Letra e nxënëses

Emi Alikaj: Unë i mësova shkronjat e bukura të gjuhës sonë

Këtë herë ju prezantojmë me vogëlushen Emi, e cila sapo ka përfunduar klasën e parë. Ajo rrëfen plotë entuziazëm dhe emocion rrugëtimin e fillimit të shkollës dhe përmbylljen me sukses, pavarësisht vështirësive të shumta prej situatës botërore të COVID-19.

Jam Emi Alikaj, 7 vjeçe, nxënëse në Shkollën “26 Nëntori”, Tiranë. Jam shumë e lumtur që mbarova Klasën e I-rë. Ishte një vit i vështirë për të gjithë, por me ndihmën e mamit dhe babit, ja dola me sukses, ta përfundoj më rezultate shumë të mira. Kur filloi shkolla, të them të drejtën kisha shumë frikë, pasi në kopsht ishim mësuar ndryshe. Në kopsht përveç mësimeve, luanim e argëtoheshim shumë me shokët e grupit, por shkolla është shumë ndryshe, duhet të kishim durim, e të punonim shumë. 



Kujtoj ditën e parë të shkollës, e veshur me fustanin tim të preferuar, me maskën e vogël në fytyrë dhe me tufën me lule në duar për mësuesen, e sikur mos mjaftonte kjo, edhe porosia e mamit që më vinte në çdo moment në mendje: -“Mos përqafo dhe puth asnjë, sepse virusi është kudo”. 

Pak nga pak u mësova me shokët e klasës, me ambientin e shkollës, me dërrasën e zezë përballë nesh e me zilen që binte e na njoftonte që ora e mësimit kishte përfunduar. Sa shpejt iku koha, dhe unë, ditë pas ditë, muaj pas muaji arrita të mësoj shkronjat e alfabetit dhe të shkruaj bukur fjalët e gjuhës sonë të bukur shqipe. 

Sa shumë u gëzuan prindrit dhe motra kur unë shkrova kartolinën e parë, ishte urimi për një vit të ri më të mirë se ai që iku. Edhe unë në fakt u ndjeva më e rritur dhe më e zonja e vetes. Oh sa qejf!

Mami më ka thënë që unë kur të rritem të bëhem mjeke, por unë në fakt dua të bëhem juriste, nuk e di pse më pëlqen shumë të jem avokate, ndoshta sepse kam dëshirë të ndihmoj njerzit e pambrojtur. Shpresoj mami mos të mërzitet kur ta lexojë këtë që kam thënë :). 

Dhe ja ku erdhëm në festën e abetares, në Festën e bukur të Shkronjave, të pregatitur me shumë dashuri e përkushtim nga mësuesja jonë, ku unë bashkë me shokët recituam, kënduam e kërcyem. U kënaqëm shumë! 

Tani në fund të shkollës, përveç prindërve, falenderoj shumë mësuesen time të dashur, Lumturien, e cila na mësoi shkronjat e bukura të gjuhës sonë dhe na e bëri më të lehtë dhe të bukur klasën e parë.


Ndërsa për të gjithë fëmijët kam një mesazh: Të duan librin, pasi nëpërmjet tij mund të ëndërrojmë pafund! 



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.    

3,106 Lexime
3 vjet më parë