"Frikë", një tekst rrëfyes nga nxënësja Natali Bliu
Nxënësja e gjimnazit "Petro Nini Luarasi", Natali Bliu ka krijuar një tekst rrëfyes me titullin "Frikë". Ashtu siç edhe ajo vetë e pohon, teksti flet për përballjen e saj me këtë fenomen. Ju ftojmë ta lexoni.
Lloji i tekstit: Tekst rrëfyes
Si tekst rrëfyes që është, jam treguar më se e sinqertë duke shprehur çdo ndjesi e përjetim që kam kaluar gjatë periudhës për të cilën kam folur. Teksti flet për pëballjen me frikën time. Mendoj se shumë adoleshentë të tjerë të moshës sime kanë frikëra me të cilat kanë nevojë të përballen, prandaj shpresoj që ky rrëfim të jetë sado pak ngushëllues për ta.
Frikë
Marrje fryme. Djersë të ftohta. Marrje mendsh e turbullim shikimi. Një vorbull emocionesh paralizuese të sjella vetëm nga një mendim, sado i thjeshtë aq edhe i komplikuar.
Nuk janë bërë plotësisht 2 vite që nga koha kur fillova të ndieja një frikë të paimagjinueshme kur mendoja për këtë term, ose për botën që na priste pas saj (gjithmonë nëse ekzistonte një e tillë). Netë të tëra me makthe e ditë të kaluara duke menduar për këtë gjë të pashmangshme, sikur vallë mendimi i tepruar për të do ta mbante larg, e pse jo edhe ta zhdukte.
Momentet e fillimit u mundova ta mbuloja nga një perde mospranimi. Nëse truri më gjente të papërgatitur vrapoja për t’u fshehur në errësirën e pandriçuar nga sytë e të tjerëve. Ato kohë nuk e mendoja si dicka serioze, por përkundrazi e gjykoja si një ndjesi kalimtare. Tepër qesharake apo jo? Të besosh se dicka aq intensive mund të zhduket papritur.
E pashë të nevojshme ta çliroja lëmshin e krijuar brenda vetes. U mundova ta ndaja shqetësmin që kisha me të tjerë duke bërë të pamundur për të ruajtur imazhin e fortësisë dhe qëndrueshmërisë emocionale që kisha krijuar. Frikësohesha nga paragjykimi, nga një e përqeshur distante pas mendjes sime. Në fakt, arrita ta thyeja guaskën që kisha krijuar e të flisja me çdokënd që e mendoja të afërt e të denjë për një këshillë.
Në të njëjtën kohë doja të dilja nga bota e mbyllur që ishte aty si pasojë e kësaj frike. Zgjodha rrugën më fitimprurëse për gjendjen time psikologjike, por edhe më të vështirën: të përballesha, ta pranoja, ta bëja pjesë të vetvetes e jo të vrapoja prej saj. Në vend që t’i shmangia mendimet, i përqafoja ato, i kujtoja gjithnjë e më shumë, i konsumoja e sa herë që hynin në mendje, dilnin të përgjysmuara.
A e kam harruar plotësisht atë zonjë që më vizitonte? Jo, por mund të them që vizitat e saj sa vijnë e bëhen më pak të shpeshta e të dhimbshme.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
I dashur ditar, po të rrëfej ngjarjen më të rëndësishme të kohëve të fundit…
Letër falenderimi për mësuesen time
Gjimnazistja Gejla Toromani: Ata që lexojnë kanë botën