Ese

“Gojë mbyllurat”, eseja e një nxënëseje e cila shkruan mbi realitetin e vajzave dhe grave të dhunuara

“Vajzat në disa familje shqiptare trajtohen sikur janë një objekt ose orendi shtëpiake”, shkruan nxënësja Ajsea Kalemaj, për të hedhur vështrimin në atë pjesë të shoqërisë tonë ku gratë, nënat dhe vajzat dhunohen dhe u mbyllet goja edhe për të folur!

Nga Ajsea Kalemaj, nxënëse e klasës së 9-të, shkolla Qatar College  


Është një fenomen i kohërave të fundit që po ndodh në shumë vende, por unë mora shkas nga ndodhitë e fundit që po ndodhin me nënat, vajzat apo motrat shqiptare!


 “Mbaje gojën mbyllur” është shprehja që dëgjojnë për disa nëna, gra e vajza. 


Vajzat në disa familje shqiptare trajtohen sikur janë një objekt ose orendi shtëpiake. Kur një grua ulet të diskutojë në familjen e saj apo të burrit, për shembull për të blerë shtëpi, përgjigjja është "Mbylle gojën, s’merr vesh, s’di gjë t’i nuk merren femrat me këtë punë!". 


Kur një vajzë do të bëjë patentën apo të diskutojë për të blerë një makinë, i hidhet një shikim shtrembër apo i flitet dhe me tone të ashpra "Mbylle gojën, çfarë thua. Do patentë Ti, s’janë femrat për këtë punë!". 

Dhe nëse ajo i shpreh dashurinë burrit apo partnerit, ai ia kthen "E di, e di sa më do, por mbylle gojën"! 

Vjen dita të martohesh, të thonë "Ti je femër, burri i shtëpisë jam unë, ndaj mbylle gojën se Ti nuk di gjë!". 


Do apo s’do të kesh një fëmijë, femra nuk pyetet, por është e detyruar pas martesës të bëjë fëmijë dhe mos të guxoj të flasë. Të jetë nënë është obligim i detyrueshëm!


Mbase këto janë fjalë e sjellje tepër të rënda por shumë vajza e gra i përjetojnë edhe sot, edhe pse jemi në vitin 2024. Pra ato kalojnë vështirësi të shumta. 


Pra, sipas mendjes së disave, femra duhet të jetë në krye të shërbimit të familjes, dhe shpesh i thuhet ta mbylli gojën. 


Shumica e arsyeve pse ëndrrat tona të vajzave, nuk bëhen realitet është sepse ne durojmë shumë për njerëzit e gabuar që ne rrethohemi! Gabojmë kur ndajmë jetën tonë me njerëz të gabuar?! Gabojmë kur ndajmë projektet apo arritjet tona me njerëz që pretendojnë se janë "miqtë" tanë. Zilia në shoqëri shkatërron një marrëdhënie të krijuar gjatë viteve në shoqëri apo në punë!


Dhe xhelozia shkatërron vret një familje!  Shumica e “të afërme apo miqve” të duan të të shohin të jesh mirë, por kurrë më mirë se ata!


Ndaj thojini JO kujtdo që ju thotë “Mbaje gojën mbyllur!”. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

653 Lexime
1 muaj më parë