
Errësira e drejtësisë: Reflektime mbi hakmarrjen dhe dritën
Eseja "Drejtësi, diell dhe hakmarrje" është shkruar nga nxënësi Fahrudin Dungaj, dhe trajton tema të thella filozofike rreth drejtësisë, hakmarrjes dhe errësirës që ka mbërthyer shoqërinë. Përdor figura si Platoni dhe Sokrati për të shprehur dëshirën për një drejtësi të vërtetë dhe të arritshme.
Ese: “Drejtësi, diell dhe hakmarrje”
Shkroi nxënësi Fahrudin Dungaj
Drejtësia, vepër e së drejtës apo hakmarrjes?!
Një zë i largët u dëgjua: “Hej, a ka diell këtu?!” Zëri vazhdoi të kumbonte ndërsa unë largohesha nga planeti i shkrumbuar. Një botë pa drejtësi, pa “diell”, pa hakmarrje?! Ç’është ky terr i përbindshëm, që si një mantel i akullt ka mbështjellë dhe na ka zhytur në një errësirë të pafundme, ku drita duket si një ëndërr e largët dhe e paarrirë? Në pritje më dolën (përsëri) Platoni dhe Sokrati, më ftuan në vorbullën e mendimeve të tyre. Në universin e tyre të vjetër, drejtësia nuk ishte premtim, por veprim. Po ne, ku kemi mbërritur?
Ah, i gjori univers, i mjeri ai! I mbushur plot e përplot me krijesa të cilat pranonin krimin, por jo fajin! Më kujtoi një personazh, kjo fjali e fundit… Kërkojnë dritë, por nuk shohin përtej errësirës! Si sot, më kujtohen ëndrrat e dëshiruara. Makthi më i madh për ta, ishte të mos kishin ëndrra. Drejtësia ishte premtuar, por ende nuk kishte ardhur. U fundos nën stuhitë e acarta të atij dimri, u vonua mes letrave e dorëshkrimeve të palexuara e të heshtura nën notat e zymta, u shua nën hijen e harresës.
Ai i ftohtë i acartë më vjen ndërmend teksa shkruaj tani. I pamëshirshmi dimër, mban mbrapa vetes sekretet e lumturisë utopike, mbulon nën petkun e tij diellin, e sjell më vete ndjenjën e hakmarrjes hyjnore. Vetë hakmarrja të bën të ndihesh “hyjnor”…
Të marrësh rrugën drejt të panjohurës, është si të ecësh symbyllur; edhe pse rruga mbi të cilën ec është një nga lulishtet më të bukura, ti sërish ndien frikë. Bukuria “mashtron”, frika mbizotëron, ndërsa mendimet e blasfemta ndizen si yje të shuar…! A është drejtësia thjesht një enigmë e pazgjidhshme?! Vetë drejtësia është një enigmë, e cila mbetet e pazgjidhur edhe ashtu do të jetojë, ndoshta “nën hije”, deri në pafundësi.
“Paçavuret” e asaj fatkeqësie, që kishte zënë rrënjë mbi vendin tim… Në rrugët e mbuluara me gjak dhe lot, njeriusi i mjerë kërkon një dritë në fund të tunelit. Pritja është e gjatë, monotonia mbytëse. Bora e breshëri u “fal” mbi të, e përsëri në duar lotët mbledh i mban. I gjori e i mjeri, zgurdullonte sytë për të parë qoftë një dritëz në fund të këtij tuneli të errët, për të ndjekur gjurmët e humbura drejt të ardhmes së ndritur. Vazhdonte, po, përsëri vazhdonte e njëjta monotoni, që duhej pasur mëri, që duhej urryer! Ende pritej triumfi i së drejtës. A thua erdhi momenti i shumëpritur, ai çlirim nga zinxhirët e ndryshkur të asaj periudhe të errët?!
E në fund të historisë njerëzore, në rrënojat e një shoqërie të rraskapitur nga premtimet boshe dhe drejtësia e shtirur, duart e atyre që dikur u vetëquajtën shpëtimtarë—aktivistë, burokratë, politikanë “egalitaristë”—ngrihen drejt qiellit, por nuk gjejnë mëshirë. Në vend të faljes, ata shemben mes flakëve që vetë ndezën, si shpirtrat e humbur të Dantes, të dënuar jo nga hakmarrja, por nga pesha e pashmangshme e mëkateve të tyre. Në rrethin më të thellë të ferrit, aty ku tradhtia ndahet nga iluzioni i shpëtimit, ata përballen me gjykimin e pashmangshëm të kohës. Koha më për ta s’kishte kohë... Ironia e fatit? Edhe djalli vetë i gjykon!
Shprehja “Drejtësia nuk vlen nëse nuk mbrohet” mori kuptimin e plotë të saj.
Asnjë qeverisje që nuk është ndërtuar e mbështetur mbi parimet e drejtësisë, nuk ka kurrëfarë shansi të mbijetojë apo të ketë jetëgjatësi. Drejtësia duhet të jetë si dielli; të ndriçojë çdokënd njësoj. Tanimë dielli perëndonte në lindje…!
Me shpresën për një botë më të drejtë…
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër falenderimi për mësuesen time
“Shkolla ime”, ese nga nxënësja Besarta Bracaj
“Gjuha shqipe, një thesar i paçmueshëm i gjuhëve indoeuropiane” nga Arlind Kamberi