Dhurimi i librave

“Dhurimi i librave artistikë për pasurimin e bibliotekës së klasës”, një nismë e cila duhet praktikuar në çdo shkollë

Nxënësit e klasës së III-a, të shkollës “Protagonistët”, së bashku prindërit e tyre dhe mësuesen ndërmorën një nismë të re dhurimi librash. Kjo nismë në fakt është tepër frymëzuese për t’u zbatuar në çdo shkollë, në mënyrë që fëmijët të qëndrojnë larg ekraneve dhe sa më pranë librave.

Nxënësit e klasës së III-a, të shkollës “Protagonistët”, së bashku prindërit e tyre, nën kujdesin e mësuese Dolorës, ndërmorën një nismë të re: “Dhurimin e librave artistikë për pasurimin e bibliotekës së klasës”. 


Qëllimi i kësaj nisme ishte afrimi i fëmijëve me librin, në mënyrë që të qëndrojnë sa më larg lojërave elektronike dhe ekraneve, të cilat po kultivojnë agresivitetin tek brezi i ri, si dhe pasojat për shëndetin, dobësimin e shikimit, etj. 


Mësuese Dolora Shena, na thotë që këtë nismë e nisi me synimin e qartë, për të drejtuar nxënësit drejt librit dhe sidomos, kur ata kanë kohë të lirë të lexojnë brenda mjedisit të klasës. Për këtë arsye, ajo këmbënguli që nxënësit të kenë bibliotekën e tyre brenda klasës. 


Nxënësit patën edhe një bisedë me një shkrimtare, në mënyrë që të ndjejnë nga afër emocionet që përcjell libri.


Mësuese Dolora e finalizoi këtë nismë me një projekt ndërlëndor, ku të ftuar ishin edhe prindërit e nxënësve të klasës së III-a. Nxënësit së bashku me mësuesen e tyre kishin përgatitur dramatizime të disa pjesëve teatrale. Ata u argëtuan, duke u veshur nën petkun e personazheve. Atmosfera u ngroh edhe nga tingujt e këngëve për fëmijë dhe nga duartrokitjet e të pranishmëve. 

Projekte të tilla janë shumë të dobishme, sepse vetë nxënësit bëhen protagonistë dhe u kultivohet dashuria për librin. 

Në fund të aktivitetit mësuese Dolora u dha nga një certifikatë secilit nxënës për dhurimin e librave për pasurimin e bibliotekës së klasës.  Mësuese Dolora na thotë, që është krenare për këta nxënës të mrekullueshëm.

Suksese më tej nxënësve të klasës së III-a!



Nga Iriana Papamihali

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,376 Lexime
1 vit më parë