Babagjysh, a ekziston ti?
E di, Babagjysh, unë kam vënë pambuk tek oxhaku që, kur të hysh nga oxhaku, të mos vritesh!
I dashur Babagjysh,
Unë sivjet kam filluar parashkollorin dhe më pëlqen shumë klasa dhe mësuesja ime! Kam mësuar të shkruaj dhe të lexoj fjalë që shkruan mësuesja në tabelë, dhe ajo çdo ditë m’i mbush duar me yje. Mirëpo një ditë, Frenki, shoku im i bankës, më tregoi se vëllai i tij i madh i kishte thënë që babagjyshi nuk ekziston. Sa shumë u mërzita! Mezi prita të vinte mami e babi nga puna, që t’i pyesja sërish për babagjyshin. Por kur erdhën, ata, si gjithmonë, nisën të më thoshin se babagjyshi ekziston, se hyn nga oxhaku etj. Nuk e di pse po i besoja më shumë Frenkit! Më dukej se vëllai i tij i kishte thënë të vërtetën! Karroca dhe dreri i tij nuk mund të fluturojnë në ajër, kur nuk kanë krahë; oxhaku im është i vogël e nuk mund ta nxërë babagjyshin... Për ta vërtetuar këtë, fshehurazi vajta te sirtari ku babi mban disa vegla pune. Një ditë aty kisha parë një gjysmëtop të vogël të zi, që babi më tha se ishte kamera e vjetër. E gjeta kamerën e vjetër, e fsheha poshtë trikos dhe vrapova tek oxhaku. E vendosa aty me kujdes, që me anë të saj të shihja babagjyshin kur të vinte fshehurazi në dhomën time dhe ta vërtetoja tamam nëse ekziston apo jo! Një natë, teksa babi po dëgjonte lajmet, teta e lajmeve tha se në Amerikë njerëzit atë ditë ishin mahnitur nga spektakli që kishte dhënë Babagjyshi me slitën e tij në qiell. E pashë dhe vetë: një babagjysh me slitë që lëshonte drita të kuqe dhe të verdha! Përderisa e thonë dhe lajmet, atëherë Babagjyshi ekziston. Oh, sa u lumturova, që ti Babagjysh ekziston! Meqë u binda se ti ekziston, atëherë po të shkruaj dëshirën time!
Unë e di që vetëm ti ma solle vjet si dhuratë vëllanë tim të vogël, që kisha kohë që ia kërkoja mamit e babit! Ndaj nuk po lodhem më t’u kërkoj atyre një mace prej vërteti, sepse ata nuk do të ma sjellin. Ndaj, të lutem Babagjysh, më sill një mace të vogël me sy të bukura! Unë i dua shumë macet! Të premtoj që do të kujdesem shumë për të dhe do të flejë me mua! Edhe vëllai im i do macet, sepse kur unë i tregova disa fotografi me mace, ai qeshi shumë!
Babagjysh, unë kam vënë pambuk tek oxhaku që, kur të hysh të mos vritesh!
Të kam shumë xhan, Ameli.
(Portali Shkollor)
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Poezi nga mësuesja Vera Ujka