Intervistë

Ioana Vojanoviç, vajza me pasionin e madh për librat

Nëse ka një nxënëse që i pëlqen shumë të lexojë ajo është Ioana Vojanoviç. Ashtu siç është gjimnastika për trupin, ashtu është dhe procesi i të lexuarit për mendjen e 11-vjeçares, e cila ka lexuar aq shumë libra saqë mund të flas pafund për ta. Ju ftojmë të lexoni intervistën që ne kemi zhvilluar me të.

Gjatë një aktiviteti për rolin e librit dhe leximit në shkollën “Andon Xoxa” në Fier, u njohëm edhe me një nxënëse tejet të veçantë, e cila kishte lexuar aq shumë libra dhe i njihte aq mirë, sa mund të fliste pafund për ta. Ioana Vojanoviç, përveçse një lexuese e zjarrtë e librave artistikë për fëmijë të shtëpisë botuese “Albas”, shumë herë ishte nxitëse e nismave të bukura, si ajo e takimit me autorë shqiptarë për fëmijë në shkollën e saj. Por Ioana kishte edhe mjaft dhunti të tjera. Ajo i udhëzonte shokët e shoqe e saj për libra të ndryshëm që mund të lexonin, por kishte edhe prindër të ndryshëm që merrnin informacion nga Ioana, se çfarë librash mund t’u blinin fëmijëve të tyre. Ndaj ne zgjodhëm të bëjmë një intervistë të shkurtër me Ioanën, për të ndarë me ne pasionin e madh për librat dhe leximin. 



Ioana, nga mësuesja jote mësuam pasionin tënd të madh për librat. Si ka lindur te ti ky pasion i madh për librat?


Pasqyra më e mirë për ne fëmijët janë prindërit. Duke parë që ata më lexonin çdo natë kur isha e vogël, unë nisa të tregoj pasionin tim.



Mamaja jote na ka treguar se së bashku ju menaxhoni një faqe virtuale, ku herë pas here ti tregon kaq bukur për librat që ke lexuar dhe që të kanë pëlqyer. Madje realizon edhe foto dhe video mjaft interesante me ta. Cili është mesazhi yt që jep për të tjerët nëpërmjet kësaj faqeje virtuale? 


Faqen time, që titullohet “Këndi i engjëllit” e menaxhoj unë, por prindërit e mi më kontrollojnë herë pas here. Idetë për foto, video e përshkrime janë të miat, prindërit thjesht janë aty për të më ndihmuar. Mesazhi që mundohem të përcjellë gjithnjë te faqja ime është: "Të lexojmë sa më shume libra, kohën tonë të lirë ta kalojmë ndërmjet faqeve të librave dhe jo ta harxhojmë kohën tonë të shtrenjtë në internetit! Nëpërmjet librave e leximit udhëton në të gjithë botën...". 



Si mendon ti, a lexojnë fëmijët shqiptarë, nisur edhe nga bashkëmoshatarët e tu që të rrethojnë përditë? 


Unë mendoj që bashkëmoshatarët e mi nuk lexojnë aq sa duhet, duke e parë edhe nxënësit në klasën time. Besoj se kjo vjen, ngaqë prindërit nuk i edukojnë dhe nxitin që të lexojnë. Por u jep një telefon që të rrinë urtë në një cep të shtëpisë. Libri ka një fillim, një zhvillim dhe një fund, ku ne si fëmijë na lindin shumë pyetje. Por prindërit nuk kanë durim për t’u kthyer përgjigje pseve tona, ndaj na japin telefonin si përgjigje të tyre. Shumë herë ata, të lodhur edh nga punët e përditshme, nuk i nxitin fëmijët drejt librave duke iu lexuar diçka në mbrëmje.  



Përveç sugjerimeve që bën në faqen tënde për libra të ndryshëm, ti, Ioana, je bërë nxitëse edhe e një nisme tjetër të bukur: ftesa për takime me autorë shqiptarë në shkollën tënde “Andon Xoxa”. Mësuam se vjet me nisëm tënde shkolla kishte realizuar një takim  me një autore tjetër shqiptare dhe para pak ditësh në shkollën tënde ishte autorja për fëmijë, Sevi Agolli. A mendon se nxënësit dhe shkollat kanë nevojë për takime të tilla me autorë që kanë krijuar vepra për fëmijët dhe pse?


Vjet në klasë të 4-rt, me nismën time, por edhe me mbështetjen e mësues time Anila Sota, realizuam një takim me autoren Natasha Poroçani Shuteriqi dhe përkthyesin, botuesin dhe autorin Rigel Rizaj për librat. Ndërsa para pak ditësh e realizuam këtë nismë me autoren Sevi Agolli. 

Ioana me autoren Sevi Lami Agolli 

Mendoj se nxënësit dhe shkollat kanë nevojë për takime me autorë, pasi jo vetëm fëmijët zbaviten, por edhe mësojnë më shumë rreth autorëve shqiptarë. Ata marrin këshilla më të mira për të lexuar, por edhe një iniciativë për të lexuar.



Si lexuese e rregullt e botimeve “Albas”, për të cilat ke treguar me aq dashuri në faqen tënde, cilat libra do t’u sugjeroje ti bashkëmoshatarëve të tu për festat e fundvitit? 


Sigurisht mes botimeve Albas ka qenë i ndjeri xhaxhi Latif, por më pas e trashëgoi këtë mbështetje teta Rita, që e dua pafund. Unë e kam cilësuar që Familja ime e Dijes quhet Albas.

Titujt e librave që do të sugjeroja për festat e fundvitit janë:

1. Përrallat e Andersenit;

2. Përrallat e Vëllezërve Grim;

3. Klasikët;

4. Seria e Bëmat e Estes dhe Kokos;

5. Hajdutja e buzëqeshjeve;

6. Seria më quajnë;

7. Trëndafili i bardhë;

8. Alarmet e qytetit të Sdikushit.


Pavarësisht se kam pa fund libra të botimeve Albas, këta janë më të veçantët për mua. Do të isha shumë mirënjohëse nëse edhe ju do të bëheshit рјеsë e këndit tim në rrjete sociale “Këndi i engjëllit”. Asnjëri deri më sot nuk ka arritur ta mbylli erën e librave në një shishe. 

Intervistoi: Xhoana Jaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,103 Lexime
1 vit më parë