Iriana Papamihali: Lidhja e artit pamor me jetën
Duke qenë artiste dhe mësuese e artit pamor, kam hasur mendësi të vjetra në gjykimin e këtij profesioni. Shpeshherë kam ndjerë një boshllëk brenda vetes se si aq përciptas ose me mospërfillje shihet kjo lëndë në shoqërinë tonë. Madje jam ndjerë edhe në siklet kur e etiketojnë lëndën me termin “Vizatim”.
Qëllimi im si mësimdhënëse, është që të promovoj vlerat e vërteta artistike. Këto janë vlerat shpirtërore që e lartësojnë njeriun dhe e pasurojnë jetën e tij.
Art nuk do të thotë vetëm të kesh një kavalet, një telajo dhe të pikturosh, ose të kesh një copë dru dhe ta gdhendësh. Arti në ditët tona ka marrë një kuptim më të gjerë. Fjala artist përfshin një spektër të gjerë profesionesh. Kjo do të thotë që të njohësh artin e vërtetë të përmirëson cilësinë e jetës. Nëse do t’i jepej rëndësia e duhur lëndës së artit pamor nga vetë mësuesit që e japin këtë lëndë, atëherë nxënësit do të ishin më kompetentë në përgatitjen e detyrave dhe projekteve, paraqitjen estetike dhe prezantimin e tyre. Ana artistike dhe estetike fillon që nga mënyra se si ne prezantojmë veten dhe punën tonë.
Nxënësit duhet të kuptojnë se, nëse janë duke bërë një pikturë, duke formësuar një skulpturë, duke kënduar një këngë, duke kërcyer, duke recituar një poezi, janë duke bërë art. Arti merr forma të ndryshme.
Lidhja e artit me fushat e tjera
Në historinë e artit botëror, arti, skulptura, arkitektura, muzika, dhe letërsia kanë ecur paralelisht duke plotësuar njëra-tjetrën. Arti ka lidhje edhe me fushat e tjera të jetës, me matematikën, me fizikën, biologjinë, historinë, etj., pra shkencat japin e marrin nga njëra-tjetra.
Unë do ta përshkruaja procesin mësimor si trungun e një peme, ku degëzimet e para janë fushat e ndryshme dhe degëzimet më të holla lëndët mësimore. Kurora me gjethet janë njohuritë e reja të bëra bashkë dhe që çdo vit përtërihen.
Në lëndën e artit pamor lidhja me fushën e gjuhës dhe komunikimit është e përditshme, sepse ne komunikojmë verbalisht dhe shkruajmë, vlerësojmë dhe analizojmë vepra arti. Me fushën e matematikës arti lidhet shumë me pikat, vijat, format dy dhe tripërmasore, vëllimin, perspektivën e cila bazohet mbi gjeometrinë, planet dhe proporcionet. Me fizikën ka lidhje kur bëhet fjalë për teorinë e ngjyrave, e cila zanafillën e ka nga eksperimenti i Njutonit me prizmin, mënyra si ne shohim dhe perceptojmë botën përreth, ngjyrat etj. Me biologjinë ka lidhje kur studiohen elementet e artit te bota bimore dhe shtazore në tokë dhe në det, stinët,etj. Kështu vazhdon lidhja e artit me muzikën, pasi shumë piktorë janë frymëzuar nga muzika dhe anasjelltas, me edukimin fizik ka lidhje me ritmin dhe lëvizjen, me trashëgiminë kulturore, me qytetarinë kur vizitojmë një muze, galeri, apo organizojmë një konkurs etj.
Lënda e artit pamor nuk duhet të shihet aspak e ndarë nga lëndët e tjera.
Në procesin mësimor është e rëndësishme të bëhet e prekshme nga nxënësi lidhja mes shkencave. Projektet ndërlëndore janë shembull shumë i mirë i lidhjes mes shkencave të ndryshme. Madje për nxënësit këto projekte janë lehtësim, sepse me një projekt vlerësohen në disa lëndë, ndërsa mësuesit kanë më shumë bashkëpunim dhe komunikim me njëri-tjetrin.
Lidhja e artit me natyrën
Të gjitha elementet dhe parimet e artit që u përmendën më lart janë të pranishme në natyrë kudo, mjafton të bëni lidhjen mes artit dhe jetës së përditshme dhe do të gjeni përgjigjen e pyetjeve tuaja. Natyra është aq perfekte në të gjitha elementet që e përbëjnë atë, që nga gjallesat më të vogla e deri te qenia më e përkryer, njeriu.
Po marrim një element nga arti pamor, ritmin. Ritmin e kemi në natyrë te pikat e shiut, te dallgët e detit që përqafojnë bregun pa u lodhur, te rrahjet e zemrës, te cicërima e zogjve. Edhe kur vallëzojmë lëvizim sipas një ritmi të caktuar, kur luajmë me një instrument muzikor ruajmë ritmin, kur krijojmë poezi përdorim rimën. Gjatë ditës ne përpiqemi të ruajmë ritmin ditor duke bërë pothuaj të njëjtën rutinë. Vetë Toka ka një ritëm të vetin që e ndjek prej mijëra e mijëra vjetësh, rrotullimin e saj rreth vetes duke krijuar ditën dhe natën, rrotullimin e saj rreth diellit duke krijuar stinët e vitit.
Të njëjtën logjikë mund të ndiqni edhe për elementet dhe parimet e artit, për pikat, vijat, ngjyrat, format, etj. Vetëm në këtë mënyrë do të kuptojmë harmoninë që ekziston midis artit, natyrës dhe njeriut. Një harmoni e përkryer dhe e pandashme. Një harmoni e vjetër sa vetë njerëzimi.
Iriana Papamihali
Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Për herë të parë një Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe, Manastirliu: Bashkë për të mbrojtur dhe forcuar trashëgiminë tonë gjuhësore
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...