Fillimi i një viti të ri shkollor
Çdo fillim viti shkollor, dhe gjithnjë e më tepër kur jam hasur me një ambient, shkollë apo klasë të re, unë ashtu si shumë bashkëmoshatarë të mi kemi ndjerë nevojën për t'u mikpritur dhe akomoduar menjëherë në klasa...
Tashmë jemi fare pranë fillimvitit të ri shkollor, për disa kaq i shumëpritur e për disa të tjerë ai të cilit i druhen më së shumti; por për të gjithë mësues prindër e nxënës kjo periudhe vjen me një ndjenjë kaq mikse kënaqësie e pasigurie, sepse fundja të ndarit e çdo dite së bashku në një mjedis më shumë se heterogjen nën qëllimin madhor të edukimit ka vështirësitë e veta.
Tashmë pas përfundimit të ciklit 12 vjeçar të arsimimit dhe në prag të nisjes së jetës universitare, ndjej për herë të parë mungesën e emocioneve të ditës së parë të shkollës e njëkohësisht dëshirën për të përjetuar sërish një rrugëtim ku pasiguritë shkojnë përkrah ëndrrave me idenë në kokë se shkolla është një institucion sa familiar aq dhe i shenjtë. Për të krijuar idenë e kësaj të fundit dita e parë është vendimtare, po aq sa mënyra se si drejtuesit dhe mësuesit e shkollave i përqasen nxënësve.
Këshilla po aq sa dhe thirrja e parë shkon kundër fjalimeve klishe, përgjithësisht të mbajtura nga drejtuesi i shkollës, ku dëgjohen vec copëza fjalësh që mbyten nga gumëzhimat e qindra nxënësve që mbushin oborrin, paksa në ankth, disi të pasigurt por dhe me shumë kërshëri për atë që i pret më tej. Kështu fjalimi, veç të qenurit një procedure rutinë që i jep karakterin ceremonial ditës së parë ( e cila duhet të jetë miqësore në këndvështrimin tim por kurrsesi ceremoniale) nuk ka kryer funksionin e tij bazë, atë të të përcjellurit të një mesazhi por veç ka shpërqendruar e lodhur pa filluar mirë dita.
Çdo fillim viti shkollor, dhe gjithnjë e më tepër kur jam hasur me një ambient, shkollë apo klasë të re, unë ashtu si shumë bashkëmoshatarë të mi kemi ndjerë nevojën për tu mikpritur dhe akomoduar menjëherë në klasa, për të njohur sa njëri- tjetrin aq dhe mësuesit. Iu referohem mësuesve duke iu kërkuar: “Ju lutem, drejtohuni sa më shpejt nxënësve tuaj në emër!” Qoftë nëpërmjet aftësive tuaja memorizuese apo kartave me emër kjo praktike krijon një mjedis familiar dhe ne si nxënës na reduktoni ndjeshëm frikërat dhe kanalizoni përpjekjet drejt zhdukjes së barrierave.
Gjithashtu mos prezantoni kaq formalisht veten tuaj. Pse zgjodhet mësimdhënien, jo vetëm si profesionin por si misionin tuaj? Pse lënda që jepni ju pëlqen aq shumë? Mund të ndodhë që në dukje dhe ju vetë mos të keni një përgjigje të kristalizuar mbi çështje të tilla, e megjithatë këto bashkëbisedime formësojnë dhe aspektin tuaj profesional. Ajo çka për ju mund të jetë një motiv fare i thjeshtë apo një histori fare e zakonshme, do të intrigojë dhe afrojë nxënësit që ju keni përballë.
Në fund mos kërkoni nga nxënësit të bëjnë maksimumin, por tregoni se ju jeni pjesë e tyre, sepse unë vetë rendimentin më të lartë e kam evidentuar tek ata mësues që vërtet ishin pjesë e jona. Tek ata që shprehen se do të japin më të mirën e tyre, se do të përdorin gjithë dijet dhe energjinë e tyre, për të dhënë së bashku më të mirën e kapur maksimumin. Kështu nxënësit entuziasmohen dhe e shohin shkollën si një trampolinë drejt ëndrrave të tyre dhe jo si një institucion me mësues që përdorin notën dhe vlerësimin si mekanizëm ndëshkimi, apo si veton e tyre.
Dhe në fund, jepini nxënësve diçka të bukur për të realizuar. Vendosni një objektiv përfundimtar qoftë një konkurs, festa e Abetares apo suksesi në Maturën Shtetërore. Janë tepër të lodhshme por dhe të frikshme fjalitë që tregojnë se sa punë nxënësit kanë për të realizuar, se është vetëm fillimi dhe viti shkollor është tejet i gjatë. Në fakt një vit shkollor apo dhe shumë vite së bashku janë fare të shkurtër, kalojnë me një shpejtësi ku mes përpjekjesh, mundimesh, të qeshurash, mësimesh, aktivitetesh, mërzitjesh, arritjesh, takon fundin i cili nëse projektohet me kujdes nga të gjithë aktorët së bashku, dhe ecet si aleatë hap pas hapi, është gjithnjë ai i dëshiruari.
Mes këshillash, sikur të isha akoma një nxënëse uroj në fund një vit shkollor të suksesshëm e plot arritje për nxënës e mësues së bashku, të cilët sa nuk mund të bëjnë dot pa njëri- tjetrin aq dhe reflektojnë punën dhe arritjet e njëri -tjetrit. Mbi të gjitha uroj mirëkuptimin dhe harmoninë, duke mos harruar gjithnjë se shkolla nuk jep thjesht informacione por formëson NJERIUN!
(Nga: Dorina Zhuka, Portali Shkollor)
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Detyrë klase: Dhoma ime
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali