeti këtë ndryshim. Për Konin të jesh një pesëmbëdhjetë vjeçare është në njëfarë mënyre më bukur. Edhe pse nuk është më aq e lehtë, pa probleme, pengesa si më parë, por është një jetë shumëngjyrëshe, intensive, energjike. Mendoj se ky është ndryshimi kur rritesh. E shikon botën dhe njerëzit që të rrethojnë në një aspekt tjetër.
Për mua ky libër është një libër i veçantë dhe shumë kuptimplotë.
Jeta e një adoleshenti nuk është e thjeshtë. Ka problemet, pengesat, por ka dhe gjëra të bukura, ndjenja të bukura dhe krijon një shoqëri të bukur e të mirë.
Ky libër më pëlqeu jo vetëm për faktin që tregonte jetën aq bukur të një vajze, por edhe se sa e ngjashme isha unë me Konin. Edhe unë si Koni, kërkoja ndryshimin e të qenurit e rritur.
Falë leximit të këtij libri, unë e gjeta atë. E gjeta atë që kisha kohë që e kërkoja.
Ky libër më bëri që të kuptoja se çdo pjesë e jetës, përfshirë momentet e vështira, janë pjesë e një rruge më të madhe që çon drejt një kuptimi më të thellë të vetes dhe botës që na rrethon.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Shkolla ime”, ese nga nxënësja Besarta Bracaj
Ta duam dhe të mbrojmë tokën
I dashur ditar, po të rrëfej ngjarjen më të rëndësishme të kohëve të fundit…