TRADITA

Çdo gjë nis nga shkollimi

“Mësuesit janë ata që nga vegjëlia e deri sa bëhesh gati të kapësh jetën, të mësojnë e të durojnë, duke ndërtuar të parët të ardhmen tënde. Mirënjohje për çdo mësuese e mësues!”- Donika Bakiu, Albanologe.

 ‘’Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë’’ – Konfuci


’’Çdo brez duhet të ketë stafetën e dijes  t’ia dorëzoj të tjerëve,gjithmonë sa më përpara,por shkenca duhet të jetë si mbarim brenda stadiumit ku secila gjeneratë duhet ta sjellë më përpara se ku e mori stafetën e dijes’’- profesor  Françesko Altimari


Shkolla e parë  shqipe e Korçës konsiderohet një ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare. Ajo ishte fitorja e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte kurorëzimi i sfidave të përbashkëta të organizatave atdhetare, jashtë dhe brenda Shqipërisë. 

Çdo vit festohet kjo festë madhështore çdo vit na përkujton shumë mësues që patëm fatin t’i kemi. Sa nostalgji për kohën e kaluar në bangat shkollore, sa kënaqësi kur vinte mësuesi në klasë e kur të gjithë nxënësit e uronin, sa respekt, sa mirësi, sa dashuri! 

Në manifestimet për Shkollën e parë shqipe, organizatorët shpesh flasin vetëm për shkollën e parë shqipe të Korçës e cila u hap në vitin 1887. Deri më tani nuk u ndal të flasë askush për mësuesit që vepruan në këto 133 vite dhe që na arsimuan shumë gjenerata deri më sot e vazhdojnë në rrugën e dijes. Duhet të ndalemi të flasim për mësuesit sot që punojnë në shkolla fillore, shkolla të mesme dhe universitete. 


Respekt për të gjithë! Profesioni i mësuesit, është një nga profesionet më të vlerësuara dhe më të respektuara në të gjithë botën. 


Ishte e vështirë dhe e mundimshme rruga historike e popullit tonë që u derdh shumë gjak, po aq e rëndë dhe plot me gjemba trëndafilash ishte edhe rruga e shkollës shqipe, sikur kjo rrugë të mos e njihte gjakun e gjembat e trëndafilave, sikur kjo rrugë të mos e njihte pelinin por ta njihte vetëm mjaltin dhe vetëm rrugën e shtruar me petale trëndafilash. Kjo rrugë e gjatë, duke nisur nga përpilimet e alfabeteve, botimet e teksteve shkollore, deri te hapja e shkollave shqipe, gjatë historisë përjetoi momente nga më të ndryshmet nga më të egrat. Kjo rrugë ndonjëherë rridhte  shpejtë, ndonjëherë rridhte më ngadalë, e ndonjëherë nuk rridhte aspak as një pikë uji, por asnjëherë nuk u kthye prapa, na solli deri këtu ku jemi sot. 


Mirënjohje për dhjetëra vite pasion e dashuri pa kushte për mësuesit në pension. 


Respekti për traditën dhe ambicia për të ardhmen gërshetohen me rezultate mbresëlënëse. Gëzuar 7 Marsin të gjithë edukatorëve, mësuesve dhe pedagogëve që u përpoqën të na edukojnë me ndershmëri dhe përkushtim. Çdo gjë nis nga shkollimi. Mësuesit janë ata  që nga vegjëlia e deri sa bëhesh gati të kapësh jetën, të mësojnë e të durojnë, duke ndërtuar të parët të ardhmen tënde. Mirënjohje për çdo mësuese e mësues! 



Për Portalin Shkollor-Donika Bakiu, Albanologe 


(Portali Shkollor) 

2,210 Lexime
4 vjet më parë