Ese

“Heroi im që më frymëzon”, ese nga nxënësja Aida Dede

Mesazhi i esesë së nxënëses nga Korça, Aida Dede, qëndron te vlerësimi i heronjve të vërtetë në jetën tonë, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjes së tyre përmes veprave dhe vlerave që mishërojnë, siç është rasti i babait, një hero i pakohë që përçon dashurinë, drejtësinë dhe paqen çdo ditë.

Ese nga Aida Dede 

Klasa 8, shkolla 9-vjeçare "Sotir Gurra", Korçë

Mësuesja e gjuhës shqipe: Donata Larti


“Heroi im që më frymëzon”


Ne lindim në një botë e cila edhe pse numëron vitet është e pakohë. Askush nuk na pyet nëse duam të jemi pjesë e saj. Çdo ditë më pas ne lindim bashkë me diellin dhe plotshmëria jonë bëhet më e kuptimtë. Ne frymë marrim bashkë me diellin dhe edhe pse i numërojmë ditët, muajt, vitet, ne jemi po aq të pakohë si përjetësia. 


Nëse nuk do të ndodhte kështu a do të ekzistonin vallë heronjtë? Ata heronj që rriten në zemrën tonë dhe ne u japim frymën tonë çdo ditë, formën tonë, dashurinë tonë. Ne jemi ajo guaska që vesh kuptimisht me kujdes, shkëlqim dhe fantazi, çdo hero.


E megjithatë ata fillojnë të jenë pjesë e jona që në fëmijëri. Të gjithë kemi pasur heroin tonë të parë imagjinar .Ai s’kishte emër as fytyrë, por ai kishte një shpirt të bukur. Zëri i tij buronte nga thellësia e fantazisë dhe na tregonte të vërteta që askush i vërtetë nuk na i thoshte dot. Më pas heronjtë u bënë më konkretë. Babai zëvendësoi heroin tim imagjinar. Ai solli tek unë ngrohtësinë e realitetit dhe mishëroi tek unë virtytet më të bukura që ai m’i fal pa kursim. Ai më mësoi të jem e vërtetë, trime dhe e drejtë. Dora e tij çdo ditë bashkë me përkëdheljen shkruan në ajër kujdesin dhe mbrojtjen. Nuk është e thënë aspak që të jesh një njeri i shquar apo i famshëm që të bëhesh heroi i dikujt. Babai im nuk është një njeri i tillë, por ai ka çdo karakteristikë të një heroi. Ai duket i veshur me mister, por ai jep çdo gjë. Ai flet pak, por thotë shumë. Ai duket i zakonshëm, por është dhe do të mbetet po aq i pakohë për mua sa çdo hero tjetër. Ai më ka mësuar ç’është paqja dhe dashuria, drejtësia dhe empatia. Ai më ka dhënë çdo ditë bashkë me lindjen e diellit besimin dhe shpresën se çdo ditë është një bekim dhe duhet jetuar.


Nuk e kam më heroin tim imagjinar të fëmijërisë, por jam e lumtur që kam një hero të vërtetë, një hero të madh, një hero të pakohë.


Ne rritemi në një botë ku vlerat po humbasin pak nga pak, ku heronjtë vlerësohen nga ajo se si duken, se si vishen dhe jo nga veprimet e tyre të drejta dhe thirrjet e tyre për paqe. Tani secili edhe nëse nuk e ka, e gjen një hero në çdo rrjet social, por e vërteta duket sikur e ka humbur rrugën dhe heroi e ka humbur kuptimin. Njerëzit po bëhen më të vegjël, sepse nuk zgjedhin heronj të vërtetë që t’i rrisin. Prandaj në pakuptueshmërinë e botës ku jetojmë, unë zgjodha si heroin tim më të vërtetin që njoh, më sakrifikuesin, më të madhin, babain tim. E përqafoj çdo ditë këtë hero bashkë me rrezen e diellit dhe çdo ditë i përsëris vetes se ai më ka falur çdo minutë të jetës të cilën e mbush me kuptim dhe jetë.


Zgjidhni heronj të vërtetë, sepse vetëm e vërteta është ashtu si e shkuara, ashtu si e ardhmja, pambarimisht e pakohë.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,340 Lexime
2 muaj më parë