Teknologji

“Celularomania, fenomen i shoqërisë bashkëkohore”

Duke qenë një tendencë, apo prirje e kohëve të fundit, celularomania tenton të shfaqet mbi të gjitha në lidhje me aspektet e brishta të inidividit, dhe ravijëzohet dhe më qartë në linjat e mohimit të këtij fakti.

Në ditët e sotme, duke konsideruar impaktin e fuqishëm të teknologjisë dhe rëndësinë që ajo përshfaq gjithnjë e më shumë në veprimtaritë tona, vërejmë se përmasat gjithnjë e më të gjëra që merr aq dhe varësinë ndaj saj. Veçanërisht kur vjen fjala te telefonat celularë, me gamën e gjerë të funksionalitetit që ofrojnë dhe me konkurencën e vazhdueshme për të shkuar drejt perfeksionimit të këtyre mjeteve të komunikimit, por që tashmë i kanë superuar qëllimet e funksionit vetëm komunikativ; hasim në një fenomen të ri por që rritet fuqimisht si celularomania.


Duke qenë një tendencë, apo prirje e kohëve të fundit, celularomania tenton të shfaqet mbi të gjitha në lidhje me aspektet e brishta të individit dhe ravijëzohet më qartë në linjat e mohimit të këtij fakti.


Kështu nuk ndodh rëndom të shohim dikë pa një telefonon celular ndër duar, a thua se tashmë është pjesë e pandarë e fizikut, ku gjëma më e madhe është të harrosh këtë të fundit diku pa marrë me vete, por duke qenë realisht pjesë e komplikimeve me karakter patalogjik të lidhura me qafën, shtyllën kurrizore, shikimin, apo me sindromin e ri “gishti prej smartphone”, dhimbja e të cilit shkaktohet nga shkrimi për një kohë të gjatë në ekranin e telefonit.


Përtej faktit se shoqëria jonë po i vuan gjithnjë e më shumë këto probleme të shëndetit fizik, celularomania ndikon fuqimisht në marrëdhëniet humane, e njëkohësisht formësimin e planeve sociale, intelektuale, emocionale, apo shoqërore të individidit.


Përtej minimizimit të barrierave të komunikimit nëpërmjet telefonave të teknologjisë së fundit, në planin social kjo mani derivon në obsesion për të qenë gjithnjë në komunikim, gjithnjë të njohur me të rejat më të fundit të atyre që njohim apo nuk njohim, duke shkuar në trajtat e një përndjekjeje obsesive, e cila në do të realizohej në botën reale do të dënohej me doemos. Duke u përfshirë dhe vetë në vorbullën e postimeve, ndarjeve të çdo momenti nga jeta jonë, (ca më shumë të fryra e të kamufluara për të treguar sa “të bekuar jemi”), mes falsitetit të komenteve e impresioneve që lëmë e marrim në rrjete sociale thjesht per inerci, në ndjekjen e vazhdueshme për të mos humbur një lajm, që shumicën e kohës veç lajm nuk mund të quhet; humbasim kontrollin, duke qenë pre e thjesht një tringëllime telefoni e cila tregon se tashmë kemi një lajmërim.


Në një kohë ku qëllimi primar i celularit është ai komunikativ, zhytur në komunikimin virtual humbasim gjithnjë e më shumë sensin e atij real. Gjithnjë e më  të rralla janë bisedat e gjalla mes miqve a të afërmve përballë njëri tjetrit, të pandërprera nga celulari; sepse realiteti është thjesht një ton i vagullt zëri me sytë e ngulitur në ekran, por dhe heshtje absolute, pse jo duke komentuar pikërisht fotot e njëri tjetrit, apo ndonjë shkrim të ditëve të fundit, sepse komplimenti i bërë online e publikisht mesa duket shijon ca më shumë…


Celularomaninë përpiqemi ta justifikojmë gjithnjë e më shumë me faktin se ky i fundit është tashmë dhe një mjet ideal informimi sa dhe komunikimi. Kështu gjithologët e sotëm, gjejnë më së miri vetveten, mes ca rreshtash artikujsh e shkrimesh që s’janë gjë tjetër veç “fast-food”, por mjaftueshëm për tu hequr si të mirëinformuar, sepse në realitet leximi dhe informimi i vërtetë kërkon kohë, përkushtim dhe ndjesi. Në ndalemi ke ndjesitë, celularomania lidhet dhe me varësinë që krijojmë nga lojra të ndryshme, dëshira për tejkaluar nivele, afshi i lojës me sy ngulur në ekran, pse jo për të fituar dhe më shumë pikë se miku yt, i cili mund te jetë përkrah teje, dhe ai duke klikuar pa ndërprerë në ekran.


Janë të shumta fushat e përdorimit të telefonit me gjithë facilitetet që ai krijon, po aq sa dhe të shumta janë elementet që lidhen me varësinë dhe celularomaninë, të cilat përtej impaktit dhe trajtave që i japin marrëdhënieve e proceseve njerëzore në shumë fusha, mesa duket po orientojnë drejt një çrrregullimi psikologjik, një varësie nga e cila nuk mund të shpetojmë fare lehtë.


(Dorina Zhuka, Portali Shkollor)

3,146 Lexime
6 vjet më parë