Itali

“Anija e Shpëtimit”, eseja e shqiptares që fitoi çmimin “Astalli”

Shqiptarja tërhoqi çmimin në Qurinale. Eseja e saj u botua në të përditshmen italiane Corriere della Sera. Në “Anija e Shpëtimit”, Alesia rrëfen historinë e babait të saj i cili ishte një ndër mijëra shqiptarët që u larguan nga Shqipëria.

Nxënësja shqiptare, Alessia Dule, ka fituar çmimin “Astalli” në Romë, çmimin e parë për letërsinë e shkollave 8-vjeçare në Itali me esenë “La nave della salvezza”, (Anija e Shpëtimit).

Shqiptarja tërhoqi çmimin e saj në Qurinale. Eseja e saj u botua në të përditshmen italiane Corriere della Sera. Në "Anija e Shpëtimit”, Alesia rrëfen historinë e babait të saj i cili ishte një ndër mijëra shqiptarët që u larguan nga Shqipëria për në Itali në kërkim të një jete më të mirë.

Anila e Shpëtimit”

E thonin të gjithë, flitej në televizor. Anijet po niseshin dhe populli gëzohej që më në fund mund të largohej. Ishte viti1991, ai sapo kishte mbaruar shërbimin ushtarak. Ishte një djalë i ri që e donte lirinë, nuk donte t’i bindej më urdhrave, donte mbrapsht jetën e tij dhe do ta kishte me të gjitha kostot.

Anija

Thonin që do të hapnin ambasadat, që Franca, Italia dhe Gjermania të çonin burra dhe gra përtej kufirit, në shtetin e tyre dhe do ta bënin nëse nuk do të ishte policia e cila vrau qindra persona të pafajshëm që donin vetëm liri, një vend të qetë ku të rrisnin fëmijët. Herën e dytë u përfol se do të largohej në Itali me anije, por edhe atje ishte vetëm një masakër, fëmijë, burra dhe gra të vrarë për asgjë.

Hera e tretë

Hera e tretë ishte më e mirë, të gjithë thonin që këtë herë anije do të nisej patjetër, që këtë herë do të shpëtonin me të vërtetë. Atëherë ai vendosi të nisej, por si? E vetmja mundësi për të arritur në Durrës ishte treni dhe me atë nuk do të kishte arritur kurrë në kohë, do të kishte humbur mundësinë e jetës, do të humbte që në nisje. Për pak do të dorëzohej, kur pa një kamion të ndalonte përpara shtëpisë së tij. Kamionisti po shkonte në lokalin që ndodhej në anën tjetër të rrugës. Ai e ndjek dhe e pyet ku po shkon. Zotëria i thotë se po shkonte në portin e Durrësit, ku i duhej të merrte një ngarkesë që duhet të kishte ardhur më 6 mars, pikërisht ditën kur nisej anija.


Porti

Në atë kohë njerëzit të ndihmonin shumë më tepër seç bëjnë tani, mbi të gjitha në atë vend të vogël, ku njiheshin të gjithë, ku sapo ai i kërkoi kamionistit ta merrte me atë, ai i tha po. Vrapon për të përshëndetur nënën dhe babin, gjyshin, motrën dhe vëllain të cilët qanin pasi kishin frikë se nuk do ta shikonin më, gjë që mund të ndodhte.

Brenda një ore jeta e tij kishte marrë një kthesë që nuk do ta harronte më kurrë. Mbërriti në port dhe për një moment shtangu. Kishte aq shumë njerëz që do të niseshin. Nuk kishte as idenë minimale se do të hipte në anije, por dinte vetëm një gjë: do t’ia dilte mbanë pasi kjo ishte mundësia e vetme.

Shtyhej mes hapësirave të vogla mes njerëzve në përpjekje për të kaluar. Ishte pothuajse brenda, do t’ia kishte dalë për pak, por befas ndjeu një dorë që e tërhoqi poshtë. Ishte një shoku i tij që e kishte njohur mes mijëra fytyrave të panjohura…Kështu u nis në atë udhëtim që mbase do ta kishte shpëtuar. Tashmë ishte i sigurt që do t’ia dilte, por befas mendoi: Çfarë do të bëj unë atje? Çfarë do të gjej kur të arrij?

Frika

Ai kishte frikë, një frikë nga ato që të çajnë gjoksin dhe të bëjnë të të dridhen këmbët. Kishte parë në televizor që në Itali ishin të gjithë të pasur, por nuk e besonte. E dinte që nuk ishte gjithçka siç tregohej në filma, por ishte ende e vetmja shpresë teke cila donte të besonte me çdo çmim.

“Emri i anijes ishte “Iliria” dhe duheshin 24 orë që ajo të kalonte detin nga Durrësi në Brindizi, pa ujë dhe ushqim. Ishte 7 marsi i vitit 1991 dhe ai kishte mbërritur, më në fund ishte në Itali.

Njerëzit u hidhnin shishe me ujë dhe rroba nga ballkonet, përpiqeshin t’i ndihmonin. I strehuan në shkolla, flinin nëpër klasa dhe hanin ushqime të skaduara, por të paktën ishin ushqime. Trupi i tij ishte i lodhur, nuk hante prej 3 ditësh dhe villte çdo gjë që i jepnin.

Valsugana

Pastaj, një ditë disa persona hynë në klasa dhe u thanë të hipnin në një autobus. Nuk e dinte ku po shkonte, por kishte kuptuar diçka nga ato që thuheshin sepse kishte mësuar fshehurazi pak italisht, duke parë televizionet italiane. Kishte kuptuar “nisuni”, “veri”, “ftohtë”. Dhe pas një udhëtimi të gjatë ai e gjeti veten në kazermat alpine të Paluzza, në Friuli-Venezia Giulia, pak kilometra larg nga Austria, ku ndaloi.

Qëndroi atje për 3 muaj dhe në fund të majit i thonë se disa autobusë niseshin për në Veneto, ku do të stabilizohej një herë e mirë. Kap njërin rastësisht dhe përfundon në Sicmon, një qytet i vogël në Valsugana.

Babai im

Që nga fillimi ai kishte marrë ndihmën e njerëzve që jetonin atje, që i jepnin rroba dhe çdo gjë që i nevojitej. Ishte një zonjë që ai e quante “Nonna Anna” e cila i dha paratë që i nevojiteshin, i mësoi italishten dhe e ndihmoi për gjithçka tjetër duke i dhënë një punë dhe një shtëpi.

Pasi kishte mbledhur paratë e mjaftueshme, në qershor të vitit 1992 ai vendosi të kthehej në Shqipëri me një qëllim: të merrte me vete dashurinë e jetës së tij të cilën nuk mund ta linte vetëm pasi ishte shumë e rrezikshme. E mori në Itali me avion pasi nuk donte që ajo të vuante udhëtimin me anije.

Që atëherë ata ndërtuan jetën e tyre së bashku dhe lindën dy fëmijë. Njëri prej tyre jam unë. Ai është babai im.

1,733 Lexime
8 vjet më parë