Refleksion

Dhjetori i festave në Gjirokastrën time

Mëngjeset janë të zhurmshme, pasi kalldrëmet zgjohen nga zërat e nxënësve të cilët “nuk janë dorëzuar”. Së bashku me mësuesit mund të dhurojnë një fundviti ndryshe, jo përmes përqafimeve, as përmes dhuratave, por përmes ekzistencës së të qenit së bashku deri në fund.

Prag fundviti sërish, në vendlindjen time Gjirokastër! Gjithmonë më kanë emocionuar festat sidomos ato të cilat mbledhin së bashku familjen, duke më kujtuar se gjithmonë edhe kur dikush nga pseudomiqtë të ka harruar, ajo është e vetmja përmes së cilës mund të marrësh ngrohtësi.


Ky prag fundviti qenka ndryshe këtë herë, do të mungojnë shkëmbimet e dhuratave, përqafimet, trokitjet e gotave, puthjet e të dashuruarve, do të mungojnë marrëdhëniet njerëzore, ato pa të cilat njeriut duket sikur i kanë “mohuar” ekzistencën, do të mungojnë apo… 


Njerëz të mirë dhe të këqij mendoj se nuk ka, ka thjesht zgjedhje: të qenit në anën e mirë ose të keqe! Fund dhjetorët kanë treguar se njerëzit “zbuten” gjithmonë edhe ai “pakëz” egoizëm, cinizëm, dashakeqësi “shkrihet” me festat, ose më saktë përzihet me “dozën pozitive” që bartin zemrat e pastra duke u shndërruar kështu në “më pak” për fundvit! Edhe këtë herë mendoj se do të ngjasë kështu! 


Gjithçka shkëlqen ne Gjirokastrën time, dritat, ngjyrat, aq sa dhe gurët e sokakëve të lagur nga shiu dimërak xixëllojnë përmes fikje-ndezjes, gjithçka si dikur në vendin e vet, por mbrëmjeve mbizotëron heshtja! 


Të gjithë së bashku struken brenda strehëve për t’u kujdesur, shijuar, jetuar me njëri-tjetrin, për të qenë më afër, për t’u dashur dhe për të kuptuar se jeta është e bukur, edhe atëherë kur njeriu ka kujdes! 


Mëngjeset janë të zhurmshme, pasi kalldrëmet zgjohen nga zërat e nxënësve të cilët “nuk janë dorëzuar”, ata shkojnë në shkollë, sepse kanë kuptuar se rrezikun më të madh e përbën moskujdesi, mosrespektimi i rregullave, por mbi të gjitha kanë kuptuar se së bashku me mësuesit mund të dhurojnë një fundviti ndryshe, jo përmes përqafimeve, as përmes dhuratave, por përmes ekzistencës së të qenit së bashku deri në fund, të punuarit për të pasqyruar dëshirën për të jetuar!


Dhurata këtë vit e di që do të ketë, përqafime po ashtu, edhe trokitje të gotave në natën e ndërrimit të viteve, por me kujdesin dhe dëshirën e mirë që ky fundvit mos të jetë i fundit për askënd! Gëzuar festat qyteti im i gurtë Gjirokastër! Gëzuar festat e bukura, Shqipëri!


Nga Desela Nuredini, mësuese e Gjuhës shqipe dhe e Letërsisë, pranë gjimnazit "Asim Zeneli",Gjirokastër.



Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


 

3,604 Lexime
4 vjet më parë