TOLERANCA

Edhe gratë i shtypin gratë

Pak më shumë dashamirësi, në punë, në familje, në shoqëri do t’i ndihmonte gratë të kishin më vetëbesim, të ishin më të përparuara. Arritja e diçkaje shijon më tepër kur nuk bëhet me poshtërsi, por me bashkëpunim dhe mbështetje.

Nga Erisa Sipri


Shpeshherë dëgjojmë të propagandohet se gratë, kinse e mbështesin fort njëra-tjetrën, apo se gratë kurrë nuk i bëjnë keq sojit të tyre. A thua se përballë kemi të bëjmë me qenie kaq të mira sa kur vjen puna te shtëpia e tjetrit nuk fusin hundët, a thua se kur vjen puna te kunata nuk i thonë një fjalë që t’ia prishë trezinë, a thua se në një vend pune nuk i bëjnë lavde shefit e ashtu si padashje u shpëton ndonjë thashethemnajë për kolegen e zyrës. Dëshira për të qenë mbi të tjerët, për të qenë të parat, për t’u lavdëruar, për të tërhequr vëmendjen, për t’u ndierë qendra e shtëpisë, punës, burrit, shoqërisë i bën sytë e grave të mbingopen nga zilia, xhelozia dhe lakmia. Të gjitha këto ndjenja ndjellakeqe shkatërrojnë një sistem të caktuar. Nuk e di nëse është natyrë e vetë gruas, apo vjen si pasojë e mungesave të theksuara që kanë gratë karshi vëmendjes që në vegjëli.


Kur flasim për tolerancë ndaj gjinisë tjetër, pra, burrave fillimisht duhet të krijojmë tolerancë brenda vetes. Gratë duhet të jenë mbështetëse në familje sidomos në pozitën vjehrrë dhe nuse. Secila prej nesh ka nevojë për hapësirë, këtu jam dakord, por duhet kuptuar se vjehrra ka qenë një personazh i rëndësishmëm në familje ku burri, djali janë ndierë të varur nga shërbimi i saj, pra vjehrra është ndierë e rëndësishme në mikrobotën e vet. Brenda saj zien me kënaqësi mendimi se; burri, djali nuk bën dot pa të, derisa një ditë vjen e reja (nusja) dhe kjo vëmendje, kjo rëndësi, ky rol kërkon të përgjysmohet, këtu vihet në lojë molla e sherrit. Dëshirohet që të rejat të kuptojnë se kjo krizë që vjehrra kalon, të jetë sa më e butë dhe më e kuptueshme prej jush, kjo mund të bëhet fare thjeshtë si për shembull tek ndarja e detyrave, pra, nuk e mendoj të duhur një zëvëndësim i menjëhershëm e cila si pasojë do të sjellë vetëm xhelozi përçarëse.


E gjitha kjo vjen vetëm nëse zgjojmë brenda vetes pjesën e butë e mirëdashëse. Situata të tilla ku zilia nxitet me protagoniste gratë janë me shumicë, por duhet që një herë e mirë të kuptojmë se tolerancën më të madhe ta kemi brenda sojit, kështu përparimi do të jetë më i shpejtë. Rrallë dëgjojmë për gra që mbështesin njëra-tjetrën në punë, përkundrazi për pak vëmendje më tepër, kënaqim egon me poshtërimin e dikujt. Gratë shtypin njëra-tjetrën kur vjen puna për pozita profesionale, ndërkohë që duhet ta mbështesin njëra-tjetrën qoftë për një klimë më të mirë në punë.


Pak më shumë dashamirësi, në punë, në familje, në shoqëri do t’i ndihmonte gratë të kishin më vetëbesim, të ishin më të përparuara e mbi të gjitha të eliminonin më shumë probleme. Arritja e diçkaje shijon më tepër kur nuk bëhet me poshtërsi, por me bashkëpunim dhe mbështetje.



(Erisa Sipri)

3,187 Lexime
5 vjet më parë