Profil

EURO 2016, fitorja historike mban emrin Armando Sadiku

Armando Sadiku shpërbleu besimin e trajnerit duke shënuar ndaj Rumanisë dhe duke i dhënë kombëtares së tij fitoren historike. Kjo bën që shqiptarët të besojnë për një kalim grupi të mundshëm

Pas natës historike të datës 19 Qershor ku Shqipëria shënoi golin e parë dhe fitoren e parë në një kompeticion të madh futbollistik si kampionati Europian EURO 2016 që po zhvillohet në Francë, më i përmenduri për kombëtaren Shqiptare padyshim është heroi i asaj nate, ai që shënoi golin historik, sulmuesi Armando Sadiku.

Armando Sadiku u lind më 27 Maj 1991 në Elbasan.

Djaloshi elbasanas bëri debutimin e tij në futbollin profesionist si lojtar i Turbinës së Cërrikut në sezonin 2007-2008 kur ai ishte vetem 16 vjeç. Më pas në vitin 2009 ju bashkua ekipit të Gramozit i cili sapo ishte ngjitur në kategorinë Superiore. Goli i tij i parë me ekipin e Gramozit erdhi pas vetëm 4 ndeshjesh në kampionatin elitë të Shqipërisë, por fatkeqësisht ishte një gol që nuk i solli shumë ekipit që humbi ndaj Skëndërbeut, që gjithashtu sapo ishte ngjitur në kategorinë Superiore, me rezultat 4-1. Sadiku në atë sezon luajti 28 ndeshje ku shenoi edhe 8 gola. Më pas, në merkaton e verës pasi Gramozi ra nga kategoria në atë sezon, ai nënshkruajti me ekipin e Elbasanit ku në sezonin 2010-2011 luajti 14 ndeshje dhe shënoi 5 gola. 

Nga ndeshjet e mira që kishte zhvilluar me skuadrat Shqiptare, Sadiku u pikas nga ekipi i Locarnos që lunate në Ligen Challenge në Zvicër. Ai debutoi me Locarnon ditën që firmosi kontraten, më 13 Mars 2011. Por goli i tij i parë në skuadrën e re erdhi pas tre ndeshjesh ku i dha fitoren ekipit të Locarnos ndaj  FC Chiasso duke shënuar golin e 2-1. Në atë sezon luajti 27 ndeshje dhe shënoj 19 gola. 

Më 13 Shkurt 2013 Sadiku që tashmë kishte ndryshuar klubin, por jo kampionatin, i shënoi ish-ekipit të tij, Locarnos, dy gola në fitoren 3-0 të skuadres së tij të re Luganos. Për të dytin sezon rresht me dy skuadra të ndryshme, Sadiku u shpall golashënuesi më i mirë. Në fund të sezonit 2012–13, ai regjistroi 18 gola në 32 paraqitje të zhvilluara me Luganon që e mbylli në vendin e shtatë. 

Pas këtij sezoni ai nënshkruajti për ekipin e Zyrihut. Por kjo eksperiencë nuk i la një shije të mirë pasi pothuajse dy javë nga mbylja e sezonit, Sadiku pësoi një dëmtim serioz që e la jashtë fushës së blertë për më shumë se 6 muaj. Ai u rikthye të luante më 22 Nëntor të vitit 2014.

Me kombëtaren shqiptare Sadiku u grumbullua nga trajneri Gianni De Biasi për ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë më 29 Shkurt 2012. Sadiku shënoi golin e parë me kombëtaren në ndeshjen hapëse të kualifikueseve të Kupës së Botës 2014 kundër Qipros, duke shënuar në pjesën e parë pas një krosimi të Alban Mehës. Ndeshja përfundoi me fitoren e Shqipërisë 3–1. Gjithashtu Sadiku shënoi golin e tretë edhe në ndeshjen e fundit të kualifikueseve për EURO 2016 ndaj Armenisë ku Shqipëria fitoi 3-0 dhe arriti kualifikimin historik në një kompeticion futbollistik madhor si kampionati Europian.

Gjatë kualifikueseve për Europianin EURO 2016, Sadiku nuk luajti shumë ndeshje për shkak edhe të dëmtimit që pësoi. Por trajneri Gianni De Biasi e grumbulloi në skuadrën e më të mirëve për të përfaqësuar kombin e tij. Pas dy ndeshjeve të para ku Shqipëria humbi ndaj Zvicrës 1-0 dhe ndaj Francës 2-0, Sadiku u aktivizua në të dyja ndeshjet dhe nuk arriti të shënonte, ai shpërbleu besimin e trajnerit duke shënuar ndaj Rumanisë dhe duke i dhënë kombëtares së tij edhe fitoren historike. Kjo bën që shqiptarët të besojnë për një kalim grupi të mundshëm. Mbetet për t’u parë!!

2,055 Lexime
8 vjet më parë