Ese

“Gjyshërit e mi, streha ime e ngrohtë” dedikimi emocionues i nxënëses Eneda Shabaj

Eseja "Gjyshërit e mi, streha ime e ngrohtë" nga Eneda Shabaj është një dedikim emocionues për dashurinë e pakushtëzuar dhe ngrohtësinë e tyre. Përmes përshkrimeve prekëse, nxënësja e klasës së 8-të shpreh rëndësinë e momenteve të veçanta me gjyshërit si këshilltarë, miq e burim paqeje.

Ese: “Gjyshërit e mi, streha ime e ngrohtë” 

Shkroi: Eneda Shabaj

Klasa: VIII

Shkolla “Adem Haxhija” 


Gjyshërit e mi janë ndër njerëzit më të rëndësishëm në jetën time. Ata nuk janë thjesht prindërit e prindërve të mi, por miqtë e mi më të mirë, këshilltarët e jetës dhe ata që më bëjnë të ndihem e veçantë në çdo moment.


Kur shkoj te gjyshërit, gjithçka ndryshon. Shtëpia e tyre ka një ngrohtësi që nuk e gjej askund tjetër. Është sikur koha ndalon dhe bota bëhet më e thjeshtë. Gjithçka ka një aromë të veçantë, nga ushqimi i gjyshes deri te kafja e pasdites që pinë së bashku. Gjyshja ime gatuan gjithmonë diçka që e di se më pëlqen dhe,edhe kur nuk jam e uritur, thjesht nuk mund ta refuzoj. “Hajde ha edhe pak”, më thotë ajo me buzëqeshje dhe unë dorëzohem. Gjyshi është njeriu që më mëson gjëra që ndoshta asnjë libër nuk mund t’i mësonte. Ai di të tregojë histori nga koha kur ishte i ri,nga vështirësitë dhe mënyrën se si ia ka dalë gjithmonë. Çdo bisedë me të është një mësim i vogël.


Gjithmonë kam ndjerë se gjyshërit e mi kanë një durim dhe një dashuri që nuk krahasohet me asnjë tjetër. Ata dinë të dëgjojnë,edhe kur ndoshta unë flas për gjëra që nuk kanë shumë rëndësi. Nuk më ndërpresin,nuk më gjykojnë,thjesht janë aty. Kur ndonjëherë nuk ndihem mirë ose jam e mërzitur, mjafton një vizitë tek ata për ta ndryshuar ditën time. Prania e tyre më jep qetësi, sikur çdo gjë është në rregull dhe nuk kam për çfarë të shqetësohem.


E di që nuk do t’i kem gjithmonë pranë, prandaj përpiqem ta vlerësoj çdo moment që kaloj me ta. Ata më kanë mësuar që gjërat e vogla në jetë kanë më shumë rëndësi, që dashuria dhe kujdesi janë ata që mbeten përgjithmonë.


Gjyshërit e mi janë strehë, janë kujtime, janë dashuri e pastër dhe e pakushtëzuar. Ata janë pjesë e ditëve të mia më të lumtura, dhe do të kujdesem që të kaloj sa më shumë kohë me ta, sepse çdo minutë me ta është një dhuratë që nuk kthehet më.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

189 Lexime
1 ditë më parë