KUJTESË

"Heshtja" e një mësuesi… Gëzuar 7 Marsin Ba!

Asnjëherë si kam dashur kujtesat. Edhe kur më kanë ardhur, i kam vënë në frigorifer dhe pastaj jam ulur e kam pirë një kafe duke mos menduar për asgjë...

Asnjëherë si kam dashur kujtesat. Edhe kur më kanë ardhur, i kam vënë në frigorifer dhe pastaj jam ulur e kam pirë një kafe duke mos menduar për asgjë. Ose jam përfshirë në një tjetër gjendje, duke pritur diçka ose shumçka ende të paformë, të panjohur për shqisat e mia.


Mbase e gjithë kjo ndodh për ndonjë arsye. Mbase jam shpirti i mohimit të asaj çfarë ka ndodhur apo ndodh rreth meje. Mbase jam një qenie e pashpresë në habitatin ku jetoj. Mbase nuk ka asnjë arësye. E megjithatë si në çdo gjë e për çdo gjë ka përjashtime. Ti në fakt je një përjashtim. Më përvidhesh shpesh brenda meje. Më vjen me portrete të ndryshme brenda të të njëjtit portret, ku si fushështrirje ka heshtjen. 


Në fakt unë jam e gjitha dështim në laps e penel, megjithë dashjen time të madhe për ta. Po të mos ishte kështu, do ta kisha realizuar portretin tënd dhe nuk do ishte fare e nevojshme që në këtë rast të frekuentohesha me kujtesën. Për mua kujtesat janë qaravitje. Do thuash për mua: “se ti gjithnjë ke qenë allasoj”. Po ti si ishe?! Po ta them troç fare, unë jam kopja jote. Kopja e heshtjes tënde. Ta dish se kurrë nuk kam parë e nuk kam njohur qenie më të heshtur se ti. Edhe kur vijëzoje një qeshje të lehtë buzëve, ishe sërish dhe më i heshtur. Edhe në udhë të shkutëra, edhe në udhë të gjata. Edhe kur jepje mësim para nxenesve te tu. Edhe në biseda mes nesh në familje. Edhe në biseda mes miqsh. Edhe në gëzime të rralla, sërish heshtje. Për të mos folur për ikje…


Ka kaluar shumë kohë dhe prapë heshtja jote më mundon shumë, shumë. Mbase kam shumë nevojë të di për heshtjen time, ndaj. Për raportin tënd e timin me botën. 

Sot erdhe dhe trokite heret tek unë. Mos ke merak, nuk të fus në frigorifer. Të dua të gjallë pranë vetes. E di pse?! E thjeshtë fare. Do të të kërkoj të më shpjegosh si mësues tri gjëra: Çfarë është heshtja? Përse heshtet? Dhe çfarë lidhje organike kemi unë dhe ti me të? Nuk do të të pyes se kur heshtet dhe deri kur, pasi ti ike duke heshtur. Dhe unë vazhdoj të hesht. Por e pamundura nuk bëhet dot e mundur. Se ti je dhe s’je këtu. Edhe nëse, kam përshtypjen se ti sërish do i vishje buzët me një qeshje të lehtë, gati-gati të padukshme dhe sërish nuk do më jepje përgjigje.


Ka kaluar shumë kohë, ndërsa në këtë moment them se po gënjej veten. Nuk është e vërtetë që nuk e kam kuptuar heshtjen tënde. Them se ka lidhje me atë çfarë presim përballë asaj që takojmë dhe marrim. Ka lidhje me refuzimin… që qenieve si ti u imponohet natyrshëm. Ka lidhje me përshtatjen brenda habitatit tonë që nuk mund ta zgjedhim. Ka lidhje me lindjen, me perendimin… Tani do thuash se po të flas me gjuhë të koduar. Po, është e vërtetë. Dhe të vërtetën e gjithçka tjetër të vyer të një njeriu të thjeshtë e të urtë ti gjithnjë e ka dashur. Gjithnjë ke ditur ta përcjellësh dhe pse në heshtje. Por, të jap fjalën se ditën kur të pranoj “kujtesat” do të blej një ditar nga ata që mbaje ti dhe do të shkruaj për HESHTJEN… në kohët tona. Për “HESHTJEN” në kohë të zhurmshme dhe të rrëmujshme. Siç ndodh rëndom me kohët.

Deri atëherë ka kohë, ndaj më lër të të përqafoj me mall në heshtje.

GËZUAR 7 MARSIN BABI!



(Nga Trëndafile Visha, gazetare, shkrimtare)

3,190 Lexime
5 vjet më parë