“Dimër malor”, përshkrim nga nxënësja Samanta Braka
Ky është një përshkrim për natyrën shkruar nga nxënësja e klasës së gjashtë Samanta Braka, shkolla “Naim Frashëri”, Fier. Figurat letrare që ajo ka përdorur në këtë detyrë, në lëndën e gjuhës shqipe, janë vërtetë të zgjedhura.
Ndër pamjet më të bukura të natyrës së bekuar shqiptare janë padyshim malet. Malet që bashkohen me qiellin i kanë trembur armiqtë kurdoherë.
Mali i Nemërçkës qëndron si “Himalajë’’ në jugun e vendit tonë. Maja e malit bashkohet me qiellin dhe qëndrojnë bashkë jetë e mot. Retë duken si një tufë me shqerra që lodrojnë mbi majat e maleve. Vende-vende qielli u ka falur ndonjë qeleshe të bardhë majave më të ulëta. Në disa vende të tjera bora ka zënë shtratin e saj. Maja të thepisura, të ashpra, me një egërsi të bukur krijojnë një panoramë mahnitëse. Mali qëndron kryelartë si trimat shqiptarë në beteja.
Dashamirës që lejon që të ketë jetë pranë tij. Bimë të ulëta guxojnë të rriten e të zbusin kryeneçësinë e tij. Ngjyrave të ftohta u zë vendin ngjyra e jetës, e shpresës: e gjelbra.
Pemët herë të veshura e herë të zhveshura janë spektatore të përhershme të pamjeve spektakolare që krijon mali. Ato shohin pamjet e mrekullueshme që ndryshojnë orë më orë. Një erë e ftohtë ledhaton faqet e pemëve.
Shikoj këtë pamje ku retë kanë gjetur strehën e tyre dhe kuptoj që sado ngjyra të ftohta të jenë, aty përsëri ka jetë.
Nga Samanta Braka
Klasa VI
Shkolla “Naim Frashëri”, Fier
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ese “Jeta njerëzore është një dhuratë shumë e çmuar”
Shtëpia jonë (mjedisi)
Letra e nxënëses shqiptare për presidentin e Sirisë