Dua një tjetër ditë të parë…!
Nuk do ketë rrugëtim më të bukur se ky që keni nisur, nëse do i jepni pak nga shpirti juaj të gjithave: shkollës, mësuesve, librave, vetes dhe ëndrrave tuaja!
Në këtë prag vjeshte, sot në lagjen time të vogël mëngjesi agoi ndryshe… Për shumë ditë rresht zgjohej me “zhurmuesit” e vegjël shpërndarë në çdo cep të saj, kurse sot ata ishin shndërruar në zonjusha dhe zotërinj të vegjël, veshur me “kostume zotërinjsh” a “fustane princeshash”, ishin bërë të bukur te Zoti e ashtu përgjumësh iu drejtuan dyerve të shkollës.
Fytyra lozonjare të qeshura, e ndonjë edhe vetull-ngrysur se shkolla nuk i pëlqen fare, se mësuesja e lodh ndaj ai “nuk e ka xhan”. Të vegjël e të pafajshëm…, kam qenë dhe unë aq…, po njësoj si ata.
Pastaj ishin ata çapkënët e rritur gjimnazist, që iu kthyen shkollës sot me të vetmin problem primar se si do ja bëjnë me atë alarmin e orës 7:00. Edhe sa këta kam qenë e po njësoj kam bërë, qahesha e ankohesha aq shumë për atë të shkretë alarm… Pastaj, pasi ikën të gjithë ra çdo gjë në qetësi.
Të vetmit që s’pashë e që sytë i kërkuan me vështrimin mall-mbushur ishin misionarët e artë të dijes, po unë e di: ata kanë ikur herët…, para se ne të vegjëlve të na dilte gjumi…Ata kanë ikur për të pritur të vegjël e të mëdhenj e për të nisur një tjetër vit misionar bashkë më ta.
Të gjithë kishin ikur, unë isha ende këtu…M’i shkëputën mendimet zërat e prindërve që ktheheshin e ndanin merakun e përbashkët që kishin lënë dritën e syve atje pas atyre dyerve, që me siguri e them i kanë pritur krahë-hapur. Ndonjë nënë të re e shihje t’i dridhej zëri teksa fliste…, ndoshta s’kishte faj, ishte kthyer pas pa shpirtin marr me vete tani, shpirtin ja kishte lënë të voglit të saj. S’ua njoh ndjesinë e s’di ç’të them, po kam kuptuar se dita e parë e shkollës për cilëndo moshë të fëmijëve për prindin është një emocion i madh.
Do doja ta kisha dhe unë ditë të parë sot… E thashë se kam qenë si të gjithë e do doja të isha sërish…Besomëni, s’ka gjë më të bukur se kjo që keni nisur sot! Për ju lozonjar të vegjël e ju çapkënë të rritur, pas atyre dyerve ka shumë dashuri që ju pret…, shkoni dhe ndjejeni, shkoni dhe jetoni, shkoni e rrituni me të. Për ju lozonjar të vegjël e ju çapkën të rritur, pas atyre dyerve ka horizonte të reja për t’i zbuluar e ëndrra të mëdha që presin t’i zgjoni e realizoni me gjithë energjinë tuaj që buron prej shpirtit. Mos u trembni, nuk jeni vetëm! Ato figura veshur në të bardhë, që sot i keni parë me sytë e ndrojtur e me faqet skuqur prej sikletit, ato figura janë me ju që t’ia dilni së bashku. Vetëm thojuni se po kërkoni diçka e ata do t’ju rrëfejnë udhën, në rrugën tuaj do keni më vete bashkë me bekimet prindërve edhe bekimet e tyre.
Më është dashur të rritem për ta kuptuar këtë, më është dashur të rritem për të ditur se sa shumë dashuri kam marrë, më është dashur të rritem që ta kërkoja dhe njëherë këtë ditë të parë.
Duajeni librin, duajeni shkollën, duajeni dijen si të vetmen rrugë shpëtimi që njerëzimi ka në dorë!
Buzëqeshuni me dashurinë e një fëmije çdo mëngjes atyre njerëzve fisnikë që ndërtojnë të ardhmen tuaj, buzëqeshuni dhe tregojuni se ja ua dini vlerën, buzëqeshuni e tregojuni se ju i doni njësoj shumë ata dhe dijen.
Nuk do ketë rrugëtim më të bukur se ky që keni nisur, nëse do i jepni pak nga shpirti juaj të gjithave: shkollës, mësuesve, librave, vetes dhe ëndrrave tuaja!
Ju qoftë rruga e ndritur e dashuria për shkollën e madhe!
Do e dua gjithmonë një tjetër ditë të parë…!
(Joana Osmenaj, Portali Shkollor)
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Poezi nga mësuesja Vera Ujka