Mesazh fundviti

Elerda Dama, nxënësja e talentuar jep mesazhin më të bukur për festat e fundvitit

Ajo ka shumë pasione: modelingun, gjimnastikën, baletin, pjesëmarrjen në emisione televizive, vizatimet, librat, fotot; i pëlqen shumë matematika, por vogëlushja Elerd nuk zgjodhi të flas për asnjërën nga këto veçse të jap një mesazh shumë kuptimplotë për festat e fundvitit mbi bullizmin.

Edhe pse është vetëm 8 vjeçe, Elerda Dama është dalluar duke marrë pjesë në disa spektakle e aktivitete artistike, teksa ka performuar si modele, balerinë apo edhe si një engjëll që përcjellë mesazhe dashurie në “Dua të të bëj të lumtur”...

Vogëlushja ka shumë pasione të cilat i praktikon: i pëlqen shumë të bëjë gjimnastikë, të bëjë foto, të lexoj libra me përralla etj.  


Elerda, e cila është në klasën e 3-të të shkollës fillore “Sabahudin Gabrani” në Tiranë dallohet edhe për rezultatet shumë të mira në mësime, fakt i qartë ky që ajo nuk i përkushtohet vetëm pasioneve që ka, por edhe mësimeve, madje lënda e saj e preferuar është matematika. “Më pëlqen t’i mbledh numrat bashkë”, ka thënë ajo teksa ishte për një vizitë në redaksinë e Portalit Shkollor Albas. 

Tani gjatë ditëve të pushimeve dimërore ka zbuluar se dëshiron të merret edhe me vizatimet dhe pikturën. “Këto ditë që nuk po shkoj në shkollë më pëlqen shumë të vizatoj. Më pëlqejnë ngjyrat. I shoh më parë vizatimet nga youtube-i dhe më pas i hedh në fletët e mija ”, ka thënë Elerda. 


Me sinqeritetin e një fëmije ajo ka treguar se i ka shumë xhan shoqet e saj më të ngushta, Anjën dhe Hegesin. 

Por gjithsesi, neve na bëri përshtypje që nuk zgjodhi të fliste më shumë për pasionet dhe arritjet e saj që në moshë fare të vogël, se sa dëshiroi të përcillte një mesazh të bukur dhe tepër domethënës mbi fenomenin e bullizmit. 


Ja se çfarë zgjodhi ajo të shkruaj kur ne i kërkuam një mesazh për festat e fundvitit... 

“Përshëndetje!

Unë quhem Elerda dhe dua t’ju jap një këshillë ose mesazh:

Kur të jeni në kohë të vështira mos u dorëzoni sepse po u dorëzuat quhet që nuk provuat ta bëni atë gjë; po ju ofenduan ose po ju tallën, thoni: mua nuk më bëre keq, vetëm ke treguar vetën tënde dhe edukatën që të kanë dhënë prindërit e tu. 

Kudo që të jeni mos u dorëzoni kurrë dhe përpiquni të bëni sa më shumë gjëra të mira dhe jo të këqija. Mos gënjeni kurrë, vetëm të vërtetën tregoni”. 


A nuk është ky një mesazh i bukur për të reflektuar të gjithë, të rritur e fëmijë! 

Elerda ja del t’i bëj të gjitha fal zbatimit të orareve për secilin nga pasionet që zhvillon. Kështu na ka thënë teksa e kemi pyetur për këtë gjë.  


“Baletin e kam filluar qëkur isha 3-vjeçe. Mamin me babin i dua shumë se ata më mbajnë shumë mirë, më ndihmojnë dhe mi plotësojnë dëshirat”, ka thënë ajo me gjithë dashurinë që i dukej në shkëlqimin e syçkave të bukur, teksa faqet iu skuqën nga emocioni. 

Artistja e vogël Elerd, duket se ka disa ëndrra edhe për të ardhmen. Kur të rritet dëshiron që të bëhet ose gjyqtare ose bankiere dhe shpjegimi se pse zgjedh këto dy profesione ishte sa real aq edhe me doza humori: “Kur të rritem dua të bëhet gjyqtare ose bankiere. Gjyqtare që të gjykoj njerëzit e këqinj dhe t’i fus në burg dhe bankiere që të punoj në bankë dhe të fitoj lekë”. 


Në fund gjithë vizitën dhe bisedën me ne e mbyll me një mesazh kushtuar mësueses së saj Rezit, shoqeve dhe shokëve të klasës. 


“Unë uroj që të gjithë shokët dhe shoqet e mija të kalojnë sa më bukur Vitin e Ri dhe gjithashtu mësuesja ime Rezi të jetë e lumtur gjithmonë”.


Ne i urojmë suksese Elerdës dhe të gjithë bashkëmoshatarëve të saj shqiptarë kudo ndodhen me dëshirën që të gëzojnë shëndet dhe një fëmijëri të lumtur!



Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,155 Lexime
2 vjet më parë