Ҫfarë duhet të dini për belbëzimin

Fëmija juaj belbëzon?

Belbëzimi nuk të pengon për t’ia arritur qëllimit. Një numër shumë i madh njerëzish të rëndësishëm nga pozita e karriera e tyre, belbëzojnë ҫ’ka do të thotë se belbëzimi nuk është bërë shkak i frenimit të ëndrrave të tyre.

Fëmija juaj belbëzon?

Ҫfarë duhet të dini për belbëzimin?

Faza kur fëmija fillon e përvetëson të folurit është shumë e rëndësishme. Ka fëmijë që mësojnë të flasin shumë herët siҫ ka të tjerë që e përvetësojnë vonë të folurit. Një pjesë e fëmijëve hasin vështirësi në shqiptimin e disa fjalëve ose në lidhjen e tyre. Kjo njihet si belbëzimi ose marrja e gojës.


Ҫ’ËSHTË BELBËZIMI?


Belbëzimi është të folurit jostandard, i cili shprehet në formë të përsëritjes së tingujve, ndaljeve, pauzave dhe vënies së tingujve të panevojshëm gjatë të folurit. Belbëzimi zakonisht përcillet me anksiozitet, frikë nga të folurit, ikje nga të folurit dhe situatave të të folurit, ikje nga kontaktet vizuale me bashkëbiseduesin, me lëvizje të pakontrolluara të kokës dhe gjymtyrëve, me frymëmarrje të ҫrregullt gjatë të folurit, përshpejtim të ritmit të zemrës, etj. Gjatë fëmijërisë së hershme fëmijët nuk janë të vetëdijshëm që të folurit e tyre devijon nga të folurit e moshatarëve ,dhe  në përgjithësi nga të foluri e rrethit. Mirëpo, fatkeqësisht, me kalimin e kohës e sidomos nën ndikimin negativ të rrethit, fëmija fillon ta ketë të qartë që të folurit e tij dallon nga ai i të tjerëve. Për ta mbizotëruar belbëzimin, fëmija i moshës shkollore, e sidomos personi i rritur, përdor mënyra jo të zakonshme të të folurit dhe sjelljeve me anë të gishtave dhe mimikës.


ETIOLOGJIA


Përsa i përket etiologjisë (prejardhjes) së belbëzimit, mendimet e shkencëtarëve që merren me këtë fushë studimi  janë të ndryshme. Disa shkencëtarë mendojnë se ai ka prejardhje organike sepse zakonisht shfaqet në moshën parashkollore, më shpesh paraqitet te djemtë se te vajzat. Është i lidhur me dominimin cerebral ( të trurit). Ka premisa familjare, ndërlidhet me të folurit e vonuar si dhe me ato situata të cilat individi i percepton si të vështira. Ndërkaq, shkencëtarët e tjerë janë të mendimit se belbëzimi mund të shkaktohet nga të kufizuarit e tepruar apo si pasojë e kërkesave tejet të mëdha të prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Me fjalë të tjera, ka prindër që janë tepër anksiozë, perfeksionistë dhe që tregojnë një frikë të tepruar për të folurit e fëmijës. Kjo frikë e prindërve kalon pastaj te fëmija, duke krijuar në këtë mënyrë çrregullime të vërteta të të foluri të tij.


Rekomandime të rëndësishme lidhur me belbëzimin 


Këto rekomandime dhe shqyrtime duhet t’i kenë parasysh prindërit e fëmijës i cili, përsërit, ngurron, dhe ndalet gjatë të folurit. 


Përsëritjet dhe ndaljet  shfaqen në fazën e zhvillimit të të folurit (në moshën 3-5 vjeç).

Shmanguni bisedës për ndryshime në të folurit e fëmijës kur ai është prezent. Nëse ai këtë e kërkon vetë, atëherë atij i jepet përgjigje konkrete. Mirëpo, sa më gjatë që të jetë fëmija i pavetëdijshëm për ndryshime të tilla, aq më të mëdha janë gjasat e tij për ta zotëruar të folurit e rregullt.


Është e nevojshme që fëmija të ndihet i sigurt duke qenë i rrethuar me dashurinë e prindërve dhe të rrethit. Disa të rritur janë aq të papërgjegjshëm sa që mund të shkaktojnë te fëmija pasiguri  dhe ngurrim gjatë të folurit.

Mbani qëndrim të qetë gjatë dëgjimit dhe bisedimit me fëmijën. Në këtë mënyrë ai do të jetë më i qetë, kështu që do të zvogëlohet pasiguria dhe ngurrimi në të folurit e tij.

Bëhuni i durueshëm dhe kushtojani fëmijës aq kohë sa i nevojitet për ta thënë atë që dëshiron. Mos shprehni pakënaqësinë (mërzinë) për shkak të vështirësive të tij gjatë të folurit. 


Mos ia plotësoni fjalët dhe mos i përsëritni fjalët e tyre, përveçse nëse kjo është e domosdoshme (kriza e përgjithshme). 


Këshilla:


- Fol ngadalë.

- Mos lejo një stuhi truri, plot mendime të të ngatërrojë e të të drejtojë.

- Lidhi fjalitë më përpara në trurin tënd, pastaj nxirri nga goja.

- Lexo shumë, edhe pse disa herë të njëjtin libër, psikologet kanë arritur në konkluzionin se personat që lexojnë shumë dhe riprodhojnë mekanikisht materialet  e lexuara, nuk kanë probleme me të folurin.

- Lexo me zë të lartë, shpesh herë të lexuarit me zë është shumë efikas, sepse e dëgjon informacionin dhe mundësia për ta kuptuar dhe riprodhuar më vonë është më e madhe.

- Listo në  një letër fjalët, të cilat ke probleme me shqiptimin  e tyre dhe mundohu që ti përsërisësh shumë herë që të familjarizohet goja me shqiptimin e tyre.

- Në qoftë se nuk arrin t’i shqiptosh mirë, gjej fjalë të tjera të ngjashme me to.

- Fol me mësuesit dhe shokët e shkollës dhe tregoja atyre problemin që ke.

- Falenderoji ata që të kuptojnë dhe që kanë durim të të dëgjojnë.

- Këndo shumë sidomos këngët e njohura, të kënduarit është një metodë shumë e mirë për të minimizuar sadopak belbëzimin. 


Mos lejo askënd të të gjykojë për atë ҫ’ka je. Lufto gjithmonë për të arritur dëshirat e tua. Belbëzimi nuk të pengon për t’ia arritur qëllimit. Një numër shumë i madh njerëzish të rëndësishëm nga pozita e karriera e tyre, belbëzojnë ҫ’ka do të thotë se belbëzimi nuk është bërë shkak i frenimit të ëndrrave të tyre. Ndër këta të njohur vlen të permendim Winston Churchill, aktoren Marilyn Monroe, aktorët James Earl Jones, Bruce Willis, Jimmy Steëart, e shumë të tjerë. 


(Klodjana Gega; Portali Shkollor)

3,743 Lexime
6 vjet më parë