Krijim

Eseja prekëse e nxënëses Uendi Kunxhiu: Flitet shqip ku ka jetë të sigurt...

Edhe pse është vetëm në klasën e 6-të, Uendi Kunxhiu duket se e njeh mirë realitetin ku jetojmë. Ajo shkruan për fenomenin e bullizmit, për mos leximin e librave nga të rinjtë, ndërsa prekës është fakti se e ka një mendimin të sajin të qartë për largimet e shqiptarëve nga atdheu...

Jeta nuk është plastelinë që ne t'ia ndryshojmë formën si duam dhe sa herë duam, por as lodër që të luhet me të.


Frika se si do ta nisim ditën e tremb çdo njeri në ditët e sotme. Nga mëngjesi deri në mbrëmje prindërit rraskapiten për të mundësuar sadopak kushtet jetësore të fëmijëve. 


Fëmijët nga mëngjesi deri në mbrëmje mes angazhimeve që kanë ndeshen edhe me njëmijë problematika të ndryshme që prindërve as që iu shkon mendja e as që kanë kohë të mendojnë gjëra të tilla. Po jetojmë kohë të vështira dhe s'po gjejmë aspak qetësi apo siguri. Mendoj fenomene të ndryshme që u kanë ndodhur fëmijëve si vrasje, grabitje, përdhunime...dhe kam frikë të eci e lirë dhe e qetë në rrugicat e bukura të qytetit tim. 


Si unë dhe çdo fëmijë tjetër, ndeshet me fenomenin e bullizmit, ku në mos qoftë pjesë e tij vetë, janë shokët dhe shoqet. Teksa i dëgjon të bullizohen për mënyrën e veshjes, ku s'kanë ndoshta bukë të hanë, jo më për të blerë rroba të shtrenjta, të vjen keq e ndjen dhimbje. Bullizohen për ngjyrën, për të folurin, për sjelljen...pa kuptuar se sjellja më e keqe për një njeri është të paragjykojmë. Të gjitha këto, vetëm kur i mendon ta rrëmbejnë mendjen për në botën më të errët, pa menduar se problemi më i madh i ditëve të sotme është telefoni në duart e çdo fëmije. Edhe unë kam telefon, ku krejt mirë e di se jo vetëm më dëmton, por edhe më kufizon kohën, gjënë më të shtrenjtë për njeriun.


Librat kanë mbetur në pluhurin e çdo biblioteke pa i shkuar deri në fund rreshtit sepse ka pak lexues. Arsyeja që po lexojnë aq pak është se po ngatërrojnë 'google' me 'librin', fatkeqësisht.


Janë njëmijë e një arsye pse shoqëria sot është më shumë e prirur për të menduar negativisht se sa pozitivisht. Të ligat kanë mbytur ato pak të mira dhe jeta është aq e pasigurtë sa e vetmja zgjidhje ka mbetur 'ikja'.

Të ikësh nga vendi yt për një jetë të sigurt, përveçse zgjidhje, është edhe humbje. Një e ardhme e vendit pa ne që sot po ikim, do të jetë e pakuptimtë.


Duke i ikur frikës dhe pamundësisë për të ndryshuar këtë vend, enden njerëzit nëpër rrugët e botës dhe flitet shqip vetëm ku ka jetë të sigurt.


Nga Uendi Kunxhiu

Kl.VI, Shkolla "Ilia Qiqi", Burrel

Dhjetor 2021


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,239 Lexime
2 vjet më parë