Cogito ergo sum (Mendoj, jam)
Ndër thëniet filozofike të të gjitha kohërave, mbase më e njohura është ajo e Dekartit “Cogito ergo sum” (Mendoj, pra jam)...
RËNE DEKART
Kronologji
• Lindi në vitin 1596 në La Hej, në Francë.
• Në vitin 1616 u diplomua për drejtësi në Universitetin e Puatierit.
• Më 10 nëntor të vitit 1619 filloi të mendonte për parimet, të cilat më vonë do të përbënin veprën e tij.
• Në vitin 1637 boton veprën Diskutim për metodën.
• Në vitin 1637 boton tekstin Gjeometria si shtesë të veprës Diskutim për metodën.
• Në vitin 1641 boton veprën Meditime për filozofinë e parë.
Rëne Dekarti konsiderohet si matematikani dhe filozofi i parë “modern”. Metoda e tij sistematike dhe logjike shkencore ishte revolucionare dhe ka mbizotëruar në filozofi për më shumë se tre shekuj. Më e rëndësishme është, së paku nga këndvështrimi i këtij libri, se qasja e tij ka sjellë ndryshimet, të cilat, në thelb, kanë ndikuar në të ardhmen e matematikës dhe të shkencave ekzakte. Para se të zhvendosej në Holandë në vitin 1628, ku krijoi të gjitha veprat e tij, Dekarti, si një njëzetvjeçar i diplomuar në drejtësi, kaloi njëfarë kohe në shërbimin ushtarak. Në vitin 1649 pranoi të bëhej mësuesi personal i mbretëreshës së Suedisë, Kristinës. Njeriu, i cili gjatë tërë jetës ishte zgjuar vonë dhe që i pëlqente të rrinte ngrohtë në shtrat, duke pranuar se kjo e ndihmonte të thellohej në mendime, iu dorëzua klimës së ftohtë suedeze. Brenda disa muajve Dekarti u sëmur nga pneumonia dhe vdiq.
FANTAZIA FILOZOFIKE
Tri dekada më parë, natën e 10 nëntorit të vitit 1619, në llogoren ushtarake në Danub, jeta e Dekartit ndryshoi përgjithmonë dhe ai u fut në rrugën e famës. Më vonë ai ka treguar se tërë atë natë kishte ëndërruar parimet, të cilat u bënë baza e punëve të tij të mëvonshme. Nga ato ëndrra i mbeti vendimi që duhej të zgjeronte patjetër teorinë se si mund të bashkohet e gjithë dija në një shkencë të vetme e të plotë. Menjëherë filloi të mendonte për mënyrën se si mund të arrihej te sistemi i të menduarit. Nga ana tjetër, kjo e bëri të vinte në dyshim burimet dhe vërtetësinë e të gjitha dijeve ekzistuese. Fillimisht shmangu një pjesë të madhe të dijeve të pranuara deri atëherë dhe u betua se do të pranonte vetëm ato dije për të cilat, në mënyrë intuitive, do të mendonte se ishin të sakta përtej çdo dyshimi. Artikulimi i plotë i këtyre proceseve erdhi në vitin 1641 me veprën e tij Meditime për Filozofinë e parë. Libri bazohet në thënien e famshme Cogito ergo sum (Mendoj, jam), prej ku fillonte, nëpërmjet një metode sistematike, analiza e detajuar mendore. Por kjo e çoi te një interpretim mekanik, i pavarur i botës natyrore, ide që përforcohet në veprën e tij metafizike Parimet e filozofisë të vitit 1644. Këtu ai është munduar ta paraqesë gjithësinë sipas një sistemi të vetëm logjik, sipas ligjeve mekanike, që ai kishte parashikuar më parë, të cilat edhe pse kishin ndonjë pasaktësi, do të kishin ndikimin e tyre të rëndësishëm veçanërisht pas shpjegimeve bindëse të Njutonit. Dekarti ka shpjeguar se edhe trupi i njeriut u nënshtrohet ligjeve të njëjta sikurse edhe trupat e tjerë, me të vetmin ndryshim se bashkë me trupin qëndron mendja, e cila vepron si tërësi e veçantë.
VËRTETËSIA MATEMATIKORE
Dekarti ka besuar thellë në vërtetësinë logjike\ të matematikës. Ka ndier se me përdorimin e saj mund të arrihet deri te shpjegimi i përkryer i të gjithë gjithësisë. Këtu qëndron edhe merita e tij e madhe në matematikë dhe në shkencat natyrore. Në shtesën mbi Diskutimet, të quajtur Gjeometria, Dekarti u përpoq të përshkruante përdorimin e matematikës në paraqitjen grafike të pikës në sipërfaqe. Kjo e çoi deri te zbulimi që ne e njohim si sistemi koordinativ kartezian, që tregon vendndodhjen e pikës të paraqitur me anë të boshteve X dhe Y pingule me njëri-tjetrin (dhe në rastin e tri përmasave shtohet edhe boshti i tretë i lartësisë). Kjo metodë ka mundësuar që për herë të parë, me anë të shprehjeve algjebrike (të cilat përmbajnë X, Y apo madhësi të tjera grafike), të përshkruhet kurba apo objekte të tjera të ngjashme gjeometrike. Madhështia e zbulimit të Dekartit është se bashkoi algjebrën dhe gjeometrinë, me të cilën, së paku në teori, është hapur rruga e parashikimit të së ardhmes të secilit objekt në gjithësi në bazë të njohjes së vendndodhjes dhe sjelljes së tij fillestare. Një qasje e tillë matematikore ndaj gjithësisë e ka bërë Dekartin të deklarojë: “Më jepni materien dhe lëvizjen, dhe unë do t’ju ndërtoj gjithësinë”.
“Cogito”
Ndër thëniet filozofike të të gjitha kohërave, mbase më e njohura është ajo e Dekartit “Cogito ergo sum” (Mendoj, pra jam). Ajo ishte rezultat i eksperimentit mendor, të cilin Dekarti e bëri me qëllimin që të gjitha bindjet e tij, nga e para deri tek e fundit, t’i nënshtrohen dyshimit se kuptim përmbajnë vetëm ato të vërteta, për të cilat ka sqarime logjike. Ai ka thënë se çdo përvojë e mbështetur “COGITO” (NJOHJA) te ndjesitë mund të jetë rezultat i shantazhit të ndonjë demoni të keq (në variantin bashkëkohor ai do të ishte një shkencëtar i keq, i cili mbikëqyr mendjen njerëzore dhe e ushqen me informacione të rreme, si në filmin “Matrix”). Sikur ai vetë nuk do të ekzistonte, ai demon nuk do të mund ta gënjente. Vetë fakti që është i aftë të dyshojë, vërteton se ai ekziston.
Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai
(Portali Shkollor)
Elementet, vepra më e shquar e Euklidit në gjeometri
Ndikimi i Bejkënit në të ardhmen e shkencës
Këta janë top 10 diktatorët më brutalë në histori (foto)