FSHF ndryshon logot dalluese të kategorive
Me përjashtim të Kategorisë Superiore te gjitha logot e kategorive më të ulta kanë ndryshuar. Në një njoftim në faqen zyrtare FSHF tregon se ky hap ka qenë i planifikuar që në momentin e parë të rinovimit të imazhit të FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar ditën e sotme ndryshimet e bëra me logot dalluese në të gjitha kategoritë përkatëse. Me përjashtim të Kategorisë Superiore te gjitha logot e kategorive më të ulta kanë ndryshuar. Në një njoftim në faqen zyrtare FSHF tregon se ky hap ka qenë i planifikuar që në momentin e parë të rinovimit të imazhit të FSHF-së.
Më poshtë shpjegimi i shefit të sektorit të marketingut, Gazmend Malo për secilën nga logot:
Kategoria e Parë
Në logon e Kategorisë së Parë paraqitet një lidhje e fortë e elementeve kombëtare atyre të futbollit, njësoj si në logon e FSHF-se dhe atë të Superiores. Ajo përbëhet nga një mburojë me sfond të kuq dhe kontur të zi në respekt të ngjyrave tona kombëtare, në të cilën gjenden elementët e një topi futbolli të stilizuar në lëvizje, për të dhënë një imazh dinamik. Topi është i “dekoruar” me krahët e Shqiponjës në ngjyrë të zezë dhe më poshtë gjendet emërtimi “Kategoria e Parë” dhe akronimi i FSHF-së.
Kategoria e Dytë
Në logon e Kategorisë së Dytë janë ruajtur elementet stilistikë të logove dhe brand-eve që i kanë paraprirë por e gjitha paraqitet në një mënyrë më të rifreskuar dhe rinovuar në detaje dhe mënyrë përpunimi të elementeve. Kështu, mburoja paraqitet me këndet e rrumbullakosura dhe me linja më të buta, kombinimi i ngjyrave i hap rrugën një sfondi gjysmë të kuq dhe gjysmë të bardhë dhe vijëzimi bardhë e zi bëhet ku dominon në gjysmën e poshtme të logos. Emërtimi “KATEGORIA E DYTË” (me germa kapitale) është gjithashtu dominant në gjysmën e sipërme të logos ku mbi të gjejmë sërish akronimin e FSHF-së, të shoqëruar me dy yje.
Kategoria e Tretë
Në logon e Kategorisë së Tretë gjejmë më të qartë dhe më të plotë një lloj “lehtësimi” dhe rifreskimi të elementëve. Pavarësisht se janë ruajtur elementet stilistikë të logove dhe brand-eve që i kanë paraprirë, kombinimi është një rezultat mjaft i këndshëm dhe “autonom” megjithëse besnik në identitet.
Mburoja është më e ngjashme me mburojën e logos së FSHF-së, sfondi është i bardhë për ta bërë më të lirë vendosjen e elementeve të përfshirë. Konturi i mburojës është i kuq, ku topi paraqitet dominant në logo, me përpunimin bardhë e zi. Ngjyra e zezë e topit na rikthen sërish kombinimin Kuq e Zi.
Emërtimi “KATEGORIA E TRETË” (me germa kapitale) është gjithashtu dominant në pjesën e poshtme të të logos, të vendosura në një “shirit” që i mbivendoset topit dhe mburojës. Poshtë shiritit gjenden tre yje, element edhe ky simbolizues i Kategorisë së Tretë. Në pjesën e sipërme të logos gjejmë akronimin e FSHF-së në germa kapitale.
Orë mësimi e hapur me klasën e shtatë
Përse është e rëndësishme lënda e fiskulturës?
Lojtari më i mirë i shahut në botë