"Drita në fund të tunelit…" nga Malvina Rista
“Drita në fund të tunelit…” është shkrimi letrar i Malvina Rista, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Jo shumë larg pikënisjes në rrugëtimin e një profesioni fisnik të arsimit, ndjehem e rrethuar dhe e shoqëruar nga një sërë aspektesh tërheqëse të ofruara nga misioni që ushtrojmë.
Mësuesia, sikurse dihet, mbart pesha specifike që shfaqin larmishmëri të dukshme dhe konkrete, të cilat sjellin raporte të veçanta me fëmijë të mrekullueshëm, me të cilët kalojmë përditshmërinë tonë.
Të tilla raporte mësues – nxënës s’ka se si të mos reflektojnë dhe ndikojnë në botën shpirtërore të secilit prej nxënësve, e për më tepër tek unë si mësuese e tyre!
Në vitin tim të parë të punës kam njohur një nxënës, i cili e pëlqente shumë filozofinë. Madje
njihte pothuajse të gjithë filozofët, që nga antikiteti e deri te modernistët.
Ishte një nxënës që mund të quhej me plot kuptim “enciklopedi”, i cili zotëronte në mendjen e tij të artë një lëmi të gjerë leximesh të gjinive të ndryshme, por i mungonte besimi në vetvete. Nuk e kishte të lehtë si fillim të fliste në mësim, por… kur shkruante, të mrekullonte me informacionet që dispononte mendja e tij, me interpretimet aq të arrira që i bënte çdo libri dhe autori të mundshëm.
Në çdo analizë cikli që zhvillonim në shkollë me kolegët, flisja me shumë entuziazëm për
Eljanosin.
Nuk i pëlqente lëndët shkencore, ama në ato shoqërore ishte i pari. Luftova shumë të ushqeja tek ai besimin që duhej të kishte në vetvete, derisa me kohën pësoi një përmirësim të dukshëm në këtë drejtim.
Duhej ajo pakëz rreze, vetëm aq…
Gjithmonë e motivoja, shokët e klasës e ndiqnin me vëmendje.
Fliste aq bukur!...
Në çdo orë që zhvillonim, ai do të fliste patjetër. Madje do të organizonim edhe diskutime sfiduese mes njeri-tjetrit, që t’i pëlqenin ato fitoret e vockla!
Sot, Eljanosi është pjesë e klubeve të ndryshme rinore, e shtëpisë së librit Kadare dhe ofron ligjërime në evente të ndryshme. Flet për çdo autor të mundshëm.
Pasi ka lexuar kaq shumë...!
Ai djalë ka një dhunti të jashtëzakonshme dhe jam e bindur që do të ecë shumë në jetë.
Ne jetojmë në botën e teknologjisë, dhe e besoni apo jo, Eljanosi ishte i vetmi në klasën e XI –të
që nuk dispononte një celular, por vendin e tij e zëvendësonte mjaft mirë libri. Ky thesar formoi një nxënës të kompletuar, një gurë të çmuar të shoqërisë së ditëve tona që duhet vlerësuar vazhdimisht.
Ndjehem tej mase e lumtur dhe përjetoj një kënaqësi të papërshkrueshme, kur nxënësi im më shkruan përherë, ndan mendime me mua, dhe më cilëson si personin kryesor që ka ndikuar kaq mirë në personalitetin e tij, teksa shprehet:
- Ju mësuese besuat tek unë! Ju jam përjetë mirënjohës!
Këto fjalë i mbaj me vete gjithmonë.
Jemi mëse të vetëdijshëm si profesionistë të fushës së arsimit, se detyra e mësuesit është të motivojë dhe frymëzojë, sidomos kur ka thesare të pazbuluar, që thjesht presin një dritë në fund të tunelit, e ku më pas me rrezet e tyre të ndritshme të na ndriçojnë të gjithëve.
Është më mirë të të besojnë, sesa të të duan!
Malvina Rista
Malvina Rista ka përfunduar studimet e larta për Shkenca politike, pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale. Është angazhuar që herët në fushën e mësimdhënies duke filluar si Ass.Pedagoge e lëndës Politika krahasuese në Universitetin e Tiranës. Punon pranë shkollës jopublike Nr.1, duke dhënë lëndë si: Filozofi, Ekonomi, Sociologji, Qytetari dhe Histori. Është organizatore e shumë eventeve dhe projekteve social – kulturore, e angazhuar me forumin e gruas dhe pjesëmarrëse në shumë trajnime në fushën ku ajo vepron. Është autore e disa shkrimeve pedagogjike të publikuara edhe në Portalin Shkollor.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Kudo që shkojmë na mbyllen dyert...” nga Marçela Tafilaj
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“Dashuri, që s’ka nevojë për fjalë” nga Elida Shkëmbi