Himni i Mësuesit

Himni për Mësuesin, Kushi: Ndodh për herë të parë në historinë e arsimit shqiptar

Për herë të parë në historinë e arsimit shqiptar do të kemi një Himn për Mësuesin! Vjen si një ide nga Shkolla Artistike “Jordan Misja”, i përgatitur në bashkëpunim me kompozitorin dhe pedagogun Endri Sina, si dhe me tekstin e poetes Mimoza Bici. Lajmin e bëri publik ministrja e MAS, Evis Kushi.

Një lajm i bukur i këtij 7 Marsi ishte "Himni i Mësuesit", i cili për herë të parë në histori vjen si një ide nga Shkolla Artistike “Jordan Misja”, i përgatitur në bashkëpunim me kompozitorin dhe pedagogun Endri Sina, si dhe me tekstin e poetes Mimoza Bici.


Këndimi për herë të parë nga kori i nxënësve të kësaj shkolle, e shoqëruar edhe nga orkestra e harqeve dhe veglave frymore, dha një emocion të veçantë në këtë aktivitet për Mësuesin.


Himni u publikua nga Ministrja Evis Kushi e cila shkruan:

“Jam shumë krenare që sot, për 7 Mars, t’ju prezantoj këtë himn, me kompozitor Endri Sinën, tekst nga poetja Mimoza Bici dhe kënduar nga kori i nxënësve të Shkollës Artistike “Jordan Misja” Tiranë. Gëzuar 7 Marsin!”

Ndërkohë më herët, Kushi ka dhënë edhe urimin e saj të rastit për 7 Marsin.

“Gëzuar 7 Marsin dhe mirënjohje për ju të dashur mësues! Ju me misionin tuaj edukoni fëmijët tanë, mbillni ëndrra dhe i frymëzoni ata çdo ditë! Kjo video u realizua me kontributin e veçantë të nxënësve nga Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë, Instituti i Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, Shkolla Artistike ‘Jan Kukuzeli’ Durrës, Shkolla e Baletit dhe Gjimnazi ‘Qemal Stafa’ Tiranë".


Video e urimit 

Videoja e Himnit të Mësuesit 

TEKSTI I HIMNIT TË MËSUESIT


FALEMINDERIT MËSUES

(kori)


Nëse do të dish 

Magjinë e duarve të tua,

Merr lapsin, shkruaj, vizato.


Nëse do të dish

Kush ndriçon mendjen tënde

Merr një libër, ulu, lexo

Kush je ti, pasionet zbulo.


Mësues ju jeni një libër i artë,

Shkallë-shkallë të ngjitemi lart,

Mësues ju jeni çelësi magjik,

Për botën plot ngjyra, plot dashuri.


Në rrugën e dijes si dielli ndriçojmë,

Në zemrat tona gjuha shqipe krenon,

Të zgjojmë dëshirat,

Të kërcejmë të këndojmë,

Faleminderit mësues,

Mirënjohje përjetë,

Për ju do dhurojmë.


( Fëmijët e vegjël, kori)


Merr lapsin, 

shkruaj, vizato,

Zgjo dëshirat, 

kërce, këndo,

Merr librat, 

Ulu, lexo,

Botën fantazo,

Pasionet zbulo.


(Kori bashkë fëmijë të vegjël e të rritur)


Mësues, ju jeni një libër i artë,

Shkallë-shkallë të rritemi krenarë,

Mësues, ju jeni çelësi magjik,

Për botën plot ngjyra plot dashuri.


Në rrugën e dijes si dielli ndriçojmë,

Në zemrat tona gjuha shqipe krenon,

Të zgjojmë dëshirat,

Të kërcejmë, të këndojmë.


Faleminderit mësues,

mirënjohje përjetë,

për ju do dhurojmë.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,138 Lexime
1 vit më parë