POEZI

Ese argumentuese nga nxënësja Rea Metaj: “Shkrimtari ecën midis kurtheve, si Ulisi midis sirenave”

Po ndajmë me ju një ese të maturantes Rea Metaj nga shkolla “Ernest Koliqi” me të cilën ajo kishte fituar të drejtën për të vazhduar në Olimpiadën Kombëtare të letërsisë para periudhës së izolimit social. Ju ftojmë ta lexoni!

“Prandaj, afrohu, Ulis i lavdishëm, krenaria e madhe e Akejve, ndaloje anijen, dëgjo zërin tonë. Askush nuk kaloi kurrë me anijen e tij të zezë pa dëgjuar këngën tonë të ëmbël: dhe më pas ai u kthye më i lumtur dhe më i mençur”.


Ulisi ishte një luftëtar dhe lundërtar ndër më të zotët dhe të mençurit e Antikitetit. Ishte formuar për t’i bërë ballë deteve më të furishme, luftrave më të egra, problematikave më të vështira. Megjithatë, ai ndeshet me një sprovë krejtësisht të ndryshme nga çfarë ishte përgatitur: sirenat. Këto krijesa kaq të hijshme dhe joshëse kësaj radhe gjenden në një det të qetë, pa asnjë turbullim. Krijojnë iluzionin e një bote të dëlirë, të cilën qëniet mitologjike i bëjnë aq tërheqëse dhe të parezistueshme. Kërkohet një forcë e pamasë për të mos rënë pre e tyre, për të mos gjetur një fund tragjik si gjithë të tjerët.


Shprehja e mësipërme thënë nga buzët e çelura dhe marramendëse të sirenave ndjellin këdo në çarkun e tyre. Në po këtë vijë logjike mund të kalojmë dhe në një periudhë tjetër, disa shekuj më pas. Fjalë të tilla tërë ëmbëlsi përngjasojnë me një këngë tjetër, atë të shprehur në Realizmin tonë socialist. 


Paradoksi ngjason pak i pakuptimtë, ndonëse është shumë i lehtë për t’u shtjelluar. Akej të zotë kishte dhe në kohë të diktaturës: shkrimtarë të cilët mbanin kësaj radhe penën në dorë për të shkruar rreshta të pafundmë nga më të arrirët. Dhe ishin këta,  të cilët do të notonin në propagandën e kohës, ku mirëqenia ngrihej në piedestal, njeriu shfaqej tërësisht i ri, i lumtur dhe i begatë, jeta socialiste ishte mallëngjyese. Sirenat që nxirrnin këto fjalë kishin joshur mijëra artistë të tillë, duke i mallkuar të shkruanin e të besonin një realistet të pavend e të paqenësishëm.


Megjithkëtë, herë-herë shfaqej dhe ndonjë Ulis: shkrimtarë që nuk u përkulën nga muzika tjetërsuese. U ngritën kolosë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi e Petro Marko, të cilët i bënë ballë pengesave të kohës. Ata ecën midis kurtheve dhe rreziqeve të panumërta me vendosmëri. Nëse personazhi i njohur grek kishte si armë për t’u mbrojtur dyllin që të mos dëgjonte dhe litarë që të mos hidhej në det, shkrimtarët tanë përdorën mjete të tjera: metaforiken, alegorinë dhe simbolikën e pafundme. 


Por,  përse duhej ndërmarrë ky rrugëtim i tejmbushur me vështirësi, kur fundosja në rehati dhe dëlirësi vinte si zgjedhje pafundësisht më e lehtë dhe ndjellëse? Përgjigja është e natyrshme: gjithçka qe e rreme. Bota nuk ishte për t’u përfytyruar. Si mund t`i bëhej lavde një jete të mjerë, ku njerëzit vuanin për ushqim, dergjeshin për pak më shumë liri dhe vdisnin për një mendim që nuk përputhej me dogmën? Ku qëndron e moralshmja në gënjeshtrën, në hedhjen hi ndaj syve të mijëra lexuesve, të cilët thjesht duheshin mbajtur nën kontroll me iluzione të tilla?


Një iniciativë e tillë disidente ishte revolucionare për kohën. Regjimi kishte krijuar një flluskë për të përmbajtur masën, por dihej që ishte e paqëndrueshme.

 “Sirenat magjepsin me këngën e tyre të ëmbël, të ulura në lëndinë; rreth tyre kanë grumbuj eshtrash njerëzish të kalbur.”

 Këta shkrimtarë i lindi nevoja, për të mos u kalbur vetë, që të shpëtonin edhe pjesën tjetër të njerëzimit.



Rea Metaj, Klasa XII, shkolla “Ernest Koliqi”, Tiranë.


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,498 Lexime
4 vjet më parë