INTERVISTË

Ana Kodra, nxënësja 15-vjeçare e Liceut Artistik që Amerika do ta presë si këngëtare dhe aktore

Ana është e njohur për publikuan shqiptar, pasi zëri i saj e ka spikatur atë si këngëtare që në moshën 8 vjeç. Tani që është 15 vjeç ajo gëzon një rritje tjetër profesionale në këtë drejtim. Së fundi i ka rënë në sy edhe të famshmes Rita Ora. Por duket se Ana shumë shpejt do të ndjek ëndrrën e saj amerikane.


Besojmë askujt nuk i ka shpëtuar pa e parë videon kur një vajzë e re ka mahnitur me zërin e saj Rita Orën, këngëtaren shqiptare me famë botërore, teksa kjo e fundit ishte për koncertin e saj në Tiranë. Është pikërisht Ana Kodra, këngëtarja 15 vjeçare tashmë, e cila rrëfen në një intervistë për Portalin Shkollor gjithë përjetimin e atij momenti, teksa zbulon sukseset dhe ëndrrat e radhës. 

Dalja e Anës për herë të parë në skenë

Ana, i ke rrëmbyer zemrat e shqiptarëve qëkur ishe 8 vjeç, me daljen tënde të parë në skenë duke performuar si këngëtare. Me zërin tënd ke konkurruar dhe ke triumfuar duke marrë çmime në shumë kompeticione brenda dhe jashtë vendit. Tani je më e rritur si fizikisht ashtu edhe profesionalisht; 15 vjeç, vlerësohesh si super talent për vokalin; i shkruan vet këngët; luan në disa instrumente muzikor, së fundmi ka prezantuar albumin tënd të parë... shumë arritje e suksese, por çfarë është për ty zëri yt Ana?  


Unë falënderoj Zotin për zërin që më ka dhënë dhe të them të drejtën ka shumë të talentuar në botë; unë kam zërin por dhe fatin që kam pasur gjithmonë mbështetje dhe shtysë për të ecur përpara. Në çdo festival që kam qenë kam pritur me ankth kur ndaheshin çmimet, por nuk them asnjëherë që unë do fitoj çmimin e parë dhe gjithmonë gëzohem shumë kur fitoj.


“Një zë i mrekullueshëm, impresionues dhe me plotë pasion ” kështu është shprehur Rita Ora, këngëtarja shqiptare me famë botërore, teksa të ka dëgjuar të këndoje në një nga takimet që ajo zhvilloi me të rinjtë e Liceut në vizitën e fundit në Tiranë. Si u ndjeve për këtë? Çfarë shije të ka lënë ai moment? 

Foto nga momenti i takimit me Rita Orën

Jam gëzuar shumë, kam qenë shumë e emocionuar gjatë gjithë kohës që kam folur me Rita Orën, m’u duk si ëndërr, edhe kur këndova m’u dridh pak zëri nga emocionet, edhe pse Rita tha se nuk dridhej fare. Nuk e prisja që më pas të gjithë do e shikonin atë bisedë dhe do më kushtonin vëmendje. Unë i thashë një shoqes time që të më xhironte gjatë intervistës dhe ngaqë ajo ishte ulur në krahun tim, video nuk ishte marr mirë. Kur ia tregova prindërve më thanë se pse nuk e kisha marr mirë, se ky do ishte kujtim për gjithë jetën. Por ne nuk e ditëm që ajo video më pas do dilte në të gjitha mediat. 



Kush ka ndikuar në ty si person dhe këngëtare Ana? Sa rëndësi ka familja dhe shkolla, prindërit dhe mësuesit në rritjen tënde të gjithanshme? Po shoqëria dhe vendi? 


Foto nga një event e dalë si fituese 

Te mua si persona ka ndikuar familja ime, si çdo fëmijë tjetër. Kurse si artiste mund t'ju rrëfej se kur kam qenë e vogël 5- vjeç, këndoja këngët e Vaçe Zelës dhe Edith Piaf kudo, në rrugë, lagje. Mbaj mend mirë atëherë që kur këndoja në lagje, mblidheshin shumë njerëzit dhe më dëgjonin, pastaj kur mbaroja së kënduari më blinin ndonjë gjë, akullore dhe gjëra të tjera. Kështu ka nisur edhe konkurrimi im i parë në spektakël, kam qenë duke kënduar në lagje dhe një nga organizatoret e spektaklit “Tu si que vales” më dëgjon duke kënduar për fëmijët e tjerë në lagje dhe më tha t’u thërrisja prindërve se donte të fliste me ta. Ata folën dhe unë konkurrova atje me këngën e Vaçe Zelës “Valsi i lumturisë”. Kjo ishte dhe dalja ime e parë në skenë. Arrita deri në finale, isha 8 vjeç atëherë dhe deri tani kam marr pjesë në shumë festivale. Në kohën e pandemisë të gjitha festivalet bëheshin online dhe mami im më regjistronte ngado, u çonte këngët e mia. Ngaqë u bënë shumë të tilla, unë as nuk i mbaja mend kur më regjistronte, vetëm kur më thoshte që Ana fitove “Grand Prix” përsëri.


Pse ke vendosur të shkosh në Amerikë? Të duket premtuese ikja atje për talentin tënd? Ke ëndrra që lidhen me atë vend? Mund të na tregosh pak më tepër... 


Amerika është ëndrra ime, e imagjinoj veten atje dhe jam shume e emocionuar. Kur kam shkuar herën e parë në Amerikë, m'u duk vetja si në shtëpinë time; e kisha parë kaq shumë në Google sa dija mirë çdo gjë ku ishte dhe ia tregoja unë rrugën mamit dhe motrës. Deri tani unë kam pasur edhe fatin që jam lidhur me njerëz shumë të mirë që më kanë ndihmuar shumë; me të gjithë producentët që është prezantuar atje menaxherja ime, kanë thënë që duan të punojnë me mua. 


Unë jam me fat për këtë gjë, kam edhe një premtim kontratë pune nga producenti me dy çmime grammy David Kahne; kam edhe një kontratë punësimi nga agjencia që menaxhon talentet “Stewart Talent Agency”; kam bërë dy audicione për aktrim te kjo agjenci, se ata mua më shohin edhe si aktore, aktore edhe këngëtare, sepse janë filma për adoleshentë që aktorët edhe këndojnë. Gjithashtu kam kontratë edhe me Loft Studio, producentin Donie Klang, është studio muzikore ku unë kam regjistruar dy këngët e para. 


Por që unë pa menaxheren time atje Kathleen Castro, nuk do i kisha arritur të gjitha këto, ndaj e falënderoj shumë.

Ana me menaxheren Kathleen Castro 

Nëse një ditë do të bëhesh e njohur botërisht, cili do të ishte premtimi që do i bëje vetes për identitetin tënd shqiptar? 


Unë jam shqiptare dhe shqiptare do mbetem dhe do prezantohem gjithë jetën. 


Dhe së fundmi, çfarë këshille ose mesazh do t’i jepje të gjithë bashkëmoshatarëve të tu të cilët kanë një talent por shpesh herë tuten nga diçka? Po thjesht si një nxënëse çfarë do t’u specifikoje?


Unë të gjithë moshatareve të m'i i them që duhet patjetër të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos ndalen, se kur e do shumë diçka, ajo realizohet, patjetër që edhe fati do ndihmojë. Është shumë bukur gjithmonë kur bën atë që do. Kurse si nxënëse duhet të them që edhe mësimet janë shumë të rëndësishme, duhet lexuar shumë; unë personalisht jam munduar, por ndonjëherë nga angazhimet e shumta që kam, nuk kam shkëlqyer në mësime, po këtë vit i kam thënë vetes që do mësoj më shumë, se jam edhe viti parë në gjimnaz tani dhe duhet shumë punë.


Faleminderit për intervistën dhe të urojmë arritjen e majave më të larta në muzikë, sepse ne duam të kënaqemi e të shijojmë zërin tënd, muzikën e vërtetë! Suksese Ana!


Dua t’ju falënderoj edhe juve për kohën dhe vëmendjen që më kushtuat për këtë intervistë.




Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,227 Lexime
2 vjet më parë