
Ese nga nxënësja Ester Bregasi: Rikthimi te fëmijëria përmes “Mondo dhe tregime të tjera” nga Le Clezio
Eseja e Ester Bregasit, nxënëse në klasën IX-D të shkollës "Kushtrimi i Lirisë", shqyrton ndikimin e botës materialiste dhe rëndësinë e kthimit në fëmijërinë e humbur. Ajo analizon librin “Mondo dhe tregime të tjera” nga Le Clezio,botuar nga Albas, duke theksuar mesazhin mbi humanizmin dhe lidhjen me natyrën.
Ese nga Ester Bregasi, Klasa IX-D,
Shkolla Kushtrimi i lirisë, Durrës
Ne jetojmё nё njё botё materialiste dhe shpesh harrojmё tё ndihemi fëmijë.
Në një botë ku teknologjia dhe kaosi i përditshmërisë shpesh na largojnë nga vetja, libri “Mondo dhe tregime të tjera” nga Le Clezio, botuar nga Albas, na ofron një portë magjike për t’iu kthyer sërish jetës.
Me një stil të veçantë, autori, fitues i Çmimit Nobel, na sjell një koleksion tregimesh që janë më shumë se thjesht histori. Ato janë reflektime të thella mbi humanitetin, natyrën dhe misteret e botës që na rrethon.
Mondo, një djalë endacak, është një simbol i pastërtisë dhe lirisë. Përmes tij dhe personazheve të tjera në këtë libër, Le Clezio na fton të përjetojmë bukurinë e thjeshtësisë, duke rizbuluar lidhjen tonë me natyrën dhe jetën.
Çdo tregim është një udhëtim në mendjet e personazheve dhe në të njëjtën kohë, një pasqyrë për të kuptuar më mirë veten.
Sapo shohim një libër, pyetja e parë që na vjen në mendje është se përse duhet ta lexojmë?
Sepse ky libёr të çon përtej kufijve të të zakonshmes dhe të bën të ndiesh magjinë e botës që shpesh e anashkalojmë. Ndjenjat dhe mendimet e shprehura nga autori do të gjejnë vend në zemrën tuaj, duke ju bërë të reflektoni për atë që me të vërtetë ka rëndësi në jetë.
Mbi tё gjitha ky libër është një kujtesë e fuqishme për të mos humbur ndjesinë e të qenurit sërish të vegjël me atë kuriozitetin dhe pafajshmërinë e fëmijërisë.
Nëse ky libër do të jetë pjesë e bibliotekës suaj, është zgjedhja juaj, por ama duhet të dini “Mondo dhe tregime të tjera” nuk është vetëm një libër, por është një përvojë shpirtërore që do t’ju prekë thellë dhe do t’ju mbetet gjatë në mendje.
Jam e sigurt qё do ta gjeni veten nё botёn e Mondos, djalit endacak,i cili jeton njё jetё aventureske, nё jetёn e Lulabit, njё vajzё e cila gjen qetësi nё art dhe muzikë, ose nё jetёn e Bitinёs dhe yjeve tё saj.
Kështu, mos lejoni që ky udhëtim magjepsës t’ju kalojë pa e përjetuar. Merrni librin dhe lejoni veten të humbisni në botën e kësaj mrekullie të Le Clezio!
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Gjuha shqipe, një thesar i paçmueshëm i gjuhëve indoeuropiane” nga Arlind Kamberi
“Mësuesit e mi”, poezi nga nxënësi Antonio Shyti
Errësira e drejtësisë: Reflektime mbi hakmarrjen dhe dritën