Diaspora

Hapet shkolla shqipe në Rümlang të Kantonit të Zyrihut

Vazhdojnë sukseset e "Shkollës Shqipe" në Zvicër, nga njëra shkollë te tjetra, nga njëri kanton te tjetri, vazhdon të rritet interesimi i prindërve dhe njëkohësisht edhe i nxënësve, të cilët vijnë me përkushtim t`i ndjekin mësimet në gjuhën amtare.

Këtë javë hapi dyert edhe shkolla shqipe në Rümlang të Zyrihut. E kemi thënë në vazhdimësi se aty ku mësuesit punojnë me përkushtim dhe bëhen bashkë me prindërit sukseset nuk mungojnë. Kjo është dëshmi e pikës shkollore në Rümlang të Zyrihut dhe dhjetëra pikave shkollore ku prindër dhe mësues u bënë bashkë me qëllim që  të hapet pika shkolloresa më afërm këtyre fëmijëve, të cilët jetojnë dhe i vijojnë mësimet në shkollën e vendit në këtë rajon. Mësimi zhvillohet çdo të hëne nga ora 16:00 -18:30, ku Medini, Burhani, Jora, Aroni, Alisa, Xhensila, Saranda, Rejhani, Sara, Almini, Lorisi, Rinesa, Lea, Selina dhe Era ju bëjnë thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tjerë, t`iu bashkëngjiten në orët mësimore të gjuhës shqipe.

 

Të gjithë kanë arsye të buzëqeshin, nxënës, prindër, mësues, sepse i shoqërojnë fjalët që mrekullueshëm tingëllojnë, ora e mësimit në gjuhën shqipe ka filluar!


Klasa ku zhvillohej mësimi në gjuhënshqipe i ngjasonte një çerdheje të vogël nëvendlindje. Një copëz e atdheut shpërndahej nëpërmjet teksteve shkollore “Gjuha dhe kultura kombëtare. Në fytyrat e prindërve shihej qartë gëzimi se tani fëmijët e tyre jo vetëm që do të mësojnë edhe shqip, por edhe e kanë afër shkollën shqipe. Gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim sa më të afërt e treguan edhe në mbledhjen e prindërve në mbrëmjen e kësaj të hëne, ku ata vullnetarisht zgjodhën edhe kryetaren e Këshillit prindëror znj. Burbuqe Elmazi, e cila së bashku me prindërit tjerë do të angazhohen jo vetëm në rritjen e numrit të nxënësve por edhe rreth aktiviteteve të lira. 



Shkruan: Vaxhid Sejdiu

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,328 Lexime
2 vjet më parë