Gjeni çfarë kafshe është?
Synimi i këtij aktiviteti ose i kësaj loje është t’i bëjë nxënësit më energjikë dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi komunikimin jo verbal.
Mosha: Për gjashtë vjeç e lart (modifikimet e sugjeruara më poshtë)
Pjesëmarrësit: Çfarëdo numër nxënësish, i ndarë në grupe më të vogla me 10 fëmijë
Vendosja: Kudo
Materialet: Copa letre - secila me një fjalë ose vizatim të një kafshe të ndryshme, një tas ose kapelë.
Lehtësuesit: përpara se të filloni shkruajini emrat e kafshëve në copa të vogla letre, një kafshë për secilën letër. Mund të vendosni emrat e çdo kafshe, nga një milingonë deri te një elefant. Është e rëndësishme që të jetë e lehtë për fëmijët të dallojnë përmasat e kafshëve. Ju gjithashtu mund të dëshironi të bëni një listë të kafshëve që keni përdorur sipas madhësisë.
1. Vendosni copat e letrës në një tas ose kapelë.
2. Shpjegojuni nxënësve se nuk lejohet të flasin me njëri-tjetrin gjatë lojës.
3. Ftoni secilin nxënës të marrë një copë letër nga tasi ose kapelja.
4. Pa bërë zhurmë, nxënësit duhet të qëndrojnë në një rresht sipas madhësisë së kafshës së tyre, me kafshën më të vogël në të majtë dhe më të madhen në të djathtë. Atyre u lejohet të imitojnë (të veprojë si) kafshën e tyre.
5. Kur të gjithë qëndrojnë në një rresht, kërkojuni nxënësve të thonë kafshën e tyre me zë të lartë.
6. Vazhdoni duke pyetur se si nxënësit u ndjenë teksa komunikonin me njëri-tjetrin pa përdorur fjalë ose tinguj.
Reflektoni me nxënësit se si gjuha jonë e trupit u jep mesazhe të tjerëve. Për shembull, mund të thuash:
- Si u sollën nxënësit kur ishin një kafshë e vogël?
- Dhe si u sollën kur ishin një kafshë e madhe?
A ishin sjelljet e ndryshme për nxënësit që luanin kafshë të vogla dhe të mëdha?
Sigurohuni që të përfshini kafshë në lojë që janë të njohura për nxënësit.
Përdorni fotografi të kafshëve në vend të fjalëve të shkruara për nxënësit më të vegjël ose për nxënësit nga komunitete me nivele të ulëta shkrim-leximi.
Për nxënësit më të rritur dhe adoleshentët, mund të përdorni këtë variant:
- Përgatitni copa të vogla letre ose kartoni të numëruara sipas numrit të nxënësve në grup. (Për shembull, nëse ka 15 pjesmarrës, përgatitni 15 copa letre ose kartoni të emërtuara nga 1 deri në 15).
- Shpjegojuni nxënësve se do t'u jepni atyre një copë letër ose kartoni, por ata nuk duhet të shikojnë se çfarë shkruhet në të.
- Përziejini letrat dhe jepni një për secilin nxënës. Sigurohuni që secili nxënës të mbajë letrën në mënyrë që ajo ose ai të mos e shohë numrin, por nxënësit e tjerë mund ta bëjnë këtë. Për shembull, duke e mbajtur letrën kundër ballit të tyre.
- Tani, kërkojuni nxënësve të rreshtohen me radhë (për shembull, nga numri më i vogël deri tek më i madhi), pa shikuar letrën që morën dhe pa thënë asnjë fjalë. Ata mund të formojnë vijën përgjatë një muri të dhomës, në një rreth ose në një vijë të drejtë në qendër të hapësirës - në varësi të numrit të nxënësve dhe ambientit.
Reflektoni me nxënësit në lidhje me këtë aktivitet duke përdorur pyetjet e mëposhtme:
- Si u ndjetë kur luajtët këtë lojë?
- Cila ishte pjesa më e vështirë? Pjesa më e lehtë?
- Cilat truke keni përdorur për të qenë në rregull?
- Si komunikuat pa fjalë? A ishte e lehtë për të kuptuar njëri-tjetrin?
- Cilat janë disa nga pengesat për komunikimin që kemi në grupin tonë?
- Si mund të komunikojmë më mirë me trupin tonë?
(Portali Shkollor)
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur për ditëlindje
Fletë pune për 28 Nëntorin - Ditën e Flamurit
Lojërat më të bukura të viteve ’90 që mund t’ua tregoni nxënësve apo fëmijëve tuaj