8-MARSI

Gëzuar 8 Marsin nënë

Një buqetë për festat e 8 Marsit, si një urim mjaft i veçantë, vjen nga Drita (Gjaci) Topjana.

 8 Marsin nënë

O nëna ime e mirë

që më fal dashuri,

rrezaton dhe shumë mirësi,

gëzuar festën në përjetësi.


Je si lulja plot me jetë, 

ti je rrezja e diellit vetë,

je aromë trëndafilit,

nektari që thithin bletët.


Fjalëpak e zonjë e rrallë,

gojëmjaltë e dashur nënë.

Grua ti je çelësi i mirësisë, 

i paqes dhe harmonisë. 


Të dhurojmë sa më shumë lule

dhe buzëqeshje ngado që të shkojmë.

Gëzuar tetë Marsin gra,

nëna, motra, shoqe.



Qeshu nënë 

Qeshu nënë njëherë me shpirt,

të gufojë e ëmbla zemër,

t`më kënaqet syri, veç një ditë.


“S`më qesh buza, pa m`qesh zemra,

s`knaqet shpirti, - moj me rrena, 

tash ta lëshoj zanin një ditë”.


Bekim tjetër nga ty pres,

atë uratë kurrë mos ma jep,

e kam frikë fjalën kurbet.


I lutem Zotit për çdo ditë,

që të vijë e bardha dritë, 

dhe rinisë t`i hapen sytë.



Nënë, si je nënë

Nënë! Na linde, nënë.

Nënë! Na mbajte dorën, nënë.

Nënë! Na rrite, nënë.

Nënë! Na edukove, nënë.

Nënë! Na shkollove, nënë.

Nënë! Na përcolle, nënë. 

Nënë! Na martove, nënë.

Nënë! U gëzove, nënë.

Nënë! U bëre me nipër e mbesa plot, nënë.

Nënë! Po ikën larg, nënë.

Nënë! U nisën një nga një, nënë.

Nënë! Po ikim vetëm për pak, - o nënë.

Nënë! - Mos u mërzit, nënë.

- Jo, bir i nënës, nuk mërzitet nëna. Ju vaftë e mbara!

- Nënë! Do të kthehemi prapë, nënë.

- Të jeni shëndoshë! -  bijtë e nënës, se ka nëna plot.

Nënë! Po u larguan, nënë.

Nënë! Më duket, se të harruan, nënë.

Nënë! U rritën në vend të huaj, nënë.

Nënë! Nipat e mbesat nuk dinë shqip, nënë.

Nënë! Ata nuk po kthehen, nënë.

Nënë! Ata nuk e mbajtën fjalën, nënë.

Nënë! Ata të thanë më prit, nënë.

Nënë! Ata të thanë edhe hajde, nënë.

Po nëna nuk shkon.

Nëna nuk e lë vendin e saj.

- Nënë! Si je nënë?

- Mirë jam bijë e nënës.

- Nënë! Si je nënë?

- Mirë jam bijë e nënës, sa t`ju kem ju shëndoshë nëpër botë dhe cep e më cep Shqipërisë.

- Nënë! Ku je nënë?

- Po shkoj në kishë, bijë e nënës.

- Jo, - moj nënë, se do të ngelësh në rrugë.

- Jo, bijë jo, se jam me komshien, nuk ecën vetëm, nëna.

- Nënë! Ku je nënë? 

- Jam në kishë bijë e nënës, po ndezi qirinj.

Për kë po i ndez? - moj nënë.

Për të gjithë, bijë e nënës.

-Sa ke? - o nënë. -A i mban mend?

Plot … bijë, tani m`u shtuan dhe dy stërnipa andej.

Nënë! Sa ke andej?- o nënë.

- Më shumë janë andej, afërsisht tre të katërtat pesëmbëdhjetë nipa e mbesa kam andej.

Nënë! Po mendon për të gjithë, nënë.

  - Po bijë e nënës, nuk fle gjumë nëna pa u lutur, pa thënë uratën, e pa thënë; “ O Zot m’i ruaj të gjithë fëmijët e mi, nipa  e mbesa, m’u jep rrugën e mbarë dhe larg nga e keqja.”

Nënë! Po vij nënë. 

- Hajde, bijë e nënës, hajde, po dhe ti na ke harruar, se je në shkollë e fëmijët i ke në shkollë, pastaj fëmijët shkojnë ku ka fëmijë, këtu s`ka fëmijë, s`kanë faj as ata, duan moshën e tyre.

Nënë! Si jeni nënë?

- Tani jemi këputur, - o bijë. Jemi djegur në shpirt. Na ka marrë malli. Duam të  çmallemi e pastaj të pushojmë të qetë. 

Fytyra e nënës si trëndafil, buzëqeshja e nënës si rrezatim, mirësia e nënës nuk ka mbarim, nëna sa shumë po ju mundon ai përqafim.



(Drita (Gjaci) Topjana; Portali Shkollor)

27,554 Lexime
5 vjet më parë