Ismail Kadare fiton "Nobelin Amerikan" të letërsisë
Ismail Kadare nderohet me çmimin letrar "Neustadt", një çmim mjaft prestigjoz dhe i rëndësishëm. I nominiuar me romanet "Prilli i thyer" dhe "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", ai u bë fitues i "Nobelit Amerikan"
Ismail Kadare triumfon me një çmim mjaft prestigjoz dhe të rëndësishëm. Çmimi letrar "Neustadt" e ngre shkrimtarin shqiptar në një tjetër lartësi. Kadare ishte përzgjedhur si një prej nëntë shkrimtarëve finalistë, të cilët konkuronin për këtë çmim. Ai u nominua me romanet "Prilli i thyer" dhe "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".
Prilli i thyer është një nga romanet më të shquara të shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare. I publikuar së pari në vitin 1980 në përmbledhjen "Gjakftohtësia", ky libër që për temë ka besën, gjakmarrjen dhe kanunin në krahinat malore të Shqipërisë Veriore, është përkthyer dhe botuar në dhjetëra gjuhë dhe është filmuar disa herë. Personazhi kryesor, Gjorgu, detyrohet të hakmerret për shkak se këtë e kërkon Kanuni që është përdorur me shekuj në vendin ku ai jeton.
Gjenerali i ushtrisë së vdekur është botuar së pari më 1963 në Tiranë. Vepra nisi si një tregim të cilin e botoi më 1962 dhe më pas u përpunua dhe u botua si roman vitin pasues po në Tiranë. Vepra u përkthye në gjuhë të tjera dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare. U çmua nga gazeta pariziene Le Monde si një ndër 100 librat e shekullit XX.
Çmimi “Neustadt” është i pari çmim ndërkombëtar për letërsinë i kësaj kategorie, që e ka origjinën në Shtetet e Bashkuara dhe është një nga të paktët çmime ndërkombëtare, për të cilat kanë të drejtë të konkurrojnë njëkohësisht poetë, romancierë, skenaristë dhe dramaturgë. Kjo ishte radha e shkrimtarit tonë të shquar, i cili përmes dy veprave të rëndësishme lë gjurmë jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në atë botërore.
Nëntë finalistët ishin:
1- Romancieri dhe eseisti shqiptar Ismail Kadare
2- Romancieri francez Emmanuel Carrère
3- Poeti amerikan Jorie Graham
4- Romancierja dhe dramaturgia filipinase Jessica Hagedorn
5- Romancieri guatemalas Eduardo Halfón
6- Romancieri palestinian Sahar Khalifeh
7- Poeti maroken Abdellatif Laabi
8- Poet dhe romancieri kanadez Lee Maracle
9- Poeti vietnamezo/amerikani Hoa Nguyen
(Përgatiti P.Shtini; Portali Shkollor)
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
“Bedri Dedja, gjithmonë për brezat e së ardhmes” – Aktiviteti në nderim të autorit dhe krijimtarisë së tij për fëmijë
Xhamia e Et’hem Beut