Ese

Adelina Qarkaj: Si ndihem në shpirt kur vesh petkun e mësueses

Drithërima gëzimi, e kolorit mornicash, si pelerinë mëndafshi më mbështjellin e më përkundin në emocione, më veshin me lumturi kur veshur kam petkun e mësuesisë…premtoj se do të jem mike, udhëheqëse, avokate, shoqe, arkitekte, do të jem mësuesja juaj, qiriri i rrugës suaj, projekti juaj i së ardhmes.

Si ndihem në shpirt kur vesh petkun e mësueses



Se ditët më të bukura çelin me rrezen e diellit, këngën e zogjve e buzëqeshjen e fëmijëve, të këtyre engjëjve në tokë që i falin zemrës dashuri, shpirtit qetësi dhe botës paqe. 


Shkollës i japin dritë, gaz, e jetë këto perla dijesh shtrirë asfalteve të shpresës. Lumenjtë rrjedhin, ndërsa mendjet ndriten, fjalë e artë imja mbush plot gotën e boshatisur, me dashuri, me shpresë me dije. 


Ç'ndjenjë, ç'emocion, ç'shjentëri e ngjizur në ëndrra e e mbirë në tokë.


Drithërima gëzimi, e kolorit mornicash, si pelerinë mëndafshi më mbështjellin e më përkundin në emocione, më veshin me lumturi kur veshur kam petkun e mësuesisë.


Ëndrrat të cilat i kam pas fshehur në sirtarin e fëmijërisë, po i hap sot në qerthullin e dijes në një fushë të mbushur me lule, e me manushaqe, në një kopsht shndritur me yje të vegjël me sytë e mendjet kurioze që si trëndafilë bulëzojnë para meje.


Po ndihem e frikësuar, - a do të jem unë pasqyrë e kthjellët për nxënësit e mi, mësuesja model për sytë e etur për dije? E kam menduar gjatë, më duhen fjalë të buta, duar të njoma e një zemër e madhe për  t'i zënë brenda të gjitha zemrat e vogla, këto zemra që i mbajnë muret e  kështjellës dituri.


S'e shpreh dot me fjalë këtë emocion. Më rrëqethet i gjithë trupi nga koka te këmbët, lotët më tradhtojnë, e një afsh i nxehtë si afsh korriku më lëmon faqet, po i afrohem takimit me frymëzuesit e jetës, zemra shton tik-taket e frymëmarrja si era ik nxitimthi piedestaleve e lahet krojeve të dijeve.


I përfytyroj ato duar që më ledhatojnë e ata zëra që do të më thërrasin  mësuese e botën mbaj në duar.


Nga çdo dru nuk bëhet fyelli, thotë një fjalë e urtë popullore, njëlloj nga çdo njeri nuk bëhet mësues. Mësuesi bëhet nga dëshira e madhe, nga puna e murosur ditë e natë, nga zemra e mbushur me dashuri, e mbushur me emocion e çiltërsi për t'u ofruar dije ushtarëve  të vegjël. S'ka dhuratë më të shenjtë që mund t'i ofrosh dikujt , s'ka nder më të madh se të bëhesh Promete-dritësjellës!


Ndën rrahje zemre që si orë trumbeton gjoksin, premtoj se do të jem mike, udhëheqëse, avokate, shoqe,arkitekte, do të jem mësuesja juaj, qiriri i rrugës suaj, projekti juaj i së ardhmes.


Adelina Qarkaj



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,863 Lexime
3 vjet më parë