Intervistë

Intervistë me Kler Çaku, nxënësen shqiptare e cila u shpall Kampione e Europës në shah

Të gjithë ne e njohëm emrin e Kler Çaku fill pasi ajo fitoi kupen si Kampione e Europës në shah për vajzat deri në moshën 14 vjeç. Por pak dimë për profilin e saj, punën dhe përpjekjet që ka bërë për të arritur deri këtu. Ndaj më poshtë ju ftojmë të lexoni intervistën që Portali Shkollor ka realizuar me të.

Loja e shahut për të është si të marrësh frymë. Ajo është e lidhur aq shumë pas këtij sporti sa nuk mundet ta mendojë që të mos luaj shah. Për të ngritja e kupës së Europës, me në sfond himnin kombëtar, ka qenë emocioni më i fortë dhe i papërshkrueshëm. Kështu Kler Çaku, vetëm 13 vjeç, i ka dhënë kënaqësinë e vendit të parë, jo vetëm vetes, por dhe të gjithë sportit të katrorëve bardhezi në Shqipëri, e padyshim çdo shqiptari! E sapo kthyer nga Sllovenia, ku edhe u zhvillua kampionati, Çaku na ka rrëfyer nëpërmjet kësaj interviste jo vetëm ndjesitë e momentit, por gjithë rrugëtimin e saj me plotë pasion. 



Së pari, shumë urime Kler për këtë fitore historike. Edhe pse je vetëm 13-vjeçe ti në fakt numëron shumë trofe në sportin e shahut. Suksesi yt i fundit, për të cilin ke bërë krenar çdo shqiptar, është titulli Kampione e Europës në shah në disiplinën Rapid, për vajzat deri në 14 vjeç. Çfarë do të thotë për ty të mbash tashmë këtë titull dhe çfarë mund të na thuash për ndjesitë që po të shoqërojnë këto ditë? 


Faleminderit për urimin! Ky titull është shumë i rëndësishëm për mua dhe patjetër emocionet që e kanë shoqëruar kanë qenë shumë të bukura. Është një ëndërr e realizuar dhe një shpërblim i një pune të gjatë dhe të lodhshme. Marrja e këtij titulli më motivon për të punuar më shumë, për të ecur përpara me besimin se mund t’ia dal. Marrja e këtij titulli, gjithashtu më bën shumë krenare, pasi përfaqësova denjësisht vendin tim. Të ngresh kupën e kampiones së Europës dhe të dëgjosh himnin e vendit tënd në sfond, është një emocion shumë i fortë dhe i bukur, i papërshkrueshëm. 



Si ishte konkurrimi për ty në Slloveni, çfarë mund të thuash për këtë eksperiencë të fundit, për këtë kampionat? 

Marrja pjesë në këtë kampionat ishte e planifikuar prej disa muajsh dhe kam punuar shumë për këtë garë. Në renditjen fillestare nuk isha as në tre të parat, por shkova me idenë që mund të fitoj dhe pas çdo fitoreje i afrohesha titullit. Sa më afër fundit të kampionatit, aq më shumë rriteshin emocionet dhe frika se mos bëja ndonjë gabim. Ndeshjet ishin të gjitha të forta, por me besim dhe lojëra të mira arrita të dal e para. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur që nuk kam për ta harruar kurrë. 



Çfarë është për ty shahu, besojmë se mund ta kesh krijuar një përkufizim me veten? Në sulm apo në mbrojte, ku qëndron Kler? Ndërkohë cila është strategjia jote në shah kur përballë ke kundërshtar të fortë? 


Shahun unë nuk e shoh vetëm si një lojë me 64 kuadrate bardh e zi, por e shoh si një lojë ku rëndësia për mua është te planet dhe strategjitë, mënyra se si lëviz figura dhe si i krijoj planet. Në shah patjetër që më pëlqen të kaloj në sulm, por ndonjëherë është mirë të kalosh në mbrojtje. Por gjithmonë pas një mbrojtjeje të mirë, vjen një sulm i fortë. Të luaj shah për mua është si të marr frymë. Jam lidhur aq shumë pas këtij sporti sa nuk mund ta mendoj që të mos luaj.


Por si nisi ky rrugëtim në sportin e katrorëve bardhezi? Kur fillove të luash vërtetë shah, dhe cili qe momenti që t’i u lidhe shumë pas këtij sporti? 


Për herë të parë jam njohur me shahun duke parë gjyshin tim të ndjerë që luante dhe kam qenë shumë e vogël. Ka qenë gjyshi që më ka mësuar se si lëvizin figurat. Më pas, babi duke parë që unë e pëlqeja shahun, më instaloi një program shahu në tabletin tim dhe aty fillova të luaj përditë dhe madje fillova të mund edhe gjyshin. Me të vërtetë që shahun fillimisht unë e mësova me gjyshin kur isha e vogël, por kampionatin e parë e luajta në vitin 2018, në një kampionat shkollash në Shkodër dhe isha në klasën e dytë. Në këtë garë dola e para. Kjo fitore e imja ndodhi në një kohë kur familja ime sapo ishte vendosur për të jetuar në Tiranë. Kështu që unë fitova këtë kampionat dhe u transferova me shkollë në Tiranë. Babi im, me sugjerimin e trajnerit të shahut në Shkodër Benard Leka, më dërgoi tek profesori Kristaq Andoni.

 Aty unë fillova që të merrem më seriozisht me shahun. Fillova të lexoj literaturë dhe të luaj rregullisht. Kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të shahut ku kam fituar edhe çmime. Duke u rritur dhe duke u marrë më seriozisht me shahun, kam filluar edhe të marr rrezultate gjithmonë në rritje. Lidhja me këtë sport të mendjes ka ardhur krejt natyrshëm, gradualisht deri në momentin që është bërë e pazgjidhshme, pasi unë nuk e konceptoj dot që të mos luaj shah.



Cila është këshilla më e vlefshme që të ka dhënë gjyshi i ndjerë në kohën kur të mësonte këtë lojë? 


Një nga këshillat që e mbaj mend shumë mirë ishte përqëndrimi në lojë. Gjyshi ishte shumë i përqendruar dhe i durueshëm në lojë dhe lojërat e tij mund të zgjasnin me orë të tëra dhe këtë është munduar të më mësojë edhe mua. Atëherë isha shumë e vogël dhe nuk e kuptoja rëndësinë e këshillave të gjyshit, por tani e kuptoj që është shumë i vlefshëm përqendrimi në lojë, pasi kur përqëndrohesh, kupton më mirë pozicionin dhe është shumë më e lehtë të bësh një plan. 



Çfarë të ka motivuar shumë për të qenë këtu ku je sot? A ke studiuar shumë për këtë gjë apo mjafton talenti që t’i e gëzon? 


Në këtë sport shumë të bukur dhe të veçantë jam motivuar shumë nga shahistja Judit Polgar që është femra më e mirë për të gjithë kohërat në shah. Ëndrra ime është të arrij nivelin e saj. Mendoj se për të arritur qëllimin talenti patjetër që është një faktor shumë i rëndësishëm, por që nuk mjafton. Duhet shumë punë dhe shumë sakrifica, pasi pa to, nuk arrihet askund. Mund të realizosh gjëra të vogla, por pa punë nuk mund të arrish qëllime të mëdha. Unë kam punuar shumë, sidomos këtë vit, për të arritur rezultate të mira. Ka qenë shumë e lodhshme pasi unë jam në shkollë dhe mësimet më marrin shumë kohë, pjesën më të madhe të kohës. Por gjithsesi, kam gjetur kohë që çdo ditë t’i lë sadopak hapësirë studimit të literaturës në shah. Natyrisht që kjo nuk është e lehtë, por me vullnet arrihet çdo gjë. 



Çfarë mund ta ndihmoj tjetër së jashtmi një lojtare të mençur shahu për të dalë sa më mirë në çdo kompeticion? Fjala bie, të lexuarit e librave, por jo domosdo që flasin për shahun; një sport tjetër, një stil jetese i shëndetshëm, apo? 


Për një sportist, regjimi është shumë i rëndësishëm. Duhet një jetesë e shëndetshme, ushqim i mirë, gjumë i mjaftueshëm, shëtitje në natyrë. Këto janë shumë të rëndësishme gjithmonë, por janë të domosdoshme gjatë periudhës së garave. Sado i përgatitur të jesh, nëse nuk mban një regjim, nuk mund të marrësh rezultatet që dëshiron. Unë merrem edhe me not që më ndihmon shumë për të shkarkuar tensionin para garave. Preferoj të shkoj në pishinë dhe të notoj sadopak përpara çdo ndeshje të vështirë. Natyrisht që kjo nuk është gjithmonë e mundur, pasi është në varësi të vendit ku zhvillohet gara dhe të kushteve të motit. Gjithashtu, askush nuk mund të jetë i kompletuar nëse nuk lexon shumë libra dhe kjo vlen edhe për shahistët. Unë kam filluar të lexoj libra rregullisht prej shumë kohësh. Kam një bibliotekë shumë të pasur dhe për këtë kujdeset babi im që më blen vazhdimisht libra dhe unë i lexoj me shumë dëshirë, pasi më nxisin fantazinë dhe më pasurojnë nga ana gjuhësore.



Çfarë mendon kur je përballë dhe sheh të gjithë medaljet dhe kupat e fituara deri më tani? Çfarë i thotë Kler vetes? 


Të gjitha kupat dhe medaljet e mia kanë një vend të caktuar në një pjesë të bibliotekës në dhomën time dhe unë i kam gjatë gjithë kohës para syve. Më mbushin me shumë gëzim kur i shoh dhe gjithë këto arritje janë motivim për mua për të arritur edhe shumë rezultate të tjera. Madje gjithmonë para se të studioj shah, shoh gjithë kupat që kam dhe marr më shumë motivim për të vazhduar. 


Është normale që ke marrë shumë mesazhe këto ditë, apo jo! Por ne kemi shkëputur këtë pohim për mediet të presidentit të Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, i cili ka thënë: “Një sukses i jashtëzakonshëm për shahun dhe sportin shqiptar. Kleri është një super talente që e dinim prej kohësh dhe nuk është surprizë, por mungonin vetëm rezultate të tilla spektakolare. Është një vajzë super inteligjente, e talentuar dhe e rregull, ndërsa besoj falë punës së saj dhe ndihmës që do japim ne si federatë kam besimin se Kleri do arrijë në majën e shahut edhe për mosha të mëdha”. Cila është ambicia ose ëndrra jote e radhës Kler? 


Jam ndjerë shumë e lumtur këto ditë nga urimet e shumta që kam marrë nëpërmjet komenteve të njerëzve kur kanë ardhur në dijeni të rezultatit që kam marrë. Më ka lumturuar pa fund mesazhi që Presidenti i Federatës së Shahut Shqiptar ka dhënë për mua. Besimi i tij në forcat dhe vlerat e mija më motivon shumë, por më rrit edhe përgjegjësinë që të punoj edhe më shumë për arritjen e rezultateve të ardhshme. Pas pak kohësh zhvillohet kampionati botëror i shahut në Itali. Synimi im është të marrë një medalje. Në podium dalin 6 vendet e para dhe ai është synimi im i rradhës, të dal në podium. Edhe në këtë kampionat luaj me vajza një vit më të mëdhaja dhe gara është shumë më e fortë. 



Të urojmë ta realizohsh atëherë këtë synim. Po bashkëmoshatarët e tu a janë ndikuar për të luajtur si ti ose për të luajtur me ty? Çfarë të kanë thënë ata? 


Bashkëmoshatarët e mi, pjesa më e madhe nuk duken shumë të interesuar, pasi shahu është shumë pak i reklamuar dhe nuk e njohin shumë që t’ju ngjallë interes. Por unë mundohem që t’i nxis për të luajtur, pasi edhe nëse nuk bëhesh profesionist, shahu të sjell shumë përfitime intelektuale, të ndihmon në përqendrim, të kalit durimin, si dhe të bën më të zgjuar. Jam e kënaqur që ka bashkëmoshatarë që luajnë shah vetëm ngaqë më kanë parë mua duke luajtur. Më kanë pyetur edhe për këshilla së si të luajnë më mirë.

 


Po familja çfarë mendon për të gjitha arritjet e deri tanishme? A i mund edhe ata në shah? 


Familja ime ka qenë suporti më i madh për mua që kur kam nisur rrugëtimin e shahut. Të gjithë janë shumë të lumtur për rezultatet e mija dhe ndjehen shumë krenarë për këtë. Kanë marrë urime të shumta për rezultatin tim të fundit dhe kjo i ka lumtuar pa fund. Secili prej pjesëtarëve të familjes time më ka ndihmuar shumë për të arritur këto rezultate. Prindërit e mi sakrifikojnë për të më krijuar mua mundësinë që të luaj shah dhe të marr pjesë në gara të ndryshme ndërkombëtare, pasi përveç shpenzimeve, njëri prej tyre ose gjyshja ime duhet patjetër që të më shoqërojë, pasi unë jam shumë e vogël. Patjetër që i mund në shah dhe nuk tentojnë të maten me mua. Me babin e kam konkurencën më të madhe por që e rrah gjithmonë.



Dimë që këtë vit je në klasën e 8-të. Me mësimet në shkollë si shkon? Si e menaxhon kohën për të gjitha?  


Në shkollë shkoj shumë mirë me mësimet dhe të gjitha i bëj vetë. Kam rezultate maksimale në shkollë dhe shkollën e kam parësore. Shahun e mësoj dhe ushtroj në kohën që më tepron pas mësimeve. Shkëputja nga shkolla për të marrë pjesë në kampionate të ndryshme disa herë në vit ma bën shumë të vështirë megjithatë, pas çdo kampionati, mësoj çdo mësim të prapambetur dhe punoj shumë derisa e kap ritmin në shkollë.  Është e lodhshme, por pa lodhje nuk vjen asnjë rezultat. Këtë gjë e kam mësuar shumë shpejt dhe prandaj mësoj shumë, pavarësisht lodhjes. Periudha kur unë mësoj më shumë shah është gjatë verës, pasi kam më shumë kohë të lirë. 



Cili është mesazhi për të gjithë bashkëmoshatarët e tu të cilët janë aq të vegjël përballë dëshirave dhe ëndrrave të mëdha? 


Mesazhi për bashkëmoshatarët e mi është që të merren më një sport që e kanë pasion, të luajnë shah se i bën më të zgjuar, të mësojnë shumë, të lexojnë shumë dhe të punojnë fort për të realizuar ëndrrat e tyre. Kur punon dhe përpiqesh mund të arrish gjithçka. 



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,233 Lexime
1 vit më parë