Bedri Dedja: Këshilla për lexuesit e vegjël
Në vitin 1953, kur është botuar ky shkrim, Bedri Dedja ishte vetëm 23 vjeç. Ne po ndajmë me ju pikërisht disa këshilla që ai ka shkruar për rëndësinë e librave dhe të leximit për fëmijët.
LIBRI DHE LEXIMI
Sa herë na ka ndodhur të bisedojmë me shokët në shkollë ose kudo për mjetet e udhëtimit. Të gjithë ne e dimë se sa zbulime të rëndësishme ka bërë njeriu në këtë drejtim. Kemi parë makinat dhe kemi udhëtuar vetë me to nëpër rrugët e asfaltuara të vendit tonë, që gjarpërojnë nëpër fusha të blerta, në mes pyjeve, nëpër kodrina dhe male. Kemi dëgjuar për hekurudhat, nëpër të cilën rrëshqet treni duke lëshuar shtëllunga të zeza tymi; ai nuk pyet për asnjë pengesë, duke çarë edhe malet mes për mes nëpër tunele. Kemi dëgjuar edhe për vaporët që lundrojnë nëpër dete dhe oqeane pa u frikësuar nga valët e tërbuara në stuhi. Kemi parë edhe pilotët duke fluturuar si sokola në aeroplan mes qiellit të kaltër.
Të gjitha këto mjete udhëtimi i ka krijuar mendja e zgjuar e njeriut. Dhe secili prej tyre na pëlqen më shumë se tjetri: makina, sepse ecën shpejt; vapori, pasi shkon gjithnjë e më larg në kaltërsinë e pamat të detit, ndërsa aeroplanin e duam nga fluturimi i tij gjithnjë e më lart në atmosferë mbi qytetet dhe malet.
Por njeriu ka krijuar edhe një mjet më të mirë udhëtimi se sa ata që përmendëm më lart. Ky mjet magjepsës i udhëtimeve të gjata dhe interesante është libri. Me librin në dorë, pa luajtur nga vendi, ne mund të shëtisim gjithë botën, mund të udhëtojmë edhe në ato vende ku nuk kemi qenë asnjëherë, në ato vende ku nuk mund të shkojmë as me automobil, as me tren, as me vapor e as me aeroplan. Me libër në dorë ne mund të udhëtojmë deri në fund të detit, ku mund të jetojmë pak kohë e të njihemi me bimët e kafshët që e popullojnë atë; me libër në dorë mund të udhëtojmë në të kaluarën historike plot heroizma, mund të shohim betejat legjendare të Skënderbeut; me libër në dorë mund të fluturojmë mes yjeve e planeteve të tjerë e të përshkojmë horizonte të reja.
Ja pra, pse është i çmuar dhe i dashur libri për ne, ky mjet i mrekullueshëm udhëtimi. Ja pse nxënësi i mirë e ka atë shokun më të shtrenjtë e të pandarë.
Shkrimtari i madh Maksim Gorki tregon se në fëmijërinë e tij e ka patur librin mikun e tij më të ngushtë. Madje ai thotë se përvoja e jetës dhe librat ishin shkolla më e mirë që mundi të kryejë.
“Dashuroni librin, - thotë ai, - ai do t’ju lehtësojë jetën, do t’ju ndihmojë miqësisht për t’u orientuar në mendimet, ndjenjat dhe ngjarjet, do t’ju mësojë të respektoni njeriun dhe veten tuaj, do t’i japë krahë mendjes dhe zemrës suaj, do t’ju zgjojë dashurinë për botën dhe njeriun… Dashuroni librin - burimin e diturisë, mbasi vetëm dituria të shpëton, mbasi vetëm ajo mund të na bëjë të fortë shpirtërisht, të ndershëm, të mençur, të aftë për të dashur sinqerisht njeriun, për të respektuar punën e tij dhe për të admiruar frutet e mrekullueshme të punës së tij të lavdishme e të pandërprerë“.
Të duash librin, pra, është nder i madh e krenari, sepse duke u zhytur në faqet e tij mëson shumë e bëhesh njeri i vlefshëm në jetë.
Por nuk mjafton vetëm ta duash librin. Është e nevojshme që librin të dish edhe ta lexosh, të dish si ta përdorësh dhe si ta ruash. Ashtu si duart e njeriut, të cilat janë floriri më i çmuar dhe thesari më i madh për punën, e njëjtë është edhe për mendjen: floriri më i çmuar dhe thesari më i madh i saj janë librat. Prandaj ata duhen ruajtur me shumë kujdes.
Shpesh themi se moskujdesja dhe mospërfillja për shokët është mendjemadhësi, një cilësi e keqe kjo, që fëmijët mundohen ta zhdukin me gjithë zemër. Dhe kjo është e vërtetë, prandaj secili përpiqet të jetë sa më korrekt me shoku-shokun. E njëjta gjë ndodh edhe me librat; mospërfillja ndaj tyre është veti e keqe, e njëjtë si ajo që u përmend më lart, por në këtë rast ajo shprehet ndaj librit, të cilin duhet ta konsiderojmë si një nga miqtë tanë më të mirë. Prandaj, nuk duhet bërë dallim në sjellje ndaj librit, por të sillemi në të njëjtën mënyrë si me shokët, në shkollë e jashtë saj. Nxënësit e mirë i kanë sjelljet e njëjta kudo e kurdoherë.
Megjithatë, nuk mjafton me kaq. Ka raste, që pasi marrim në duar një libër interesant që na pëlqen shumë, duam ta përfundojmë me shpejtësi, duke lënë pa lexuar faqe të tëra dhe pa e kuptuar mirë, sepse kemi dëshirë të mësojmë sa më shpejt përfundimin e tij. Një lexim i tillë i librit është i njëjtë me punën që bën parmenda duke lëruar tokën pjesë-pjesë.
Ato faqe të librit, të cilat ne vetëm i shfletojmë pa i lexuar, mbeten në mendje si natë e errët, për të cilën ne nuk mund të themi asgjë. Prandaj, në leximin e çdo libri nuk duhet lënë pa lexuar asnjë faqe, asnjë rresht dhe asnjë gërmë, sepse ndonjëherë, nga faqja ose rreshti që ne lëmë pa lexuar varet kuptimi dhe bëhet lidhja e ngjarjeve në vazhdim.
Përsa i përket punës me librin dhe leximet që bëjmë, është mirë të mbahet një bllok shënimesh ose fletore e veçantë. Ka patur njerëz të shquar që e kishin zakon të hidhnin në letër përshtypjet e tyre, pasi përfundonin leximin e një libri. Ky është një zakon i mirë, pasi shpesh ndodh që ne të harrojmë një shprehje apo një ide që na ka pëlqyer shumë tek një libër dhe kur nuk e kemi shënuar diku, detyrohemi ta lexojmë librin edhe një herë nga e para për t’u ndeshur përsëri me të. Përveç kësaj, fletorja e shënimeve të leximit na ndihmon shumë për përvetësimin sa më të mirë të gjuhës sonë amtare. Me anë të librave kemi mundësi të mësojmë rëndësinë që ka një fjalë, trajtat e ndryshme në të cilat ajo përdoret; të mësojmë shprehjet e mira dhe ndërtimin e drejtë të fjalive. Por të gjitha këto mund t’i përvetësojmë duke i mbajtur shënim dhe duke i përsëritur herë pas here. Libri na ndihmon, gjithashtu, që të njohim thesaret e pashtershëm të gjuhës sonë, na jep mundësi të njihemi me fjalë të reja që nuk i kemi dëgjuar më parë. Të gjitha këto është mirë t’i shënojmë diku për të mos i harruar dhe për të pyetur më pas prindërit ose mësuesit mbi kuptimin e tyre.
Pra, siç shihet, libri nuk është vetëm mësues i mirë që na jep njohuri mbi çdo gjë në jetë, por është një mësues i mirë edhe për përvetësimin sa më të drejtë dhe pasurimin e gjuhës amtare.
Përsa i përket çështjes se kur është koha më e mirë për të lexuar një libër, nuk mund të them se ajo është e përshtatshme në çdo kohë. Leximi ka gjithmonë kohën e tij që kërkon qetësi dhe gatishmëri të plotë nga ana e secilit prej nesh.
Librat kanë një veti dinake, që është vështirë ta kuptosh menjëherë, pasi nuk të bie në sy sapo lexon faqet e para. Kjo veti dinake e tyre qëndron në faktin se sa më shumë t’i kushtosh vëmëndje leximit të tyre, aq më shumë ngjarje zbulojnë para teje dhe aq më të bukura bëhen ato pas çdo faqeje. Në të kundërt, sa më pak vëmendje t’i kushtosh leximit, aq më pak ngjarje zbulon në të dhe interesi ndaj tyre fillon e bie. Por që ta lexosh librin me vëmendje, kjo s’mund të bëhet kur kthehesh i lodhur dhe i rraskapitur nga lodra e as natën vonë, kur vjen koha e gjumit. Prandaj, koha më e mirë për të lexuar është kur ndjehesh i çlodhur dhe je në gjendje ta ndjekësh leximin me vëmendjen më të madhe.
Kur isha student, më ka mbetur në mënd puna me librat që bënte një mësues i pasionuar i gjuhës dhe dëshiroj t’ju flas pak për të.
Në klasat e tij organizoheshin gati çdo javë lexime kolektive. Kur librat përmbanin tregime ose novela, ato i lexonte mësuesi. Kur lexohej ndonjë dramë, përrallë ose poemë ku kishte shumë personazhe, caktoheshin disa nga nxënësit në role të ndryshme, të cilët përgatiteshin më parë që të lexonin në klasë të gjithë së bashku.
Por këto lexime nuk mbaronin me kaq. Pas përfundimit të leximit organizoheshin konferenca për lexuesit. Dikush nga nxënësit përgatiste referatin e të tjerët diskutimet. Në të tilla raste ftoheshin edhe mësues të tjerë e jo rrallë edhe autori i librit. Nxënësit i shfaqnin atij mendimet e tyre, përshtypjet mbi librin dhe dëshirat për vepra të tjera me tema nga më të ndryshmet.
Me anë të këtyre konferencave krijohej një lidhje e ngushtë midis lexuesve të vegjël dhe autorëve të librave. E kur librat janë të mirë, nuk duhet të ngurrojmë të thërrasim as historianët e as shkencëtarët.
Duke përdorur të gjitha këto metoda në punën me librin, ne do të mundohemi të përfitojmë sa më shumë prej tyre. Të mos harrojmë se gati çdo libër hap përpara teje një dritare për një botë të re e të panjohur. Prandaj, duhet të dimë që t’i përdorim sa më mirë këto dritare, që të mos mbetet asgjë e panjohur dhe e paditur për ne. Ky duhet të jetë një nga qëllimet e rëndësishme që çdo nxënës dhe i ri duhet t’i vërë vetes.
Shënim/ Librat e botuar nga Albas të shkrimtarit të mirënjohur i gjeni online në këtë link: https: https://librarialbas.al/
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
Magjia e fundvitit vjen në Petrelë me "Christmas Market", më 22 dhjetor
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana