Studim në mësimdhënie

Adriana Laze: Ju rrëfej eksperiencën time me Flipping Classroom

Duke përmirësuar disa aktivitete, unë do të vazhdoj të punoj me Flipping classroom ose ndryshe Klasa e përmbysur, dhe kjo falë ndihmës që më dhanë nxënësit e mi nëpërmjet pyetësorit. Është mirë që punën tonë ta vlerësojmë jo vetëm nëpërmjet këndvështrimit tonë apo të specialistëve, por edhe të nxënësve.

Në fillim të vitit 2015, u bëra pjesë e platformës e Twinning, që përfshin komunitetin më të madh të mësuesve të Europës me mbi 800000 mësues. Ishte hera ime e parë që eksploroja një platformë online dhe natyrisht më është dashur shumë punë. Projektet janë pjesa më e rëndësishme e platformës e Twinning, ku aktorë kryesorë janë nxënësit. Por kjo platformë ka në fokusin e vet edhe zhvillimin profesional të mësuesit. 


Periudha Mars – Qershor 2015 ka qenë e mbushur në mënyrë intensive me trajnime dy javore dhe seminare online që ofronte platforma. Gjatë këtyre trajnimeve mësova shumë gjëra të reja. Por më tërhoqi vëmendjen termi "Flipping classroom". E përktheva në Google translate, me thoshte "klasë e përmbysur". Nuk e kuptoja dot. Fillova të eksploroja vet se ç'do të thoshte klasa e përmbysur. Lexova dhe e kuptova çfare ishte "Flipping classroom". Pra të zbatojë anasjelltas, ose të përmbysur taksonominë e Bloom-it.


Nxënësi duhej të bënte në shtëpi atë çfarë bënte në klasë dhe në klasë atë çfarë bënte në shtëpi. Në fakt ajo çfarë më ka dhembur në këto vitet e fundit, në eksperiencat e mia, ka qenë shkëputja e nxënësve nga libri në mënyrë masive, të paktën në shkollat e periferisë së Tiranës ku unë kam punuar këto vitet e fundit dhe vazhdoj ende (nga 2015 e në vazhdim). Nxënësi kuptonte mësimin në klasë dhe me vetëbesim të tepruar shkonte në shtëpi dhe thjesht bënte detyrat e shtëpisë. Nuk studionte.


Kam praktikuar test me libër hapur, por kush nuk e kish prekur librin në shtëpi nuk ka mundur të kopjojë dot, duke u bindur se po nuk punove me librin nuk ia del dot.


Ka pasur raste kur i vija në klasë të lexonin librin sepse më bënin pyetje, përgjigjet e të cilave gjendeshin në libër. Kam vërejtur që e kishin të vështirë punën me librin, ndaj e përsërisja këtë gjë, por më merrte kohë. 


Flipping classrom apo ndryshe Klasa e përmbysur, më dukej mënyra më e mirë për ta lidhur nxënësin sistematikisht me librin, për ta bërë atë të mendojë në mënyrë kritike, për të rritur aftësitë e tyre në zgjidhjen e pavarur të problemave, për t'u rritur besimin në vetvete dhe pavarësinë e tyre nga prania e mësuesit. 


Idenë e "Flipping classroom" tentova dy apo tri herë ta realizoja, por lëvizja nga një shkollë në tjetrën, për shkak të portalit, derisa u bëra me vendim, shpesh më linte plane pezull.


Nga një konsultim online  me kolegë Europian, kam marrë reagimin e shumë mësuesve rreth "Flipping classroom". Ata shpreheshin se është shumë e mirë por kishin vështirësi sepse jo të gjithë nxënësit punonin me të njëjtën ndjenjë përgjegjësie në shtëpi. Dhe mua më pëlqente shumë.


Megjithatë në janar të këtij viti, pasi përfundoi tremujori parë, vendosa të zbatoj "Flipping classroom" me nxënësit e klasës së gjashtë, që sot janë në klasë të shtatë.


Atëherë u rekomandova nxënësve që të punonin në shtëpi dy temat e orëve pasardhëse, pra t'i punonin ato paraprakisht. Ajo do të ishte detyra e tyre e shtëpisë e cila do të kontrollohej. Kur vinin në klasë gjatë 45 minutëshit të parë duhej të diskutonim çfarë kishin bërë nxënësit, çfarë vështirësish kishin hasur dhe çfarë u kishte ngelur ende e paqartë. Kish nga ata që më tregonin se kishin kërkuar ndihmën e motrës apo vëllait, gjë që u këshillova të mos e bënin më. Të bënin aq sa mundeshin ata, por të përpiqeshin për të kuptuar mësimin, të këmbëngulnin.


Në 45 minutëshin e dytë duhej të punonin fletoren e punës, që jo gjithmonë na dilte koha. Nuk ishte e lehtë për nxënësit, as për mua. Si gjithmonë fillimi ka vështirësitë e veta. Në një moment ndala dhe mora një përshtypje të tyre me gojë rreth kësaj mënyre të re të mësuari. Njëra klasë ma mbështeti, tjetra jo.

- Nuk e kuptojmë dot mësuese, duam të na e shpjegosh ti mësimin më parë e pastaj të punojmë ne të pavarur – u shprehën shumica e tyre.

Por shoku i tyre i kundërshtoi duke argumentuar: - Kjo mënyrë e re është më e mirë se ne e kalojmë temën dy herë, një herë në shtëpi dhe një herë me mësuesen. Ne nuk na ngelet asgjë e paqartë. 


Me shumë kujdes i binda se duhej të vazhdonim me këtë mënyrë (specialistët nuk e konsiderojnë metodë), sepse nxiste të menduarin kritik të tyre dhe lidheshin me librin. Jo me shumë qejf fillimisht por pak nga pak nxënësit u mësuan dhe vazhduan me "Flipping classroom" deri në 9 Mars kur shkollat kaluan online për shkak të pandemisë. 


Në këtë periudhë "Flipping classroom" më ndihmoi shumë, sepse nxënësit ishin mësuar të punonin të pavarur me librin. Vazhdonim diskutimin dhe sqarimet në Zoom, Google classroom njësoj si edhe në klasë, pa përjashtuar vështirësitë e panumërta të fillimit të asaj periudhe, që të gjithë i dimë. 


Në Shtator vazhduam me të njëjtën mënyrë si në klasën e gjashtë. Nxënësit ishin edukuar dhe nuk e kishin më problem. Lexonin librin, shembujt e zgjidhur dhe teorinë. Puna u bë më e lehtë si për ta edhe për mua në klasë. Punonin të gjitha ushtrimet në shtëpi, në orën e parë diskutonim të gjitha ushtrimet pas mësimit, sqaronim çfarë ishte e paqartë dhe në orën e dytë kalonin tek fletorja e punës. Orët ecnin shkëlqyer, nxënësit nuk kishin nevojë t'i porositja, e dinin vetë çfarë duhej të punonin. Ajo ishte detyra e tyre e shtëpisë. Natyrisht nuk mund të them në masën 100% të gjithë punonin në shtëpi. Tek tuk për neglizhencë apo arsye të ndryshme kishte nxënës që nuk e kishin punuar librin në shtëpi, apo e punonin pjesërisht. Megjithatë gjatë kohës që e diskutonim mësimin e kishin shansin të kalonin mësimin nga fillimi, bashkë me shokët. 


Por në dy testet e realizuara,  u zhgënjeva pak. Prisja më shumë, pasi nxënësit më kishin dhënë shpresë gjatë orëve të mësimit. Analizova punën time dhe gabimin e gjeta tek fakti që duhej t'u jepja më shumë detyra në fletore, jo thjesht në libër gjatë punës së pavarur në shtëpi. Me mendimin se mund t’i ngarkoja shumë u kërkoja të punonin vetëm në libër. Por harrova që ata ishin sistematik në të shumtën e rasteve dhe koha e harxhuar nuk ishte më aq e madhe sa në fillim. Pa diskutim që edhe situata në të cilën ndodhemi e krijoi vështirësinë e vet. Madje një nga nxënëset/it ishte shprehur se i mungonte korrigjimi im në fletoren e saj/tij. Por kjo është e bukura e përvojës, se të jep leksione me vlerë. Aq më tepër dështimi, është mësuesi më i mirë në jetë.


Megjithatë po mendoja që në tremujorin tjetër mos ta praktikoja më "Flipping classroom" pas zhgënjimit në test. 

Por në orën e fundit me ta, që i takoi ta bënim online, vendosa t'u shpërndaj një pyetësor për të marrë opinionin e tyre në lidhje me këtë mënyrë të mësuari si edhe disa aspekte të tjera në lidhje me Matematikën gjithmonë. Ata nuk do të identifikoheshin me asnjë mënyrë, ndaj u kërkova të shpreheshin lirshëm. Ishte i rëndësishëm opinioni i tyre për mua.


Më ka surprizuar logjika, sinqeriteti për t'u shprehur siç ata e ndjenin, analiza e tyre rreth punës sime dhe reflektimi për përgatitjen e tyre për testin, por  sidomos opinioni i tyre rreth "Flipping classroom". Ma përmbysën idenë time.


Pyetjes: "Metoda Flipping Classroom (ku ju e përgatitnit mësimin paraprakisht në shtëpi) që ne përdorëm gjatë gjithë vitit 2020 mendoni se ia vlejti ?", nxënësit iu përgjigjën:

72% - Po

4% - Edhe po edhe jo

8% - Jo

16% - Nuk di ç'të them


Për pyetjen se: A ia vlen kjo metodë? -  po ju tregoj disa përgjigje të nxënësve:

- "Kjo metodë, jo vetëm që ndikon në faktin që ne punojmë individualisht dhe jemi të përgjegjshëm për detyrat tona, ndikon dhe në faktorë socialë dhe stërvit trurin për të menduar në mënyrë kritike, pra për t'u lodhur dhe për ta kuptuar dhe vetë mësimin".

- "Kishim kohë që të punonim saktë".

- "Sepse ne mësojmë të zgjidhim vetë probleme dhe jo duke u mbështetur gjithmonë te dikush tjetër".


Pra duke përmirësuar disa aktivitete, unë do të vazhdoj të punoj me Flipping classroom ose ndryshe Klasa e përmbysur,  dhe kjo falë ndihmës që më dhanë nxënësit e mi nëpërmjet pyetësorit.


Është mirë që punën tonë ta vlerësojmë jo vetëm nëpërmjet këndvështrimit tonë apo të specialistëve, por edhe të nxënësve. Ata janë kritikët më të mirë. Në përpjekjet tona për të rritur cilësinë e mësimdhënies, çdo mësues mund ta përdorë anketimin e nxënësve, duke e konsideruar atë si një instrument të rëndësishëm matës të punës sonë dhe një mënyrë për të marrë disa vendime të nevojshme siç ndodhi me mua.


Të gjithë kolegëve të mi kudo ku ndodhen u uroj "Gëzuar festat e fundvitit dhe 2021 qoftë një vit i mbarë e plot suksese në çdo aspekt”.

Adriana Laze,

Shkolla 9 vjeçare Katund i Ri, Tiranë, Ambasadore në Scientix , e Twinning dhe platforma të tjera.



Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


4,777 Lexime
4 vjet më parë