Poezi

Disa poezi nga nxënësi Halit Trakanaku

Nxënësi Halit Trakanaku i shkollës “Sami Frashëri” në Belsh, ndan me ne disa poezi të tij. Të shkruarit është një nga pasionet e tij. Ju ftojmë të lexoni poezitë e mëposhtme.


Pasqyrë e shpirtit  



Në pasqyrë  të shpirtit tim  

Do lundroj me varkë pa vela  

Duke vështruar botën si vegim  

I humbur mes dallgësh , kaçurrela.


Mendja më fluturonte mbi ujin e kulluar  

Sytë më lageshin prej shiut me kripë  

Deti përmes çahej prej dashurisë së cunguar  

Në copa letrash, mozaikë. 

 

Si t’i ngjisja vallë këto letra?  

Më dukej disi e vështirë  

Një det të tërë me kthetra  

Që të gërricnin e të rripnin pa mëshirë.


Nuk e di ç’telajo do formohej  

Prej këtyre grimcave ngjyra-ngjyra  

Por me siguri do trazohej  

Një det i pafundmë me qindra fytyra.


Dot nuk arrita ta bëja kristal  

Atë ujë të magjishëm  

Që për pak desh e ktheva në moçal  

Detin e bukur e të volitshëm. 


(Sqarim: Deti simbolizon jetën tonë , çdo njeri e ndërton si dëshiron jetën e tij dhe “lundron” në pasqyrimin e gjërave të krijuara në këtë jetë. Lundron i drejtuar nga këto gjera dhe jo nga vela, përpiqet të depërtojë mes pengesash të dendura dhe të shtrembra si kaçurrela. Jeta e një njeriu është e përbërë jo vetëm nga vetvetja e tij, por nga shumë njerëz që hasen dhe takohen gjatë rrymave te saj ashtu sikurse deti me shumëllojshmërinë e tij përbrenda. Ajo është e vështirë dhe ka njerëz që zakonisht gërricen me ty apo të rrjepin në kuptimin që të lëndojnë. Pra e thënë ndryshe, jemi ne ata që ndërtojmë jetën dhe në fund jemi po ne ata që lundrojmë në pasqyrimin e saj.)  



Në stacion do pres!  


Në stacion të trenit do jem  

I vetmuar e i brengosur  

Në duar me një shishe helm  

Si i marrë ndër të gjallë i groposur.

  

 Do pres gjer sa të agohet  

S’ka rendësi në diell a shi  

Për mua çdo gjë përballohet  

Përveçse zhurma e trenit breshëri. 

 

Do i rri zgjuar natës së pafundme  

I shtrirë mbi një pllakë të mermertë  

Duke vështruar minutat me zor të kalueshme  

Për të pritur trenin e orës dymbëdhjetë.

  

 Dhe më në fund kur treni të mbërrijë në stacion  

Për mua nata do mbarojë 

Tashmë një jetë e re rifillon  

Falë pritjes së gjatë dhe trenit që e pasoi … 


(Sqarim: Jeta ne thelb të saj nënkupton pritje. Gjatë të gjithë ciklit jetësor ne jemi në pritje të asaj çka fati rezervon dhe të asaj që ne ndërtojmë. Edhe momentet më të vështira, thjeshtë duro, durimi është parësor. Gjërat vinë si pasojë e asaj që ne kemi bërë prandaj lëre kohën të të shpërblejë.)

 


Rrëzë kafazit të shpirtit!  


Jetoj në mjegullnajën e mendimeve të mia  

Mbyllur në kafazin e shpirtit tim  

Lundroj në morinë e ëndrrave lugina  

Me zëne më të voglin frymëzim  

 

Përpiqem të rrok çelësin e mallkuar 

Që ta hap një here e mirë të ligështinë dryn  

Të jetoj dhe unë jetën ideale ,me gonxhe zbukuruar  

Porsi harabel që kënaqet me flladin që frynë.

  

Do përpiqem gjer sa ta realizoj  

Mos , mos më thoni ide utopike  

Derën e kafazit në ajër do shpartalloj

E kurrë mos u pafshim do i them kësaj jete toksike.

  

 Hëh , do ta quaja toksicitet komunist  

Që dita-ditës po më mbyt  

Në këtë realitet egocentrist  

Që sa po vjen në humnerë më thellë po më zhyt.


Por nuk dorëzohem, do luftoj  

Se jeta e tillë, qenka luftë  

Gjer sa derën e kafazit në ajër të shpartalloj 

Të valëvis i lire si ndër shkopinj flamujt...  


(Sqarim: Kjo poezi në një farë mënyre ngre ne piedestal lirinë , si gjëja me e çmuar që zotërojmë . Edhe pse liria fizike mund te jetë e kufizuar , liria le ta themi absolute ekziston ne mendimet dhe në imagjinatën e njeriut që mediton . Por rëndësishme është përpjekja që bën  gjithsecili prej nesh , për të ruajtur LIRINË. Tashmë më vjen ndërmend të citoj fjalët e filozofit Seneka : "Filozofi është i lirë edhe në burg".)  



Perëndim dhe agim-përgjigja ...


Në dritën e diellit të shëmtuar 

Qëndroja i ulur këmbëkryq 

Duke soditur ndër liqenin e kulluar.

 

Bashkë me rrezet fjalëkryq  

Kisha orë e përgjigje s’gjeja  

Shfletoja libra si “ i çmendur “  

Por dot kohën nuk e ktheja.

  

Sepse nata tashmë kishte fjetur  

Në agim dielli kishte lindur plot shpresë 

mbi qerpikun tim të mbyllur  

Jeta vazhdonte në rrugët dhe tavolinat e kafenesë

Edhe pas një nate të errët e të vyshkur ...


(Në këtë poezi kam dashur të tregoj që të gjithë jemi kalimtarë në këtë jete dhe përgjigja e enigmës së jetës është e thjeshtë , "lindje -agimi" dhe "vdekje - perëndimi". E rëndësishme është gjëja që lemë pas , dashuria që dhurojmë dhe shijimi në maksimum i jetës tokësore .) 





Nga Halit Trakanaku

Nxënës i shkollës “Sami Frashëri” Belsh


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,331 Lexime
1 vit më parë